″Jemi një popull!″ | Gjermania | DW | 03.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Jemi një popull!"

Më 3 tetor 1990, 15 vjet më parë, u nënshkrua kontrata e bashkimit të dy Gjermanive. Që atëherë 3 tetori është festa kombëtare e Gjermanisë dhe njihet si data zyrtare e ribashkimit mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore

3 tetori - festa kombetare e Gjermanise

3 tetori - festa kombetare e Gjermanise

Që prej katër dekadash Gjermania ishte e ndarë, kur presdenti amerikan Ronald Regan në vitin 1987 gjatë një vizite që u bëri banorëve të Berlinit perëndimor të ngujuar brenda murit, kërkoi: "Zoti Gorbaçov, hiqna këtë mur!"

Entuziazëm po, por shpresat që kjo thirrje do të dëgjohej ishin të pakta. Megjithëse tek fqinjët në Evropën Lindore, e veçanërisht në Bashkimin Sovjetik kishte kohë që kishte nisur demokratizimi dhe hapja politike, kryetari i partisë së Bashkimit Socialist të Gjermanisë, Erih Honeker, po i shmangej Perestrojkës gorbaçoviane. Në janar të vitit 1989 ai pat kërcënuar: "Muri do të mbetet edhe për 50 dhe 100 vjetë të tjera, derisa të mënjanohen shkaqet që e sollën atë."

Në të njëjtin vit vetëm 3 për qind gjermanëve besonin se bashkimin do ta shihnin me sytë e tyre. Por historia filloi të rrokullisej me shpejtësi të jashtëzakonshme. Arratisje në masë dhe demonstrata nëpër rrugë e vunë nën presion udhëheqjen e RDGJ-së. Në fillim të nëntorit ajo reagoi me nxitim duke nxjerrë një rregullore për lirinë e kufizuar të udhëtimit. Antari i byrosë politike, Gynter Shabovski, më 9 nëntor 1989 do të lexonte një njoftim për mundësi të menjëhershme të udhëtimit, të cilin e interpretoi gabimisht: "Prandaj ne sot vendosëm, që të nxjerrim një rregull, që çdo shtetasi të RDGJ-së i mundëson të dalë jashtë pikave kufitare të RDGJ-së."

Brenda së njëjtës natë dhe pa asnjë viktimë mësymja e njerëzve mbi murin e Berlinit e çfuqizoi rregulloren e kufirit që vlente në RDGJ-së. Në zemrën e pushtetit të Bashkimit Socialist të Gjermanisë ato ditë patën luajtur skena dramatike. Antari i Komitetit Qendror, Bernhard Kvandt, komunist i vjetër, kërkon dënimin me vdekje për, siç thotë ai, bandën e kriminelëve në udhëheqjen e partisë që janë përgjegjës për rrëzimin e Republikës Demokratike Gjermane.

"Në Këshillin e Shtetit ne e hoqëm dënimin me vdekje. Unë jam për rivendosjen e tij dhe për atë që të ekzekutohen me pushkatim të gjithë ata që e sollën deri në këtë gjendje të turpshme partinë tonë dhe që e lanë në një turp të tillë para syve të botës."

Rënia e murit është triumfi i papritur i njerzve nëpër rrugët e Lajpcigut, Berlinit dhe Dresdenit, të inkurajuar edhe nga lëvizja "Solidarnosh" në Poloni, reformatorët në Hungari, por pa dyshim edhe nga Gorbaçovi. Rënia e murit sheshon rrugën drejt bashkimit të Gjermanisë. Pa mbrojtjen nga muri, shteti shkatërrohet alternativa e një RDGJ-të pavarur, por demokratike u fshi menjëherë nga lista nga thirrjet e njerzve për bashkim, duke thirrur: Jemi një popull!

Në zgjedhjet e para të lira në RDGJ fitoi Alaenca për Gjermaninë nën udhëheqjen e Unionit Kristiandemokrat të gjermanolindorëve, që doli hapur për bashkimin sa më të shpejtë me Republikën Gjermane. Kancelari kristiandemokrat i Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl, ka kohë që e ka kuptuar leverdinë e momentit. Qeveria e tij e mbështetur nga të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag negocion me qeverinë e re të RDGJ-së dhe paralelisht me forcat aleate që fituan luftën e dytë botërore për të rinegociuar kontratat që bënin të mundur Bashkimin e Gjermanisë. Fqinjve evropianë dhe të gjithë botës Koli do t’u premtonte:

"Ne, gjermanët kemi nxjerrë mësime nga historia. Jemi një popull paqësor dhe që e do lirinë. Kurrë nuk kemi për t’ia dorëzuar demokracinë tonë armiqve të paqes dhe të lirisë. Për ne atdhedashuria, dashuria për liri dhe shpirti i fqinjësisë së mirë janë gjithmonë të pandara nga njera-tjetra."

Në kontratat e nënshkruara me ish-forcat fituese të luftës së dytë botërore, Bashkimin Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Francën rregullohen pikat e ribashkimit që kanë të bëjnë me të drejtën ndërkombëtare. Për herë të parë që nga lufta e dytë botërore Gjermania rifiton sovranitetin e plotë, Një nga kushtet kryesore është njohja formale vijës mes lumenjve Oder dhe Najse, në kufi me Poloninë.

Në verën e vitit 1990 - megjithëse me kundërshtimin e shumë ekspertëve, në RDGJ hidhet në qarkullim marka gjermane, duke u realizuar kështu edhe bashkimi ekonomik dhe monetar. Në gusht 1990 kuvendi popullor i RDGJ-së mori vendim për ribashkimin e Republikës Federale të Gejramnisë, pak më vonë kontrata që përbëhet nga 1100 faqe u nënshkrua dhe natën duke u gdhirë 3 tetori i vitit 1990 njerzit festuan në të gjithë Gjeraminë ditën e Bashkimit. Presidenti i atëhershëm Rikard fon Vajcseker parashikon:

"Se sa i realizuar do të jetë bashkimi në aspektin njerzor, këtë nuk e përcaktojnë kontratat ndërmjet qeverive, as kushtetuta dhe as një vendim i ligjvënësit. Kjo do të varet nga sjellja e secilit prej nesh."

Në dhjetor 1990 fiton kancelari i bashkimit Helmut Kol në krye të Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial në zgjedhjet e para mbarë gjermane, që nga viti 1933.

  • Data 03.10.2005
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2f
  • Data 03.10.2005
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2f