1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Jo!" presidenciale për rezolutën e OKB-së

Ulrich Pick2 Gusht 2006

Irani i hodhi poshtë kërkesat e Këshillit të Sigurimit për ta ndërprerë brenda katër javësh pasurimin e uraniumit. Presidenti Mahmud Ahmadinexhat deklaroi se Teherani do të vazhdojë të këmbëngulë për projektin e tij atomik.

https://p.dw.com/p/Aqow
Mahmud Ahmadinexhat
Mahmud AhmadinexhatFotografi: AP

Deklaratat e ambasadorit të Iranit pranë OKB-së Javad Sarif dhe të zëdhënësit të komisionit parlamentar për politikën e jashtme Kasem Jalili, të cilët e hodhën poshtë rezolutën e OKB-së për programin atomik të Iranit u pasuan prej deklaratës së presidentit të vendit, Mahmud Ahmadinexhat. Sikurse edhe pritej edhe ai e hodhi poshtë me tone të ashpra notën nga Nju-Jorku.

Gjatë një vizite një vizite në verilindje të vendit Ahmadinexhati theksoi se Irani do të vazhdojë ta zgjerojë teknologjinë e tij bërthamore dhe do të ngulë këmbë për të drejtën e tij për përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Ata që mendojnë se mund ta frikësojnë Iranin me gjuhën e kërcënimeve dhe të përdorimit të dhunës do ta kuptojnë në mos sot, në të ardhmen, se e kanë gabim, tha Ahmadinexhat.

Rezoluta që miratoi me 14 vota pro dhe një kundwr Këshilli i Sigurimit për Iranin, kërkon prej Republikës Islamike të Iranit që t'i ndërpresë deri më 31. gusht të gjitha aktivitetet që lidhen me pasurimin e uraniumit. Përveç kësaj Irani duhet të përmbushë kërkesat e Zyrës së OKB-së për energjinë atomike duke shfuqizuar në këtë mënyrë dyshimet se Teherani synon të prodhojë bomba atomike.

Po ashtu të gjitha vendeve anëtare të OKB-së u është bërë thirrje që të mos eksportojnë në Iran asnjë produkt që mund të lidhet me pasurimin e uraniumit. Në rast se Irani nuk i përmbush këto kërkesa, ai kërcënohet me sanksione si në sektorin diplomatik edhe atë ekonomik. Gjithsesi në rast se do të shkojë puna deri tek sanksionet, këto do të duhet të përcaktohen nga afër në një rezolutë tjetër.

Ndërkohë njoftohet se edhe ish-MPJ gjerman, Joshka Fisher i ka bërë thirrje Iranit që ta ndërpresë programin e tij atomik. Fisher gjendet për momentin në Teheran me ftesë të opozitës vendase. Ndërprerja e këtij programi do të vlerësohet prej bashkësisë ndërkombëtare si shenjë që Irani nuk synon të prodhojë armë atomike.

Ish-MPJ Fisher do të qëndrojë për vizitë private në Teheran deri të enjten. Me ftesë të ish-negociatorit për çështjen e programit atomik të Iranit Hassan Rohani, Fisheri do të mbajë një leksion jopublik në Qendrën për Studime Strategjike. Po ashtu ai do të takohet edhe me ish-ministrat e punëve të jashtme të Iranit Ali-Akbar Velajati dhe Kamal Harrasi si dhe me MPJ aktual, Manusher Motaki. Ky i fundit ishte të martën në Liban për të ofruar gatishmërinë e Iranit për të ndërmjetësuar në konfliktin në Lindjen e Mesme.