1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110111 EU Ungarn

12 Janar 2011

Fraksioni liberal në Parlamentin Evropian mbajti ditën e hënë një seancë dëgjimore për ligjin e kontestueshëm hungarez të mediave. Komisioni Evropian do të kontrollojë nëse se ligji shkel të drejtën evropiane.

https://p.dw.com/p/zwQb
Komisioni Evropian do të kontrollojë nëse ligji shkel të drejtën evropiane.Fotografi: picture-alliance/dpa

Shprehja e gatishmërisë nga kryeministri hungarez Viktor Orban, që në rast nevoje të ndryshojë ligjin e mediave, nuk i zbuti aspak kundërshtarët. Miklos Haraszti ka qenë bashkëthemelues i lëvizjes hungareze të opozitës para kthesës politike dhe më vonë i ngarkuar nga OSBE me lirinë e shtypit. Ai tha me ironi se me ligjin për mediat nuk ushtrohet censurë.

„Ligji nuk do të thotë censurë, ai do të thotë vetëcensurë. Këtu është duke u luajtur me frikën. Kur ngrihet një dhomë torture, dëshira është që ajo të mos vihet fare në punë. Kështu funksionon kudo në lindje të Kievit."

Shkrimtari hungarez György Konrad
Shkrimtari hungarez György Konrad kritikoi qeverinë hungareze për ligjinFotografi: AP

Shkrimtari hungarez György Konrad, nuk mundi të shkonte në Bruksel për shkak të gjendjes shëndetësore prandaj dërgoi një mesazh me video. Në të ai lante hesapet me qeverinë hungareze. „Mbase ishte grusht shteti (kështu thuhet) shpejtësia me të cilin nxirren këto ligje, me të cilin u nxorr edhe ky ligj, pa folur më parë me botën e mediave dhe të botuesve."

Sigurisht, që si avokat të palës kundërshtare liberalët kishin thirrur deputetin evropian nga Hungaria György Schöpflin, i cili është anëtar i partisë Fidesz, parti në pushtet. Fillimisht ai u ankua pse nuk ishte thirrur të flasë asnjë anëtar i qeverisë hungareze. Ashtu si politika edhe mediat kanë pushtet, tha Schöpflin. Ky pushtet duhet kontrolluar. „Hungaria është duke u mbytur nga orteku mediatik, i cili ka dalë krejtësisht nga kontrolli. Dhe pjesa më e madhe e hungarezeve e sheh këtë ortek si sulm mbi Hungarinë nga vendet e tjera."

Prandaj kritikat rrisin "skepticizmin ndaj Evropës dhe forcojnë të djathtën ekstreme," thotë politikani evropian.

Der ungarische Politiker Gyorgy Schöpflin
Politikani hungarez Gyorgy SchöpflinFotografi: schopflingyorgy.hu

Komisarja Evropiane përgjegjëse për mediat digjitale, Neelie Kroes, ia ka shprehur qeverisë hungareze dyshimet e saj për ligjin në fund të vitit të kaluar me anë të një letre. Ajo pyet për shembull për pavarësinë e organit kontrollues. Në të bëjnë pjesë kryesisht anëtarë të partisë Fidesz ose njerëz të tjerë të afërt me të. Si problematike ajo sheh edhe se kërkesa e detyrueshme për "raportim të balancuar" është përpiluar në mënyrë shumë të zgjeruar dhe vlen madje edhe për bloggerat me video.

„Ligji i ri i mediave shtron pyetje të tjera politike, që kanë të bëjnë me lirinë e shtypit. Dhe liria e shtypit bën pjesë tek parimet themelore të shoqërive demokratike dhe është përfshirë në paktet evropiane dhe në kartën e të drejtave themelore të njeriut të BE-së."

Por Kroes kërkoi fillimisht durim. Komisioni Evropian do ta kontrollojë me themel dhe me objektivitet ligjin e ri të mediave në Hungari. Vetëm atëherë mund të thuhet nëse nuk është në përputhje më të drejtën evropiane.

Autor: Christoph Hasselbach / Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj