Kadsoulis ″Ky rast nuk tërhoqi vëmendjen e opinionit grek!″ | Ballkani | DW | 06.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kadsoulis "Ky rast nuk tërhoqi vëmendjen e opinionit grek!"

Në bisedë për radion Deutsche Welle Prof. Ilias Kadsoulis, sociolog në Universitetin e Athinës shprehet se tek populli grek si popull i vogël ekziston frika e mbipopullimit prej të huajve

Të huaj para zyrave të emigracionit në Greqi

Të huaj para zyrave të emigracionit në Greqi

Rasti i një videoje të ushtarëve grekë të një njësie speciale që këndonin këngë me përmbajtje ksenofobie ndaj shqiptarëve tërhoqi vëmendjen në opinionin e Shqipërisë, ndërkohë që në Greqi ky incident nuk u bë kaq i njohur. Në bisedë për radion Deutsche Welle, Prof. Ilias Kadsoulis, sociolog në Universitetin e Athinës shprehet se vetëm një gazetë ka raportuar mbi këtë ngjarje.

Prania në masë e të huajve në Greqi është diçka relativisht e re

Sipas Kodsolous: "Ksenofobia, e në radhë të parë në ushtri, ka në Greqi ashtu si edhe në çdo vend tjetër një farë tradite. Në Greqi dukuria e emigracionit është relativisht një dukuri e re. Ju e dini që dikur nga Greqia ka emigruar krahu i punës jashtë vendit, ndërkohë që sot vet Greqia është kthyer në një vend emigracioni. Prania në masë e të huajve në Greqi është diçka relativisht e re. Kjo ngjall një ndjenjë frike në Greqi.

Gjatë viteve të fundit, kam parasysh këtu periudhën pas rrëzimit të sistemeve komuniste në hapësirën e Ballkanit, kanë kanë ardhur në Greqi mëse një milionë emigrantë ilegalë. Me kalimin e kohës situata ka nisur të relativizihet dhe këto forca pune po bëhen gradualisht pjesë të jetës së përditshme në Greqi duke u pranuar në shoqëri. Dikur në Greqi ka qenë që grekët kishin shumë frikë se emigrantët mund t´u merrnin atyre vendet e punës dhe se ata mund të influenconin negativisht kulturën. Pra ekzistonte një lloj frike siç e njohim në Evropë. Por pasi një pjesë e madhe e emigrantëve janë legalizuar dhe kanë marrë leje pune dhe janë etabluar në vend, këta të huaj janë bërë pjesë e jetës greke."

Por përsa i përket arsyes, se përse ky rast nuk tërhoqi vëmendjen e opinionit në Greqi, Prof. Kadsoulis thotë:

"Kjo ngjarje në njësitë speciale të ushtrisë nuk ka tërhequr shumë vëmendjen, aq më tepër që të tilla veprime nuk ndodhin shpesh në Greqi, siç ka ndodhur në vitet 90-të. Në vitet 90-të konfrontimet mes grekëve dhe të huajve kanë qenë të përditshme. Ndërsa tani një gjë e tillë nuk ndodh. Shoqëria greke është ambientuar me praninë e emigrantëve dhe kësaj i shtohet dhe fakti që emigrantët kanë kontribuar shumë në të mirën e vendit. Ekspertët vlerësojnë se një pjesë e madhe e produktit kombëtar në Greqi realizohet prej të huajve."

"Në Greqi një gjë e tillë nuk merret kaq seriozisht"!

Kur flasim për shqiptarët dhe grekët në fakt dallimet kulturore nuk janë kaq të mëdha. Natyrisht që komunizmi ka influencuar në zhvillimet e ndryshme të këtyre vendeve, por nëse e shohim në aspektin historik Shqipëria dhe Greqia janë shumë më afër, se sa po të krahasosh p.sh. kulturën e Gjermanisë me atë të vendeve arabe, pasi në Gjermani jetojnë shumë emigrantë nga vendet arabe apo nga Turqia. Nga vjen kjo tendencë në ushtri, a është kjo një shenjë e shfaqjes së ndjenjës së ksenofobisë, apo janë këto veprime të marra të të rinjve. Në Gjermani me siguri që një veprimi të tillë do t´i kushtohej vëmendje me seriozitet. Por se si e sheh shoqëria në Greqi një ngjarje të tillë, Prof. Kadsoulis shprehet:

"Në Greqi një gjë e tillë nuk merret kaq seriozisht. Së pari sepse ushtria greke është e edukuar kështu, që ka si detyrë të mbrojë vendin nga sulmet e huaja. Pozita gjeografike e Greqisë është e ndryshme nga ajo p.sh. e Gjermanisë apo Francës. Greqia ka si trashëgimi historike armiqësinë me Turqinë. Pushtimi i gjatë i Greqisë prej Turqisë ka ngjallur dhe ka ngulitur frikë të madhe. Grekët kanë frikë se mund të sulmohen prej turqve.

Pas komunizmit ndodhi që Greqia ishte i vetmi vend me orientim perëndimor në rajon. Greqia ishte e rrethuar prej vendeve komuniste: Shqipëria, Bullgaria, Jugosllavia. Edhe kjo ka ngjallur e ngulitur ndenjën e frikës. Ushtria greke ishte për të mbrojtur vendin prej të gjithë këtyre popujve të huaj dhe armiqësorë. Por siç e kuptoj unë rasti në fjalë është një përjashtim. Këngë të tilla në këto kohë nuk janë tipike për ushtrinë greke. Ndonëse vazhdon të ekszitojë ndjenja e ksenofobisë, kjo nuk është një armiqësi për refuzimin e të huajve. Eshtë mund të them një lloj ksenofobie që ka të bëjë edhe me atë që populli grek është i vogël dhe ka frikë se mos mbipopullohet prej të huajve."

Eshtë interesant të dallohen dy tendenca: politika shqiptare ka reaguar duke u përpjekur që ta paraqesë këtë rast në mënyrë të moderuar, duke e quajtuar atë si një rast të veçuar dhe që nuk influencon marrëdhëniet midis dy vendeve. Tendenca tjetër është që nga përvoja gjermane e dimë, se ksenofobia është më e fortë atje ku kontakti me të huajt është më i pakët. Pra sa më shpejt që të intensifikohet ndërveprimi dhe komunikimi, aq më shpejt shuhet ksenofobia. Nëse kemi të bëjmë me një rast specifik që ka të bëjë me kulturën ushtarake në njësitë speciale, Prof. Kadsoulis për këtë:

"Njësitë speciale janë një rast më vete në ushtri, kjo dihet. Këto forca stërviten për të qenë agresive, në mënyrë që ato të jenë gjithmonë të gatshme të ndërhyjnë në situata të veçanta. Por kjo lloj kulture nuk praktikohet në njësitë e tjera dhe në sektorët e tjerë të ushtrisë."

  • Data 06.03.2007
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXw
  • Data 06.03.2007
  • Autor Fabian Schmidt
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXw
Reklamë