1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Juncker: "Të hapen rrugë legale për migrimin në Evropë"

28 Nëntor 2017

Përballë "tregtisë skllavërore" me migrantë në Libi, BE nuk duhet të heshtë, thotë Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në intervistë me DW dhe kërkon më shumë migrim legal në BE.

https://p.dw.com/p/2oPIp
Jean-Claude Juncker
Jean-Claude JunckerFotografi: DW/D.Pundy

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha në intervistë me DW se është "i tronditur" për informacionet që i vijnë nga Afrika. Juncker thotë se Evropa nuk duhet ta mbyllë gojën përballë "problemeve të pabesueshme, të cilat vijnë nga një shekull tjetër. Afrika e njeh mirë problemin e skllavërisë". Juncker foli për një "dramë të përditshme për shumë njerëz - fëmijë, gra dhe burra - në Libi".

Juncker tha se fakti që në Libi pas përmirësimit të kontrollit të kufijve me Evropën është rritur numri i migrantëve, që nuk mund të vijnë në Evropë "nuk është shkak i mjaftueshëm, për të plagosur njerëz, për të vrarë dhe për të vjedhur ata që ndodhen në kampe, të cilat u ngjajnë burgjeve dhe jo kampeve të refugjatëve."

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker përsëriti kërkesën për të krijuar mundësi për migrim legal. "Besoj se pa rrugë legale migrimi për në Evropë dhe brenda Evropës ne jemi të humbur. Nëse ata, që mbërrijnë këtu të palumtur nuk do të mund të hyjnë nga dera e shtëpisë, ata do të vazhdojnë të përpiqen nga dera e pasme. Prandaj na duhen rrugë legale dhe Komisioni ka bërë tashmë propozime. Evropa ka nevojë për migrim në dekadat e ardhshme", tha Juncker. "Prandaj duhet t'u mundësojmë rrugë legale atyre që duan të vijnë në Evropë."