Kabineti Shrëder jep zyrtarisht lamtumirën | Gjermania | DW | 19.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Kabineti Shrëder jep zyrtarisht lamtumirën

Hapja dje në Berlin e sezonit të ri parlamentar shënoi dhe mbylljen zyrtarisht të periudhës legjislative të koalicionit qeverisës të socialdemokratëve dhe ekologjistëve.

Salla plenare e Bundestagut

Salla plenare e Bundestagut

Në Berlin u zhvillua të martën mbledhja konstituese e Bundestagut të ri. Me hapjen e sezonit të parlamentit të ri u mbyll zyrtarisht edhe periudha legjislative e koalicionit qeverisës të socialdemokratëve dhe ekologjistëve. Megjithatë deri në krijimin e qeverisë së re detyrat qeveritare do të mbulohen sërish nga qeveria e kancelarit Gerhard Shrëder.

Akti i mbylljes zyrtare të punës së qeverisë Shrëder u zhvillua të martën. Presidenti Horst Këler, i dorëzoi kabinetit të vjetër qeveritar dokumentin e lirimit nga detyra duke shprehur edhe mirënjohjen për punën shtatë vjeçare të qeverisë. Presidenti vlerësoi veçanërisht kursin e reformave të qeverisë së koalicionit mes socialdmeokratëve dhe ekologjistëve.

Reformat ishin të domosdoshme

Sipas presidentit, këto reforma ishin të domosdoshme në sfondin e konkurrencës globale dhe plakjes së shoqërisë. Kancelari Shrëder kërkoi zgjedhje të parakohshme për të siguruar mazhorancën për politikën e tij të reformave të përcaktuara në paketën "Agjenda 2010": "Të projektosh "Agjendën 2010" dhe ta zbatosh atë pavarësisht nga rezistenca e madhe kërkon guxim politik dhe angazhim maksimal në punë. Siç e dini unë e kam mbështetur vazhdimisht këtë kurs reformash, sepse ai është në shërbim të mirëqenies në Gjermani".

Puna shtatë vjeçare e koalicionit mes të kuqve dhe të gjelbërve ndodhej nën shenjën e kthesës mbarëbotërore. Në fillim qeverisë Shrëder iu desh të jetë përgjegjëse për angazhimin e ushtrisë gjermane, Bundesverit, përkrah forcave të NATO-s në luftën e Kosovës. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 Shrëder u angazhua për dërgimin e ushtarëve gjermanë në Afganistan. Por Shrëder refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në luftën e Irakut.

Kursi i reformave duhet vazhduar

Presidenti Horst Këler i bën thirrje qeverisë së re të koaliconit të gjerë që të vazhdojë të ndjekë kursin e reformave të nisura nga Shrëderi: "Do të jetë detyrë e një qeverie të re që ta formësojë rrugën e reformave dhe t´i zbatojë ato me konseguencë, saktësi dhe me maturi." Shrëder dhe ministrat e tij do të vazhdojnë punën deri në krijimin e qeverisë së re.

Ndërkohë gjatë tri javëve do të vazhdojnë bisedimet për marrëveshjen e koalicionit mes socialdmeokratëve dhe kritjandemokratëve. Siç kanë deklaruar kancelarja e ardhshme Angela Merkel dhe kryetari i socialdmeokratëve Franc Myntefering, nëse gjithçka shkon si duhet më 12 nëntor do të jetë gati të nisë punën qeveria e re.

Ndërsa seanca konstituuese e Bundestagut të martën, zgjodhi president të parlamentit kristiandemokratin Norbert Lamert. Pas një fillimi në një atmosferë mjaft pozitive, seanca përfundoi megjithatë me një skandal. Gjatë votimit për dy nënpresidentët në dy raunde deputetët votuan kundër kandidatit të partisë së majtë Lotar Biski. Arsyeja ka të bëjë me të kaluarën e tij në ish-RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë). Presidenti Lamert u detyrua ta mbyllë seancën për t´u lënë kohë deputetëve që të mendohen.

  • Data 19.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2Y
  • Data 19.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2Y