Kërkesa e QUINT për dialogun: Kosova e Serbia nuk ndryshojnë qëndrim | Ballkani | DW | 14.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kërkesa e QUINT për dialogun: Kosova e Serbia nuk ndryshojnë qëndrim

Prishtina zyrtare u shpreh, se me Beogradin mund të dialogojnë vetëm si dy shtete të pavarura. Serbia pas thirrjes së ambasadorëve të QUINT, tha se do të vazhdojë të mbrojë interesin e saj kundër pavarësisë së Kosovës.

Prishtina dhe Beogradi zyrtar nuk duket se do të lëvizin nga qëndrimet e tyre edhe pas kërkesës së vendeve të QUINT-it që të rinisin dialogun për përmirësimin e marrëdhënieve me qëllim arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. QUINT, përmes një letre zyrtare i kërkoi Prishtinës heqjen e taksave ndaj produkteve serbe, ndërsa Serbisë i kërkoi që të ndalë aktivitetin kundër dhe për heqjen e njohjeve të Kosovës. Qeveria e Kosovës e udhëhequr deri tani nga kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, thotë se "taksa është vendim i drejtë dhe dialogun nuk e ka ndërprerë pala kosovare”.

Deklarata e Haradinajt: Taksa ishte e nevojshme

"Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht kryeministri Haradinaj gjithmonë ka punuar dhe ka qenë i qartë, në të drejtën e Kosovës për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e vendit. Kësisoj, vendimi për vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe BH-së ka qenë veprim i nevojshëm në shërbim të mbrojtjes së interesave të Kosovës, nga veprimet armiqësore dhe kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë kundër shtetit dhe institucioneve të Kosovës. Në vazhdimësi e kemi thënë tregu për njohje dhe këtë qëndrim vazhdojmë ta kemi”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga ana e tij, thotë se Kosova e mirëpret ndihmën e shteteve perëndimore për dialogun, por, ai kërkon nga BE-ja që të parandalojë tentativat serbe për destruktivitet në Kosovë.

"Ne duhet t'i mbrojmë interesat e Kosovës, por nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë pa partnerët tanë strategjikë. Prandaj, mirëpresim përpjekjet e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë për zhvillimin e dialogut. Megjithatë, ne kërkojmë nga BE që ta parandalojë financimin e strukturave paralele në Kosovë nga Qeveria e Serbisë, të ndalojë projektet kolonizuese serbe përmes ndërtimit të lagjeve në Veri, të lejohet rindërtimi i shtëpive të djegura, atje ku shqiptarët jetonin para vitit 2001, si dhe të dënohen kriminelët dhe përdhunuesit serbë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, shkroi në profilin e tij kryetari i Kuvendit.

Sipas Kadri Veselit, Kosova asnjëherë nuk e ka penguar dialogun.

"Madje jemi shprehur të gatshëm të ulemi në tavolinë, për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme, në kufijtë ekzistues dhe që çon në njohje reciproke. Ky proces nuk duhet të jetë i kushtëzuar”, thotë Veseli.

Reagimi i Beogradit zyrtar

Nga ana e tij Beogradi zyrtar thotë, se Serbia do të vazhdojë t'i mbrojë interesat e saj, dhe kërkon nga QUINT-i që mos të baraspeshohen gjërat. "Nuk mund të ketë një akt balancimi artificial, sepse nuk është njësoj kur dikush mbrohet nga anëtarësimi i kundërligjshëm në organizata ndërkombëtare dhe kur dikush shkel marrëveshjen e CEFTA-s dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare”, deklaroi në Beograd në një konferencë për medie kreu i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq pas publikimit të letrës nga QUINT-i. Megjithatë ai thotë se dialogu duhet të vazhdojë, por pas heqjes së taksës nga Prishtina.

Marko Djuric (picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic)

Marko Gjuriq

"Dialogu duhet të vazhdojë pas heqjes së taksës, por është e qartë tendenca të krijohet një lloj i baraspeshës, që në mënyrë artificiale të barazohet shkelja e marrëveshjes së CEFTA-s nga Kosova duke vendosur taksë, pengimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave me reagimet e detyrueshme të Serbisë si parandalimi i anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, e nxitur nga sjellja e politikës së jashtme të Kosovës, të cilët kishin marrë mbështetje nga shtetet që kërkuan rinisjen e dialogut”, tha Marko Gjuriq. "Serbia do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Gjuriq.

Pas deklaratës së Marko Gjuriq reagoi menjëherë shefi i diplomacisë kosovare Behxhet Pacolli, duke thënë se "Serbia nuk është e interesuar për dialog”.

Pacolli: Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin

"Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t'i dhënë fund asaj”, shkroi në profilin e tij Pacolli. Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë por vetëm në kushte të barabarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane, ka thënë Pacolli.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që e kanë ndërprerë dialogun. Aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që bënë që të ndërpritet ky dialog. Kosova në këtë fazë po përgatitet për të hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Më 22 gusht kryesia e Parlamentit të Kosovës ka vendosur që të mbahet një seancë për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës. Pas kësaj, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.