1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohen ende të mbijetuar - Pas fatkeqësisë së Costa Concordias

16 Janar 2012

Pse kapiteni lundroi në një territor të rrezikshëm? Hetimet e fundit mbi fatkeqësinë e fundjavës në ujërat italiane rëndojnë edhe më tej kapitenin e "Concordia"-s.

https://p.dw.com/p/13kFn
Kapiteni Francesco Schettino
Kapiteni Francesco SchettinoFotografi: dapd

Pas havarisë së "Costa Concordia" janë shtuar dëshmitë që tregojnë se kapiteni ka bëtë gabime të mëdha. Ai ka lundruar shumë afër bregut dhe është përplasur me të duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave.

Kryqëzori ka lundruar shumë afër ishullit italian Giglio duke u futur kështu në një territor të rrezikshëm, njofton "European Cruiser Association" (Eucras) në ëiesbaden duke iu referuar të dhënave të navigimit. "Ky kurs nuk duhet të ishte marrë." Sipas njoftimeve të mediave, kapiteni Francesco Schettino e ka afruar anijen luksoze deri në 150 metra afër bregut. Ndoshta ai ka dashur të përshëndesë banorët e ishullit duke i rënë borisë. Dëshmitarë okularë në Giglio thanë se nuk e kishin parë "Costa Concordian" asnjëherë kaq afër bregut.

Vetë shoqëria operatore Costa Crociere me qendër në Genova u distancua nga kapiteni dhe pranoi: "Duket se komandanti ka bërë gabime në gjykim, gjë që shkatoi pasoja të rënda". Costa shprehu njëkohësisht "keqardhje të thellë mbi këtë aksident të tmerrshëm."

Skuadrat e shpëtimit
Skuadrat e shpëtimitFotografi: dapd

Harta të gabuara lundrimi?

Në paraburgim, kapiteni Francesco Schettino ka deklaruar se anija është përplasur me shkëmbinj, të cilët nuk janë treguar në hartën e tij të lundrimit. "Një shkëmb i tillë nuk duhet të ndodhej fare atje." Prokuroria është duke zhvilluar hetime kundër kapitenit ndër të tjera edhe për vrasje. Edhe kundër oficerit të parë janë duke u zhvilluar hetime, njofton agjencia e lajmeve Ansa.

Kapiteni 52 vjeçar akuzohet po ashtu se është parë në tokë në momentet kur evakuimi ndodhej në kulmin e tij. Atij i është kërkuar të zbatojë detyrën dhe të kthehet në anijen që ishte duke u mbytur, tha një përfaqësues i rojeve detare italiane. Por kapiteni e pati injoruar këtë kërkesë. Vetë Schettino pohon se ka qëndruar deri në fund në anije.

Costa Concordia
Costa ConcordiaFotografi: REUTERS

14 vetë ende të humbur

"Costa Concordia", që kishte 4200 pasagjerë dhe anëtarë ekipi në bord, u përmbyt ditën e premte, në fillim të një lundrimi tetëditor në Mesdhe. Deri tani janë nxjerrë gjashtë të vdekur. Të paktën 14 vetë vlerësohen ende si të humbur, mes tyre edhe disa gjermanë. Pjesa më e madhe e 560 pasagjerëve gjermanë janë kthyer ditën e shtunë me avionë apo autobusë në shtëpi, bëri të ditur organizatori i udhëtimit. 

Autor: Christian Walz / Aida Cama (dapd, dpa)

Redaktoi: Lindita Arapi