Kancelari gjerman Scholz thotë se Ukraina kryeson listën e sfidave | Gjermania | DW | 12.08.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Kancelari gjerman Scholz thotë se Ukraina kryeson listën e sfidave

Kancelari Olaf Scholz u tha gazetarëve se pushtimi rus i Ukrainës ishte kriza më e madhe aktuale. Konferenca për shtyp tashmë tradicionale e verës vjen kur Gjermania përballet me disa probleme brenda dhe jashtë vendit.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të enjten (11.08.) se sulmi rus ndaj Ukrainës ishte sfida më e madhe me të cilën përballet Gjermania dhe bota tani. Olaf Scholz-i i bëri komentet në një konferencë shtypi verore që është bërë traditë e përvitshme nën paraardhësen e tij, Angela Merkel.

Çfarë tha kancelari Scholz?

Scholz-i tha se Gjermania theu traditën e mosfurnizimit me armë të zonave të konfliktit duke e furnizuar me armë Ukrainën për ta ndihmuar atë të luftojë forcat pushtuese ruse. "Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në periudhën e ardhshme," tha kancelari gjerman.

Scholz-i tha se veprimet e Moskës datonin që nga konceptet politike të shekullit të 19-të të grabitjes agresive të tokës. Ai tha se "presidenti rus mban përgjegjësi për këtë luftë", por nuk pranoi t'i përgjigjet një pyetjeje nëse presidenti rus Vladimir Putin duhet të përgjigjet personalisht për veprimet e tij.

Scholz-i tha se duke qenë se lufta ishte "lufta e Putinit", ai nuk ishte aspak i prirur t'i ndalonte të gjithë rusët të merrnin viza turistike të BE-së, siç kërkonin vende të tilla si Estonia dhe vetë Ukraina. Sipas Scholz-it, fundi i luftës duhet të jetë me kushtet e Ukrainës, jo i diktuar nga Rusia.

I pyetur nëse ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, i cili ka lidhje të ngushta me regjimin rus, mund të jetë i dobishëm si ndërmjetës, Scholz-i u përgjigj: "Jo që ta dija unë". Schröder-i, nga partia socialdemokrate e kancelarit Scholz, shërbeu si kancelar midis viteve 1998 dhe 2005. Ai është kritikuar për angazhimin e tij për vite me radhë në kompanitë shtetërore ruse dhe konsiderohet një mik i ngushtë i Putinit.

Russland | Olaf Scholz trifft Wladimir Putin in Moskau

Vladimir Putin dhe Olaf Scholz të ulur në skajet e kundërta të një tavoline të gjatë prej disa metrash.

Scholz (djathtas) u takua me Putinin në Moskë në mes të shkurtit, përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt.

Paketat e ndihmës

Duke iu kthyer problemeve të brendshme, kancelari tha se qeveria e tij synonte lehtësim për të gjithë sektorët e shoqërisë përballë rritjes së çmimeve të energjisë. "Do të ketë një paketë tjetër”, tha ai, duke iu referuar masave që tashmë janë prezantuar.

Ai shtoi se qeveria do të "bëjë gjithçka" për të ndihmuar njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme në veçanti "të kalojnë këtë kohë të vështirë".

Ai e cilësoi paketën e masave për uljen e taksave të planifikuara nga ministri i Financave Christian Lindner si "shumë të dobishme” në këtë drejtim dhe tha se do të marrin ndihmë edhe pensionistët dhe studentët.

Scholz-i tha se nuk pret që në Gjermani të shkaktohen trazira sociale nga çmimet e larta të energjisë, duke thënë se sistemet e mbrojtjes sociale të vendit do ta parandalojnë këtë.

Kancelari shprehu gjithashtu mbështetje për kthimin e "frenës së borxhit" të Gjermanisë, e cila në bazë të kushtetutës gjermane e ndalon qeverinë federale të ketë një deficit strukturor mbi 0.35% të PBB, me përjashtim të rasteve emergjente.

Frena e borxhit është përfshirë tashmë në planin buxhetor të Ministrit të Financave Christian Lindner për vitin 2023, pas pezullimit nga viti 2020 në 2022 për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe luftës së këtij viti në Ukrainë.

Riparimi i "dështimeve" të mëparshme për energjinë

Scholz-i kritikoi atë që ai e quajti dështimin e politikave energjetike të qeverive të mëparshme gjermane, megjithëse ai vetë ishte anëtar i qeverisë së koalicionit të fundit si ministër i Financave. "Ne po mundohemi të korrigjojmë të gjitha dështimet e viteve të fundit, të cilat kanë qenë shumë të rëndësishme në këtë sektor”, tha ai.

Ai tha se megjithëse kishte vendime të përbashkëta për braktisjen e burimeve të qymyrit dhe energjisë bërthamore, nuk kishte asnjë për një modernizim të shpejtë të industrisë gjermane. Ai tha se qeveria e tij kishte nisur tashmë një numër paketash legjislative, për shembull, për të mundësuar zhvillimin e shpejtë të energjisë së erës në tokë dhe në det të hapur. Scholz i premtoi industrisë gjermane një furnizim me energji të përballueshme, duke përfshirë energjinë elektrike dhe hidrogjenin nga burimet e rinovueshme.

Kancelari konfirmoi gjithashtu se dy terminale të planifikuara të gazit LNG(gazit natyror të lëngshëm) në bregun e Detit të Veriut deri në dimër do të jenë gati për të pranuar furnizime.

 

 

aud (dw, dpa)