1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Jo mjaft të organizuar në diplomaci"

Georg Schwarte20 Gusht 2004

Këshilltarja amerikane për çështje të sigurisë Rice mbi luftën kundër terrorit

https://p.dw.com/p/ArSU
Condoleeza Rice
Condoleeza RiceFotografi: AP

Kur Condoleeza Rice doli përpara mikrofonit në Institutin për Paqe mesazhi i saj ishte ky: Lufta kundër terrorit të këtyre ditëve është e krahasueshme me luftën e ftohtë të kohëve të kaluara. Demokracia dhe liria, së bashku me fuqinë ekonomike dhe atë ushtarake e sollën fitoren edhe në atë luftë, tha Rice:

"Këto vlera do të na sjellin fitoren edhe tani në luftën kundër terrorit."

Megjithatë këshilltarja për sigurinë mbërrin në përfundimin se Amerika mund të bëjë edhe më shumë në "luftën për të fituar zemrat e miliona myslimanëve". Sipas saj, gjatë luftës së ftohtë Uashingtoni kishte radiostacionet "Zëri i Amerikës" dhe "Radio Evropa e Lirë". Të rinjtë më inteligjentë studiuan rusishten dhe u përpoqën të kuptonin bllokun e Lindjes. Një angazhim i tillë nevojitet edhe sot përsa i takon botës arabe, por tani SHBA-të "me sa duket nuk janë të organizuara mjaftueshëm", tha Rice.

Condoleeza Rice e mbron Amerikën ndaj akuzës, se synon ta dominojë e vetme botën. Ajo i sheh SHBA-ës të lidhura në aleanca të forta. Po marrëdhëniet transatlantike? Ish-profesorja e universitetit vë në punë këtu letërsinë:

"Në lidhje me marrëdhëniet amerikano-evropiane prirem të citoj shkrimtarin Mark Twain, i cili thoshte për muzikën e Wagner-it: ajo është më e mirë nga ç'tingëllon."

Sipas saj, megjithë mosmarrëveshjet e shprehura publikisht evropianët janë në anën e Amerikës:

"Sundon pajtim i plotë, dhe këtu përfshij edhe gjermanët e francezët, që një Irak i lirë dhe i qëndrueshëm, është diçka e mirë për të gjithë dhe se atje kurrsesi nuk mund të dështojmë."

Condoleeza Rice përmendi vatrat e krizës së këtyre ditëve: Iraku, Afganistani, konflikti izraelito-palestinez. Ajo foli edhe për Iranin, por pa u ndalur në një intervistë të ministrit iranian të mbrojtjes, i cili i kërcënonte SHBA-të se në rast nevoje Irani do ta mbronte me forcë ushtarake programin e vet bërthamor. Rice e përmendi rastin e Iranit më tepër si shembull të një bashkpunimi të mirë evropiano-amerikan. Rice tha, se Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe ishin përpjekur muaj më parë ta bindin Iranin që të hiqte dorë nga një program bërthamor për të cilin supozohet se shfrytëzohet për qëllime ushtarake:

"Më duket se kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me partnerët tanë evropianë, por tani problemi është vetë Irani."

Esenca pas një ore fjalim dhe diskutim: Të mësosh nga Lufta e Ftohtë do të thotë të mësosh të fitosh. Së paku lufta kundër terrorit nuk zhvillohet vetëm armë, sipas Rice-it. Ajo është edhe luftë idesh dhe vizionesh.