Jo vetëm teknikë dhe matematikë: Universiteti Teknik i Dresdenit | Shkenca & Edukimi | DW | 18.04.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shkenca & Edukimi

Jo vetëm teknikë dhe matematikë: Universiteti Teknik i Dresdenit

Kërkimet në fushën e mikroteknologjisë e kanë bërë të njohur në mbarë botën Universitetin e Dresdenit, por jo të vetmet arsye përse ai mban titullin „universitet elitar“.

Thuajse menjëherë pas themelimit para rreth 200 vjetësh, emri i Universitetit Teknit të Dresdenit ishte në gojën e të gjithëve pasi aty jepte mësim shpikësi i lokomotivës së parë gjermane me avull, Johann Andreas Schubert. Profesori i parë i shkencave matematike dhe teknike në universitet, me shpikjen e tij konsiderohej si pionieri i industrializimit. Edhe sot emri i tij është i njohur për shumicën e rreth 37.000 studentëve.

Por kohërat e lokomotivave të mëdha me avull i përkasin së kaluarës. Në laboratorët e universitetit sot zhvillohen çelësa të vegjël elektronikë dhe pikërisht për kërkimet në mikro dhe nanoteknologji për përpunimin elektronik të informacionit, është i njohur universiteti. Përreth universitetit janë vendosur sipërmarrje duke e bërë kështu Dresdenin një nga destinacionet më të mëdha të mikroelektronikës në Evropë.

Krijimi i lidhjeve është karta fituese

Rreth 250 doktorandë kryejnë kërkime në laboratorë

Rreth 250 doktorandë kryejnë kërkime në laboratorë

Por universiteti nuk e mori titullin „universitet elitar“ në 2012 vetëm falë rezultateve të shkëlqyera në fushën e mikro dhe nanoteknologjisë. Shkencëtarët e Dresdenit janë lider edhe për kërkimet në fushën e mjekësisë për terapi të reja, regjenerative për sëmundje deri tani të pashërueshme imunitare dhe diabetin. Puna kërkimore ka orientim të fortë ndërkombëtar dhe ndërdisiplinar. Rreth 250 doktorandë të fushave të ndryshme si mjekësi, mikrobiologji dhe biokimi, studiojnë themelet molekulare dhe qelizore të trupit të njeriut dhe ndikimin e tyre, në shfaqjen e sëmundjeve.

Titulli „universitet elitar“ i jep Universitetit Teknik të Dresdenit jo vetëm nder por edhe më shumë para. Universiteti pret të marrë një mbështetje financiare prej rreth 170 milionë eurosh gjatë pesë viteve të ardhshme. Me këto para ai synon para së gjithash të zgjerojë lidhjet e mira mes specialiteteve të ndryshme të universitetit. Rrjeti konsiderohet si zemra e konceptit për të ardhmen „Universiteti sinergjetik“, me të cilin Universiteti Teknik i Dresdenit në 2012 arriti të triumfojë në nismën e ekselencës për marrjen e titullit „universitet elitar“.

"Universitet i plotë" në zemër të qytetit

Salla leksionesh në mes të gjelbërimit e megjithatë pranë qendrës së qytetit

Salla leksionesh në mes të gjelbërimit e megjithatë pranë qendrës së qytetit

Një sallë leksionesh në mes të gjelbërimit e megjithatë afër qendrës së qytetit: studentët e vlerësojnë këtë pozicion.

Bashkëpunimi i mirë mes fakulteteve dhe strukturave jashtë universitetit nuk ekziston vetëm në degët teknike dhe të shkencave natyrore. Emri „Universitet Teknik“ nuk e përshkruan si duhet ofertën e tij. Në Dresden ekzistojnë gjithsej 14 fakultete, ndër të cilat edhe shkenca filologjike dhe sociale me rreth 12.500 studentë. Universiteti është kështu ndër të paktët të ashtuquajtur „universitete të plota“ në Gjermani, ku mund të studiohen të gjitha degët.

Institutet nuk ndodhen në ndërtesa të larta jashtë qytetit, por në zemër të Dresdenit. Studentët vlerësojnë afërsinë e ndërtesave të universitetit me qendrën, ku mund të bëjnë shopping apo të ulen në kafenetë e vogla e të këndshme. Edhe rrethinat e gjelbra të Dresdenit jepen shpesh si arsye nga studentët kur pyeten se përse studiojnë në qytetin lindor gjerman.

Në duar të mira: studentët me fëmijë

Gjatë kohës së seminareve studentet me fëmijë kanë mundësi kujdestarie për ta

Gjatë kohës së seminareve studentet me fëmijë kanë për ta mundësi kujdestarie

Në qendër të kampusit ndodhet ndërtesa Beyerbau, e mbrojtur si monument arkitekture, me kullën e rrumbullakët, në kupolën e së cilës është vendosur një observator. Pranë saj ngrihen ndërtesa më të reja moderne si qendra e sallave të leksioneve, me fasadë qelqi. Megjithëse Universiteti Teknik i Dresdenit është nga më të mëdhenjtë në Gjermani, gjithçka është e mbledhur dhe ndodhet në afërsi.

Një përparësi që vlerësohet shumë edhe nga studentët me fëmijë. Pikërisht për ta universiteti ka bërë shumë vitet e fundit. Zyra e kampusit „Universitet me fëmijë“ ndihmon në gjetjen e një mundësie kujdestarie për fëmijët dhe këshillon prindërit se si të harmonizojnë studimin me familjen.

  • Data 18.04.2013
  • Autor Monika Werner / Eliana Xhani
  • Opinioni Juaj: Na shkruani!
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/18IVU
  • Data 18.04.2013
  • Autor Monika Werner / Eliana Xhani
  • Feedback
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/18IVU