Kënaqësi po, eufori jo | Bota | DW | 18.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Kënaqësi po, eufori jo

Samiti Ndërkombëtar për Informacionin në Tunizi i përmbushi vetëm pjesërisht pritjet

Qendra e Kongreseve në Tunizi ku u mbajt Samiti Ndërkombëtar mbi Informacionin

Qendra e Kongreseve në Tunizi ku u mbajt Samiti Ndërkombëtar mbi Informacionin

Këtë javë në Tunizi u zhvillua i ashtuquajturi samiti ndërkombëtar mbi informacionin. Në axhendën e punimeve ishin si instancat më të larta mbikqyrëse mbi internetin ashtu edhe strategjitë për t'i mundësuar sa më shumë njerëzve aksesin në teknologjitë e reja.

Stuhia u fashit. Samiti ndërkombëtar mbi informacionin po përfundon dhe atmosfera është në përgjithësi e mirë megjithëse fillimi i punimeve u shoqërua me bubullima. Veçanërisht pyetja se si do të administrohet në të ardhmen interneti pati shkaktuar pakënaqësi në sferat më të larta politike. E tani në fytyrat e pjesëmarrësve rrezaton kënaqësia. Kur qeveritë, ekonomia dhe shoqëria civile ulen së bashku nuk është e thënë të krijohet me doemos një përzierje eksplozive.

Samiti nxorri në pah dy fakte të rëndësishme. Së pari: vetëm atëherë kur sigurohet aksesi në informacion mund të vihen nën kontroll problemet më të mëdha të globit. Dhe së dyti: veprimet e njëanshme nuk janë në interes të të interesuarve. Qeveritë dhe ekonomia duhet të kuptojnë se mund të përfitojnë shumë nga potenciali krijues i shoqërisë civile. Nga ana tjetër edhe shoqëria civile duhet të jetë e vetëdijshme se ka nevojë për qeveritë dhe ekonominë.

Pikëpamja se ShBA janë fituesit e vërtetë të samitit është e vërtetë vetëm pjesërisht. Ato triumfuan me qëndrimin e tyre për të ruajtur kontrollin mbi administrimin e internetit megjithë protestat e forta edhe nga ana e BE-së. Por edhe këtu nuk është thënë fjala e fundit. Vlen të theksohet se qeveria e ShBA ka pranuar një kërkesë të hershme të shoqërisë civile: krijimin e një forumi në të cilin qeveritë bashkë me ekonominë private dhe shoqërinë civile të diskutojnë çështje qëndrore të internetit.

Kush priste nga samiti një kthesë rrënjësore duhet të ndihet tani i zhgënjyer. Por zgjidhjet pllakative nuk janë realiste në çështje të tilla të vështira. Para së gjithash bëhet fjalë për zhvillimin e një vetëdije për problemet e shoqërisë së informacionit.
Një shëmbull për këtë është censura e internetit. Ajo duhet luftuar me këmbëngulje dhe në këtë aspekt bashkësia ndërkombëtare duhej të kishte treguar në samit më shumë vullnet për të vepruar. Mikëpritësit të takimit, qeverisë tuniziane, duhej t'i ishte dhënë një kritikë e qartë. Censura e internetit ushtrohet pa drojë prej saj.

Në aktivitetet e shumta që u zhvilluan paralelisht me pjesën zyrtare të samitit u bë gjithashtu e qartë se teknologjia e informacionit nuk duhet të kthehet në qëllim në vetvete. Çfarë vlere kanë handy-t shumëngjyrësh apo kompjuterat shumë të vegjël nëse njerëzit kanë vështirësi në përdorimin e tyre?

Në përfundim mund të thuhet se kënaqësia për rezultatet e samitit të Tunizisë është me vend por euforia në asnjë mënyrë. Takimi nuk solli asnjë propozim konstruktiv mbi pyetjen se si mund të financohet e ardhmja digjitale në vendet e varfëra. Gjithashtu e paqartë mbeti e ardhmja e forumit mbi internetin: çfarë do të ndodhë mbas Tunizisë, ç'pamje do të ketë konkretisht forumi i rradhës? Ura mbi hendekun digjital ende nuk është ndërtuar por të paktën hartimi i planeve për të ka filluar.

  • Data 18.11.2005
  • Autor Steffen Leiden
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNI
  • Data 18.11.2005
  • Autor Steffen Leiden
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArNI
Reklamë