Jung: Ne nuk jemi okupues në Afganistan, por çlirues | Evropa | DW | 09.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Jung: Ne nuk jemi okupues në Afganistan, por çlirues

Ministrat e mbrojtjes së NATO-s u mblodhën në qytetin spanjoll Sevilla për të biseduar mbi strategjinë e ardhshme në Afganistan. Në qendër të bisedimeve të 26 shteteve anëtare qëndron ofensiva e pranverës së talebanëve

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung

Ministri gjerman i mbrojtjes, Franc Jozef Jung

Ofensiva e paralajmëruar e milicëve radikalë talibanë do të hasë një trupë të përgatitur të NATO-s. Ministri i ri amerikan i mbrojtjes, Robert Gates tha se NATO duhet të ndërmarrë çdo hap ushtarak për të përfunduar rrezikun në jug dhe lindje të vendit. Edhe ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung pohoi:

"Talebanët kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një ofensivë me 2.000 atentatorë vetëvrasës. Meqënëse jemi përgjegjës për sigurinë duhet të jemi në gjendje të vetëmbrohemi si NATO, në mënyrë që rindërtimi i vendit të ndodhë në mënyrë stabile."

Por 26 ministrat e NATO-s nuk janë të sigurtë nëse ISAF me 33.000 ushtarët e tij ka aq trupa në dispozicion, që të fillojë një ofensivë ushtarake. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer u bëri edhe njëherë thirrje me shkrim 26 ministrave që ta mbajnë fjalën për trupat që do të vënë në dispozicion.

Ushtarët gjermanë do të stacionohen vetëm në veri të Afganistanit, ku situata është e qetë. Por kanadezët, britanikët, danezët dhe hollandezët, të cilët luftojnë në jug, e kritikojnë ashpër këtë gjë. Ministri gjerman i mbrojtjes Jung tha se në Afganistan nevojitet mbi të gjitha një strategji për rindërtimin: "Mendoj se nuk duhet të flasim gjithmonë vetëm për mjete ushtarake, por që të ndërlidhim sigurinë me rindërtimin. Kur rusët ndodheshin aty, ata kishin 100.000 ushtarë dhe prapë nuk arritën ta fitojnë procesin. Ne nuk jemi okupues në Afganistan, por çlirues. Ne jemi aty që ta ndihmojmë popullin dhe ta mbështesim. Ne duhet ta fitojmë besimin e popullit."

Ministri gjerman i mbrojtjes i shpjegoi kolegevë të tij në Sevilla, se Gjermania do të dërgojë në prill 6 aeroplanë ushtarakë të tipit Tornado në Afganistan. Por fakti se jo të gjitha të dhënat që zbulojnë këta aeroplanë, do të përdoren në luftë, ka shkaktuar reagime kritike nga NATO.

Ministri danez i mbrojtjes Sören Gade kërkoi trupën e shpejtë të NATO-s, të ashtuquajtur NRF, e cila përbëhet nga 20.000 ushtarë. Kjo forcë duhet t´i mbështesë trupat ushtarake në Afganistant. Kjo është një çështje solidariteti, tha ai. Por kolegu i tij gjerman Jung e kundërshtoi. Trupat speciale të NATO-s, NRF janë krijuar për situata krizash, dhe jo për misione afatgjata si në Afganistan.

Udhëheqësi i ri i NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan John Craddock, i kujtoi ministrat se në Afganistan mungojnë rreth 2000 ushtarë, si edhe helikopterë dhe aeroplanë transportues. "Ne nuk do të fillojmë të lypim këtu", tha zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s John Colston, "por ne presim që partnerët tanë t´i marrin seriozisht në konsiderartë propozimet e gjeneralit Craddock dhe t´i përmbahen përgjegjësive të tyre."

  • Data 09.02.2007
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8u
  • Data 09.02.2007
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8u