1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borrell, kandidat për të ngarkuarin me politikën e Jashtme

2 Korrik 2019

Ministri i Jashtëm spanjoll, socialisti Josep Borrell është kandidati për postin e të ngarkurit të BE me politikën e Jashtme. I lindur në Katalanjë ai është kundër ndarjes së këtij rajoni nga Spanja.

https://p.dw.com/p/3LU69
Spanien Außenminister Josep Borrell
Fotografi: AFP/J. Soriano

Socialisti Josep Borrell është ministër i Jashtëm i Spanjës që nga qershori 2018. Nga 2004 deri më 2007 ai ka qenë President i Parlamentit Europian.

Studiuesi 72 vjeçar i ekonomisë, që ka edhe një master nga Universiteti amerikan Standford, Josep Borrell është aktiv në politikën spanjolle që nga fundi i viteve 1970, kur ka mbajtur poste në ministri të ndryshme. Nga 2010 deri më 2012 ai ka qenë President i Institutit europian të shkollave të larta në Florencë.

I lindur në Katalanjë, Borrell është kundërshtar i bindur i ndarjes së këtij rajoni nga Spanja. Për herë të parë në një qeveri spanjolle, Borrell, i biri i një bukëpjekësi, ka marrë pjesë në vitin 1984, kur u bë sekretar shteti për çështjet financiare. Në prill 1998 ai ka qenë kandidat i socialistëve për postin e kryeministrit në zgjedhjet e vitit 2000. Por për shkak të një afere me mospagimin e taksave nga dy punonjës të ministrisë së financave, atij iu desh të hiqte dorë nga kandidimi. Ai e kërkoi fatin më pas si deputet europian dhe nga 2004 deri 2007 ka qenë president i Parlamentit Europian.