Jo më në vend të fundit | Gjermania | DW | 12.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jo më në vend të fundit

Zyra Federale e Statistikave: Ekonomia gjermane është rritur gjatë vitit të shkuar me 2,5%

Ekonomia gjermane gjatë 2006-s - Rritje në të gjithë sektorët

Ekonomia gjermane gjatë 2006-s - Rritje në të gjithë sektorët

Walter Radermacher nuk ka as tri javë që është drejtor i entit kombëtar të statistikave, por që dje ai kishte një lajm të gëzueshëm. Sepse në vitin 2006 ekonomia gjermane është rritur fuqishëm: "Sipas llogaritjeve tona prodhimi i brendshëm bruto i pastruar nga efekti i çmimeve ishte 2,5 për qind më i lartë se një vit më parë. Ky është gjallërimi më i vrullshëm ekonomik që prej vitit të fundit të boom-it 2000, kur patëm një rritje prej 3,2 për qind."

Po të merret parasysh fakti që 2006-a kishte dy ditë më pak sesa 2005-a atëherë rritja është edhe më e madhe. Me kaq optimizëm nuk shihte askush drejt së ardhmes një vit më parë. Në atë kohë parashikimet ishin vetëm midis 1,0 dhe 1,8 për qind. Shtytja për rritjen ekonomike erdhi pjesërisht nga tregtia me jashtë, por impulset më të fuqishme erdhën këtë herë, sipas Radermacherit, nga brenda vendit: „U investua dhe u konsumua më shumë sesa një vit më parë. Edhe kjo pra një risi pozitive."

Dy për qind më shumë shpenzuan njerëzit vitin e kaluar. Në këtë mënyrë duket se është kapërcyer përmbajtja në blerje, e cila e ka frenuar rritjen ekonomike që nga viti 2001. Megjithatë rritja në të ardhura nuk ishte në masën e rritjes në shpenzime. Në arkat e familjeve u shënua një plus prej vetëm 1,7 për qind.

Por jo vetëm që u konsumua më shumë, edhe u investua më shumë. Pothuajse të gjitha fushat e ekonomisë u rritën në 2006-ën. Sektori prodhues, ndërtimtaria, tregtia dhe shërbimet regjistruan rritje. Vetëm bujqësia nuk u prek prej tendencës në rritje.

Megjithatë as punëmarrësit nuk e ndienë në llogaritë e tyre të pagave hovin e përgjithshëm. Në total ata fituan 0,3 për qind më pak sesa një vit më parë. Kështu megjithë shifrat e shumta pozitive një tendencë mbetet e pandryshuar: Hendeku midis të ardhurave të sipërmarrjeve dhe të ashtuquajturit shpërblim të punëmarrësve vazhdon të rritet: "Derisa shpërblimi i punëmarrësve shënoi përsëri një rritje të lehtë në vitin 2006 plus 1,3 për qind të ardhurat e sipërmarrjeve dhe ato nga pasuria u rritën sërish në masë të konsiderueshme. Rritja me 6,9 për qind ishte madje mbi nivelin e vitit 2005."

Megjithatë rritja e fuqishme ekonomike e ka katapultuar në vendet e para Gjermaninë në rrafshin ndërkombëtar, tha Radermacher. I shumëcituari "vend i fundit" i përket, sipas tij, së kaluarës dhe kontakti me kryesuesit është vendosur sërish: "Me rezultatin paraprak prej 2,5 për qind Gjermania do të ishte vetëm pak prapa vlerave për zonën e monedhës euro plus 2,6 për qind dhe atyre të Bashkimit Evropian plus 2,8 për qind."

Dhe prodhimi i brendshëm bruto i rritur ka pasoja edhe në plotësimin e kriterit të Marrëveshjes së Maastrichtit nga Gjermania. Për të parën herë që prej vitit 2001 Gjermania arrin të respektojë marrëveshjen. Raporti i borxheve të reja me prodhimin social bruto është dy për qind, në një kohë që lejohen maksimalisht tre për qind.

  • Data 12.01.2007
  • Autor Daniel Scondo
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqy3
  • Data 12.01.2007
  • Autor Daniel Scondo
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqy3