Këshilltari i Bush-it: Trump të konsultohet me avokatin | Bota | DW | 27.01.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Këshilltari i Bush-it: Trump të konsultohet me avokatin

Re të zeza rreth Donald Trump-it. Një tjetër i besuar i tij ndodhet para drejtësisë. Aktakuza kundër Roger Stone- provë për lidhjet me Rusinë, thotë këshilltari ligjor i ish-presidentit Bush në bisedë me Deutsche Wellen.

Ndaj Roger Stone-t, prej vitesh njeri i besuar i presidentit amerikan, Donald Trump është ngritur akuza në kuadër të hetimeve për aferën me Rusinë gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016. Të premten në mëngjes, nëpunës të FBI-së trokitën në shtëpinë e Roger Stone në Florida për ta arrestuar. Pak orë më vonë ai doli para gjykatës dhe u lirua me kusht.

Deutsche Welle: Richard Painter, ju keni qenë këshilltar ligjor i presidentit amerikan, George W. Bush. Si e vlerësoni arrestimin e Roger Stone dhe akuzën e ngritur, çfarë do të thotë kjo për vetë Donald Trump?

Kjo është një provë e qartë për bashkëpunimin e punonjësve të nivelit të lartë të ekipit të Trumpit dhe Wikileaks në fushatën zgjedhore 2016 për të arritur tek ato dokumente, që ishin vjedhur nga rusët. Natyrisht që ka të dhëna të tjera për bashkëpunim mes ekipit zgjedhor të Trumpit dhe rusëve. Por tani duket se qarku po mbyllet, po bëhet e qartë, se ekipi zgjedhor i Trumpit ka punuar me rusët për të marrë E-mailet që iu vodhën Hillary Clinton dhe DNC (Partisë Demokratike, shën red.)

Në akuzën e ngritur nuk përmendet emri i Trumpit. A mund të pasojë kjo?

Patjetër e kjo prek si presidentin e punonjësit e nivelit të lartë në fushatë, por edhe me gjasë (dhëndrin e Trumpit) Jared Kushner dhe djalin e Trumpit, që në grataçelën e Nju Jorkut u bënë bashkë me rusët e folën për atë se si mund të arrinin në materiale që dëmtonin Hillary-n(Clinton). Tani gjërat po mblidhen, një situatë kritike për Donald Trump.

Në akuzë thuhet se „një punonjës me funksion drejtues i ekipit zgjedhor të Trumpit kishte porosinë të furnizonte Stone me informacione, që mund të dëmtonin fushatën e Clintonit". Kush mund të jetë ky punonjës?

Këtë nuk e dimë. Ka spekulime se ishte Steve Bannon, por saktësisht nuk e di askush. Steve Banon punoi ngushtë me Cambridge Analytica dhe grupe të tjera që kontrollonin me informacione aktivitetet zgjedhore të Trumpit.

A është kjo aktakuza më e fortë që ka ngritur hetuesi Robert Mueller?

Kjo është me siguri një nga akuzat më të rëndësishme. Kujtojmë se menaxheri i fushatës së Donald Trumpit, Paul Manafort u akuzua dhe dënua. Rick Gates, përfaqësuesi i tij u akuzua dhe dënua. Avokati i Trumpit, Michael Cohen i arrestuar dhe akuzuar, kërkon të shpallet i pafajshëm. E pastaj kemi edhe punonjës të tjerë të afërt të presidentit që janë shpallur fajtorë për aktivitete kriminale serioze. Prandaj kjo aktakuzë e re është shumë shumë e rëndësishme.

Po çfarë do të thotë kjo dhe sa e rrezikshme është për vetë presidentin?

Në radhë të parë është e rrezikshme për Shtetet e Bashkuara. Sa më shumë t'i afrohen autoritetet e drejtësisë Trumpit, familjes së tij dhe punonjësve të afërt, aq më shumë rritet shqetësimi, se sjellja e tij mund të bëhet më iracionale. Kjo është e rrezikshme, në fund të fundit ai ka kontrollin mbi armët bërthamore dhe pushtetin që ka një president.

Ju thatë se aktakuza kundër Stone po e mbyll qarkun. Çfarë prisni tjetër nga Robert Müller?

Pres që në radhë të jetë personi i kontaktit të ekipit zgjedhor të Trumpit. Mes të dyve ka qartësisht një komplot. Mendoj se kjo do të pasojë shpejt. E kemi edhe punonjësit e tjerë të ekipit të fushatës zgjedhore dhe vetë presidentin Trump që kanë marrë pjesë në pengimin e drejtësisë.

Ju keni qenë këshilltar i një presidenti. Nëse do të ishit sot këshilltar i Trumpit, çfarë do t'i thonit?

Ai duhet të konsultohet me avokatin e tij personal. Kam qenë këshilltar ligjor për çështjet e etikës në Shtëpinë e Bardhë nën presidentin Bush. Por këtë kohë presidenti Trump duhet të flasë me avokatin e tij personal, sepse ai dhe anëtarë të familjes së tij do të përballen me probleme të mëdha që do të dalin nga hetimet e drejtësisë. Ky zhvillim duhet ta bindë Trumpin që të bashkëpunojë me përfaqësues të drejtësisë në nivel federal dhe të shtetit të Nju Jorkut që interesohen për të dhe familjen e tij. Ai duhet të synojë një ujdi, që ndoshta ka gjasë t'i ofrojë në këmbim të trajtimit të butë që të dorëhiqet. Do të ishte mirë për të gjithë, nëse ai arrin të mbyllë një ujdi me akuzën.

 Richard Painter, Juraprofessor und Ex-Ethikanwalt (University of Minnesota Law School)

Richard Painter

Aktakuza kundër Roger Stone është akuzë dhe jo vendim i gjykatës. Nëse e shihni aktakuzën dhe provat që ka paraqitur ekipi i Müllers, sa të besueshme janë të gjitha këto?

Duket shumë bindëse. Ekipi i Müllerit ka punuar me shumë kujdes, disa thonë madje, shumë ngadalë. Por nëse arrijnë të ngrenë një akuzë, atëherë ata duan të jenë të sigurtë, se e kanë mbledhur çdo gjë që duhet. Të mos harrojmë ata kanë histori suksesi, kur vjen puna tek pranimi i fajit dhe dënimet. Nuk mendoj se ata do të kishin paraqitur një aktakuzë të tillë, nëse nuk do të kishte pasur prova absolutisht bindëse.

Richard Painter ka qenë këshilltar i etikës në Shtëpinë e Bardhë nën Presidentin George W.Bush nga viti 2005-2007. Ai është profesor i juridikut në Universitetin e Minnesotas dhe anëtar i kryesisë së Organizatës Qytetare për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington që i kushtohet luftimit të korrupsionit në qarqet qeveritare.

 

 

Bisedën e zhvilloi Michael Knigge