Ka ardhur koha për negociata direkte midis SHBA dhe Iranit | Politika | DW | 19.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ka ardhur koha për negociata direkte midis SHBA dhe Iranit

Bisedimet për kërcënimet eventuale me sanksione në grindjen atomike me Iranin kaluan të martën pa arritur ndonjë rezultat. Sipas të dhënave amerikane konsultimet kanë vazhduar të mërkurën. Deri tani në tryezën e bisedimeve ndodhen përballë njëra-tjetrës pesë fuqi me të drejtë vetoje në KS të OKB-së, SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca - si dhe Gjermania. Tani, sipas një informacioni të CNN, me këtë grup do të bashkohen edhe Kanadaja dhe Italia.

Kohë nuk mbetet më tepër, për ta nxitur Teheranin për koncesione, të cilat ai nuk është i gatshëm t'i bëjë: më 28 prill më e vonta Irani duhet të ketë hequr dorë nga pasurimi i uraniumit, përndryshe...Përndryshe çfarë?

Me këmbëngulje amerikane KS të OKB-së e vendosi këtë ultimatum të hapur, dhe sa më pranë që afrohet data, aq më e qartë bëhet se Irani nuk do të lëshojë pe. Jo para 28 prillit dhe as më pas. Përkundrazi: presioni nga Uashingtoni ka kontribuar edhe më fort që Teherani të shpallë zyrtarisht pasurimin e suksesshëm të uraniumit.

Raundi më i fundit i konsultimeve në grindjen atomike me Moskën tani nuk solli gjë: anëtarët e përhershëm të KS të OKB-së dhe Gjermania nuk mundën të bien dakord për sanksione kundër Iranit, sepse Rusia dhe Kina i refuzojnë masa të tilla.

Në Uashington kjo duhet të qe parashikuar, sepse pikërisht për këtë arsye KS të OKB-së nuk arriti më parë të merrte një vendim të unisuar- me përjashtim të vendimit për t'ia kaluar topin sërish Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore. Por kontrollorët rreth shefit të IAEA Mohamed el Baradei nuk e vështrojnë veten si zbatues të politikës amerikane ndaj Iranit: ata e dinë shumë mirë se Irani si anëtar i marrëveshjes së mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë deri tani vepron në mënyrë fare legale dhe se në rastin më të mirë mund t'i bëhet thirrje vetëm vullnetit të mirë të Teheranit, për ta eleminuar mosbesimin e botës së jashtme duke hequr dorë vullnetarisht.

Për këtë, Teherani nuk është i gatshëm. Dhe sa më shumë vringëllijnë shpatat në Uashington, aq më e vogël bëhet mundësia që Irani të ndryshojë qendrim. Administrata amerikane vërtet e hodhi poshtë lajmin e gazetarit të Nju Jorkut Sejmor Hersch, se po përgatit strategji lufte kundër këtij vendi - deri në përdorimin e armëve atomike taktike. Presidenti Xhorxh Bush fillimisht e përcolli këtë informacion në fushën e fantazisë, për të kërcënuar tani vetë me përdorimin e armëve atomike. A mund të cuditesh nga fakti që Teherani cdo ditë demonstron aftësinë e tij për mbrojtje duke lëshuar shprehje të forta kundër sulmuesve potencialë?

Nëse ka një rrugëzgjidhje nga kjo situatë, atëherë celësin për të e ka Uashingtoni: në vend që të kërcënojë cdo herë hapur me dhunë, SHBA duhet të kapërcejnë mbi veten dhe të zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta me Teheranin. Parimisht u ra dakord për biseda për Irakun, por të cilat pastaj u shtynë nga Uashingtoni. Edhe senatorët amerikanë i bëjnë thirrje presidentit Bush për negociata të drejtpërdrejta. Dhe qëndrimi misterioz i një zyrtari të lartë iranian këto ditë në Uashington tregon edhe se negociata të tilla do të ishin të mundura.

Pavarësisht nga kritikat masive për politikën e tij të dështuar në Irak, Bushi me sa duket po e shtyn vendin në një konflikt të ri. Kjo në një kohë kur të gjithë janë të të njëjtit mendim se SHBA në rastin e Iranit përfundimisht do të mbivlerësonin mundësitë që kanë. Dhe se rrëzimi do të bëhet gjithnjë e më i fortë, sa më fort që u bie trompetave të luftës më parë. Uashingtoni nuk di si mund të largohet në njëfarë mënyre me nder nga Iraku. Prandaj nuk duhet të sajojë një konflikt të ri ushtarak- këtë herë me Iranin. Vetë presidenti Bush flet herë pas here për një "zgjidhje diplomatike" - ai ndoshta e di se diplomacia nuk ndiqet me bomba taktike atomike.

  • Data 19.04.2006
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqI
  • Data 19.04.2006
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqI