Jung: Stabiliteti në Kosovë i rëndësishëm për suksesin e bisedimeve mbi statusin | Ballkani | DW | 06.09.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Jung: Stabiliteti në Kosovë i rëndësishëm për suksesin e bisedimeve mbi statusin

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung së fundi zhvilloi një tur vizitash në Bosnje dhe në Kosovë. Ai duke vlerësuar misionin e Bundesverit, ushtrisë gjermane në Ballkan, është shprehur se ka vënë re një linjë të qartë të stabilizimi në Kosovë.

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc-Jozef Jung

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc-Jozef Jung

Deutsche Welle: Përpara pak muajsh u përforcuan trupat e KFOR-it në Kosovë, aktualisht Bundesveri ka atje gati 3.000 ushtarë. Duke u nisur nga ky fakt gjendja s´mund të konsiderohet e stabilizuar. Si është gjendja në terren dhe çfarë keni parë ju atje?

Franc Jozef Jung: Synimi ishte që t´u jepet një mbështetje shtesë bisedimeve për statusin dhe që të ketë më shumë stabilizim në Veri të rajonit, në mënyrë që gjatë bisedimeve për statusin të garantohet stabiliteti. Besoj, se kjo është e rëndësishme edhe për suksesin e këtyre bisedimeve.

Deutsche Welle: A do të thotë kjo, se kur ju keni biseduar me përfaqësuesit e Kosovës apo të UNMIK-ut, keni folur edhe për statusin, apo në qendër të vëmendjes ka qenë vetëm siguria?

Franc Jozef Jung: Jo, ne kemi folur edhe për bisedimet mbi statusin dhe mund të them, që shpresojmë dhe dëshirojmë, që Marti Ahtisari të ketë sukses. Sepse rezultatet pozitive të bisedimeve mbi statusin do të çojnë përpara proceset në Kosovë në një drejtim vendimtar, si në interes të zhvillimit ekonomik të rajonit, por edhe në interes të perspektivës evropiane. Këto mendoj, se janë çështje të rëndësishme edhe për njerëzit. Ndenja ime është, që njerëzit duan të jetojnë së bashku dhe kanë nevojë për kuadrin e domosdoshëm politik, për të garantuar edhe të ardhmen.

Deutsche Welle: Ju thoni, njerëzit duan të jetojnë së bashku, por faktikisht edhe përfaqësuesit ndërkombëtar ankohen për ndarjen jo "de jure", por praktikisht të Kosovës, sepse shumica shqiptare dhe pakica serbe s´kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Si i shihni ju mundësitë për përmirësim në këtë drejtim?

Franc Jozef Jung: Këtë që përshkruani ju unë nuk e kam kosntatur tek popullsia. Mund të them, se ne shpresojmë dhe dëshirojmë që Marti Ahtisari të jetë i sukseshëm. Ne e mbështesim atë në përpjekjet e tij, që të arrihet në një zgjidhje të mirë të çështjes së statusit.

Deutsche Welle: Bosnje-Hercegovina, ku Bundesveri ka dislokuar ushtarët e vet, ndodhet në prag të zgjedhjeve. Në valën e këtyre zgjedhjeve situata politike është radikalizuar. Përfaqësuesit politik të të gjitha etnive flasin me tone më të ashpra. A shihni rrezikun për një destabilizim të mëtejshëm në Bosnje?

Franc Jozef Jung: Unë shpresoj, që situata pas zgjedhjeve të ndryshojë sërish. Edhe në vende të tjera ndodh që lufta elektorale shkakton përplasje më të forta. Ndaj shpresoj, që pas zgjedhjeve të krijohet një tjetër situatë dhe që të ketë zhvillime pozitive në Bosnje-Hercegovinë. Unë jam optimist, veçanërisht edhe pas bisedimeve që pata me përfaqësuesin ndërkombëtar Kristian Shvarc-Shiling. Edhe Bosnje-Hercegovina ka nevojë për një perspektivë evropiane, ndaj besoj, që është në interes të njerëzve që jetojnë atje, që pas zgjedhjeve zhvillimet të marrin drejtimin e duhur.

  • Data 06.09.2006
  • Autor Filip Sllavkovic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arcw
  • Data 06.09.2006
  • Autor Filip Sllavkovic
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arcw
Reklamë