Jo instrumentalizim por oferta integruese për të huajt | Gjermania | DW | 24.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Jo instrumentalizim por oferta integruese për të huajt

Në Gjermani po diskutohet gjithnjë e më tepër në lidhje me rregullat për dhënien e nënshtetësisë. Tani në debate është përfshirë edhe një element i ri, sa të vlefshme janë testet për ata që duan të marrin nënshtetësinë. Vendimtare në këtë drejtim është vetëm një politikë integruese.

default

Teste për botëkuptimin, për dijet, kurse integrimi - kur vjen fjala për të gjetur pengesat që duhet të kalojë një të huaj për të marrë nënshtetësinë gjermane, fantazia e politikanëve gjermanë nuk njeh kufij. Debatet në këtë drejtim kanë nxjerrë në pah si gjëra me vlerë edhe absurditete. Dhe në prag të zgjedhjeve për parlamentet e landeve, zërat e debatuesve janë shtuar edhe me disa decibelë.

Natyrisht që çështja e një rregulloreje në lidhje me fitimin e nënshtetësisë është temë e fushatës elektorale, gjë që bën të qartë se politika integruese bëhet më tepër për të thithur elektoratin se sa për të huajt. Që kjo funksionon e tregoi CDU-ja në landin e Hesenit nën drejtimin e kryeministrit të saj të sotëm, Roland Koch, që në vitin 1999 organizuan një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve kundër nismës së qeverisë së atëhershme mes social-demokratëve dhe të gjelbërve për dynënshtetësinë në Gjermani.

Nga debati aktual MPB, Wolfgang Schäuble, ka të drejtë që kërkon që rregullat për nënshtetësinë duhet të jenë unike për të gjithë Gjermaninë. Do të ishte pra absurde që lande të ndryshme të kishin në fuqi rregulla të ndryshme në lidhje me nënshtetësinë, sepse kjo do të sillte me vete një lloj turizimi për marrjen e nënshtetësisë. Motoja: në rast se testi për nënshtetësinë në Hesen është shumë i vështirë, atëhere po e provoj një herë në Nordrhein-Westfalen, ku do të mjaftonte një bisedë me nënpunësin përkatës. Çështja se në ç'mënyrë dikush mund të bëhet nënshtetas gjerman është një çështje thelbësore dhe jo një problem që komunat, rrethet apo landet mund ta trajtojnë në mënyra të ndryshme.

Natyrisht që është krejtësisht e drejtë, që të kërkohet të zhvillohet një procedurë e cila kontrollon nëse ai që kërkon nënshtetësinë e ndjen veten të detyruar ndaj kushtetutës së Gjermanisë dhe nëse është i gatshëm që të integrohet në RFGJ. Por pengesat që u vihen përpara aspirantëve për nënshtetësinë gjermane përmes testit të njohurive që ka propozuar landi i Hesenit, janë aq të larta, sa ato nuk do të arrinin t'i kapërcenin as shumica e gjermanëve mesatarë, e jo më pastaj ata të huaj që kanë ardhur në Gjermani për të punuar, që vijnë nga shtresa e thjeshtë dhe për të cilët është sfidë e madhe edhe pjesëmarrja në një kurs të gjuhës gjermane.

Kërkesat që parashtrohen në testin e Hesenit, të kujtojnë pyetjet që bëhen nëpër spektaklet e tipit "Kush do të bëhet milioner!" nuk e prezantojnë Gjermaninë si një vend tërheqës për emigracionin. Pyetje të tilla botkuptimore, si përshembull ato në doracakun për nënshtetësinë të landit Baden-Württemberg, që lidhen me qëndrimin e personave ndaj homoseklsualitetit, nuk kanë se ç'kërkojnë në testet për nënshtetësinë.

Ajo për të cilën ne kemi nevojë nuk janë fortesa kundër emigrantëve, por ftesa për ata për të cilët Gjermania është bërë atdhe i tyre i dytë. Kurset e integrimit që ndihmojnë për të kuptuar shoqërinë gjermane ndihmojnë më tepër se sa testet për njohuritë e aspirantëve në lidhje me të cilat mund të zhvillosh një seminar të tërë në universitet.

Debatet për rregullat "e drejta" për nënshtetësinë nuk duhet të na bëjnë të harrojmë një gjë: ato nuk mund ta zëvendësojnë politikën e vazhdueshme integruese dhe nuk i zgjidhin aspak problemet e shoqërive paralele. Në vend që të huajt të instrumentalizohen për qëllime elektorale, ata kanë nevojë për oferta të vërteta integruese, me të gjitha të drejtat dhe detyrat.

  • Data 24.03.2006
  • Autor Verica Spasovska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar16
  • Data 24.03.2006
  • Autor Verica Spasovska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar16