1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jimmy Carter ndërmjetëson me një rezultat shumë të papritur

Sebastian Engelbrecht22 Prill 2008

Hamasi do ta pranonte shtetin palestinez dhe marrëveshjen e paqes me Izraelin, me kusht që marrëveshjet midis kryeministrit Olmert dhe presidentit Abbas t'u parashtrohen për miratim palestinezëve.

https://p.dw.com/p/Dm4x
Ehud Olmert, Jimmy Carter, Bashar el AsadFotografi: AP / picture-alliance / dpa/dpaweb / Fotomontage DW

Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter udhëtoi nëntë ditë nëpër Lindjen e Afërme për të ndërmjetësuar në konfliktin e këtij rajoni. Izraeli dhe SHBA e kritikuan misionin ndërmjetësues, sepse Carter-i përfshiu në bisedime edhe Hamasin, me një rezultat shumë të papritur.

Jimmy Carter përpiqet të mbyllë një të çarë në diplomacinë e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Afërme. Presidenti aktual Bush deklaron pandërprerë se beson me forcë në një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe autoritetit autonom palestinez deri në fund të këtij viti. Por se si ka ndër mend ta përfshijë në paqe Rripin e Gazës, faktikisht të pavarur nën qeverinë e Hamasit, këtë pyetje Bushi e injoron me këmbëngulje.

Carter-i nga ana tjetër u ul tani në një tryezë me Hamasin, sikur donte t'i demonstronte pasardhësit të tij në detyrë se çfarë duhet të bëjë. Pas bisedimesh me përfaqësues të Hamasit në Kairo Carter-i u takua të premten dhe të shtuinën në Damask me Khaled Meshal-in, kreun e Hamasit që jeton në mërgim. Të hënë ai përcolli në Jeruzalem mesazhin e udhëheqjes së Hamasit nga Kairoja dhe Damasku.

'Ata thanë se do të pranonin një shtet palestinez në kufijtë e 1967-ës, në rast se një hap të tillë do ta përkrahnin palestinezët - dhe se do ta pranonin të drejtën e Izraelit për të jetuar në paqe me ta si fqinji i tyre, me kusht që marrëveshjet midis kryeministrit Olmert dhe presidentit Abbas t'u parashtrohen për miratim palestinezëve - megjithëse Hamasi mund të mos pajtohet me pjesë të marrëveshjes.'

Fjalë të matura i dhanë me vete për në Jeruzalem udhëheqësit e Hamasit fituesit të çmimit Nobel. Megjithatë Carter-it nuk iu lejua t'ia transmetonte ato atje kryeministrit Olmert. Ky i fundit nuk do të ketë të bëjë me kontakte bisedimesh me Hamasin. Në këtë mënyrë Carter-i foli me fetsë të këshillit izraelit për politikë të jashtme para një publiku që brohoriste në Hotelin King David në Jeruzalem. Ai theksoi edhe një herë rëndësinë e ofertës nga Damasku:

'Kjo do të thotë që Hamasi nuk do ti minojë përpjekjet e presidentit palestinez Abbas për negociimin e një marrëveshjeje. Çfarëdo qëndrimi të marrë Hamasi kundrejt marrëveshjes - ai do ta pranojë marrëveshjen në rast se e mbështet populli palestinez në një votim të lirë. Kjo përfshin edhe njohjen e Izraelit si fqinj që mund të jetojë në paqe me popullin palestinez.'

Me këto mesazhe të përcjella prej Carter-it Hamasi ka hyrë faktikisht në procesin negociues në ecje e sipër midis izraelitëve dhe palestinezëve. Në këtë mesazh thelbësor presidenti palestinez pajtohet udhëheqjen e Hamasit: Ditët e kaluara ai ka paralajmëruar disa herë se do t'ia parashtrojë për votim popullit palestinez rezultatin e negociatave.