Kancelar i reformave dhe i njerëzve të thjeshtë | Gjermania | DW | 15.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kancelar i reformave dhe i njerëzve të thjeshtë

Për shtatë vjet me radhë Gerhard Schrëderi përcaktoi si kancelra i Gjermanisë fatet e vendit. Pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani politikani socialdemokrat nuk humbi vetëm këtë post, por hoqi dorë edhe nga poste të tjera që mund të merrte në radhët e një qeverie të dalë nga koaliconi i madh. Me këtë hap merr fund edhe era e Shrëderit në politikën gjermane.

default

Që prej mesit të javës që lamë pas mbyllet një kapitull i politikës gjermane. Me tërheqjen e Shëderit prej politikës gjermane, nga skena politike e vendit po largohet aktori kryesor i projektit mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve. Shtatë vjet me radhë Shrëderi drejtoi fatet e vendit, nxiti projekte të politikës socialdemokrate dhe ekologjike si dhe vendosi thekse në politikën e jashtme gjermane.

Por ç'po lë pas Shrëderi, i cili në fillim përqeshej si "kancelar i qejfit dhe i shakave"? Kritikët e tij thonë, se nuk po lë shumë gjëra pas, duke shtruar pyetjen, nëse taksat për ekologjinë, lejimi i martesave mes homoseksualëve apo heqja dorë graduale prej energjisë atomike, e kanë ndryshuar vërtet Gjermaninë. Të gjitha këto nuk e kanë ndryshuar vendin. Po ashtu Shrëderi nuk qe në gjendje që të zgjidhje problemet themelore të vendit, si papunësinë. Era e Shrëderit nuk do të hyjë në histori si periudha në pushtet e paraardhësit të tij, Helmut Kohl, që quhet si "kancelari i bashkimit të Gjermanisë". Megjithatë ai lë pas një amanet, i cili duhet nderuar. Shrëderi hodhi themelet për procese dhe ndryshime të tilla, të cilat paraardhësit e tij as që guxonin t'i zinin me gojë. Ai hapi dyer në të cilat Helmut Kohli as që guxonte të trokiste qoftë edhe fare lehtë.

"Kancelari i qejfit dhe i shakave" u shndërrua shumë shpejt në kancelar bindës të reformave. Një ndër programet transformues të shoqërisë gjermane është axhenda 2010, e cila thuajse e franksionoi partinë e tij, për shkak të reformave tepër të ashpra sociale që parashikon kjo axhendë. Duhet pranuar që zelli për reforma erdhi vonë dhe se projekti është ende në ndërtim e sipër dhe paraqet mangësi. Megjithatë është merita historike e Shrëderit që i filloi këto reforma. Me axhendën 2010 ai vuri gurin e themelit për një program refomash që kishte kohë që ishin bërë të domosdoshme.

Në politikën e jashtme do të mbetet para së gjithash në kujtesë rezistenca ndaj politikës amerikane në Irak. Kundërshtarët e kritikojnë edhe sot Shrëderin se refuzimi strikt ndaj luftës në Irak ishte thjesht për populizëm dhe i rëndoi pa nevojë marrëdhëniet me Uashingtonin. Por meqënëse ndërkohë edhe kundërshtarët politikë të Shrëderit e konsiderojnë si një mendim të tmerrshëm përfytyrimin për të dërguar ushtarë në Irak, kritikat janë më të përmbajtura. Tani thuhet se asokohe Shrëderi vetëm se kishte përdorur një ton të papërshtatshëm, por në thelb kishte pasur të drejtë. Shrëderi e përballoi konfliktin me superfuqinë përtej Atlantikut, dhe i rregulloi po vetë marrëdhëniet me SHBA.

Në fund të karrierës së vet politike Shrëderi i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm partisë së tij, duke e shpëtuar atë përmes një fushate elektorale fulminante. Po mos vallë Shrëderi kishte harruar të kujdesej për një pasardhës? Në vështrim të parë të krijohet kjo përshtypje. Megjithatë shpejtësia me të cilën Franc Myntefering paraqiti ekipin e kandidatëve socialdemokratë për postet e ministrave tregon se SPD nuk e ka të vështirë të reformohet edhe pas largimit të Shrëderit nga skena politike.

Me largimin e Shrëderit nga skena politike gjermane largohet një kancelar, i cili mori shumë vendime edhe i vetmuar, si rasti i zgjedhjeve të parakoshme. Forca e tij si kancelar qëndron në ndjenjën për t'i marrë seriozisht qytetarët dhe njerëzit e thjeshtë.

  • Data 15.10.2005
  • Autor Verica Spasovska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2a
  • Data 15.10.2005
  • Autor Verica Spasovska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2a