1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Jemi kundër çdo forme dhune"

Panagiotis Kouparanis9 Shtator 2006

Bashkësitë e xhamive të Berlinit luten për viktimat e 11 shtatorit

https://p.dw.com/p/AqzT
Nga konferenca për shtyp e shoqatave myslimane në Gjermani kundër terrorit dhe dhunës
Nga konferenca për shtyp e shoqatave myslimane në Gjermani kundër terrorit dhe dhunësFotografi: picture-alliance/dpa

Aksioni është i pashembullt deri tani. Në 40 prej afro 85 xhamive të Berlinit predikimi i së premtes iu kushktua më 8 shtator përkujtimit të viktimave të atentateve ndaj Qendrës Botërore të Tregtisë më 11 shtator 2001. Afërsisht 10.000 myslimanë morrën pjesë në "lutjet për paqe dhe përgjegjësi të përbashkët". Në këto lutje myslimanët e Berlinit bënë të qartë që terrori dhe dhuna, pa rëndësi nën cilin petk, janë të pështira dhe për tu dënuar.

Të premten pasdite në xhaminë Emir-Sultan të federatës islamike në Berlin-Schöneberg. Imami predikon nga foltorja gjermanisht.

"Kemi qenë dhe jemi kundër çdo lloj dhune, terrori apo veprash të tjera keqbërëse. Synimi i fesë islame është arritja e drejtësisë shoqërore. Synohet mirëqenia e çdo njeriu, pavarësisht prejardhjes apo besimit që zotëron. Kjo e vërtetë nuk duhet fshehur apo të kthehet në viktimë të një interpretimi të gabuar. Prandaj myslimanëve u kërkohet të kundërveprojnë ndaj këtyre përpjekjeve nëpërmjet një mënyre jetese shëmbullore."

Kjo është në fakt përmbledhja e predikimit, të mbajtur më pare në turqisht dhe ku u theksua vazhdimisht se feja islame dhe terrorizmi janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Mustafa Kömer dhe Feyzula Hizilkaya pajtohen me imamin e tyre:"

"Ai zgjodhi fjalët e duhura, predikoi atë që duhet, edhe gjermanisht. Ai tha që terrori nuk është në rregull, që shumë njerëz, para së gjithash terroristët, e keqinterpretojnë fenë islame. Ai tha gjithashtu se nuk mund të përziet i thati me të njomin dhe se nuk duam të identifikohemi me gjëra të tilla."

"Siç tha edhe predikuesi, feja islame e ndalon përdorimin e dhunës. I këtij mendimi jam edhe unë. Kjo predikohet pandërprerë. Njerëzit flasin vazhdimisht për këtë, nuk është gjë e re."

E re është që rreth 40 xhami të Berlinit janë marrë vesh njëkohësisht për një lutje të tillë. Nuk donin që të lexohej e njëjta përmbajtje, por çdo imam do të trajtonte në predikimin e së premtes atentatet e pesë vjetëve më pare. 11 shtatori nuk është vetëm një ngjarje e SHBA. Ai është edhe një lloj katalizatori për marrëdhënien midis myslimanëve dhe shoqërisë gjermane, thotë Riem Spielhaus i forumit islamik të Berlinit. Të dyja palët dalluan se duhet t'i afrohen njëra-tjetrës. Pas atentateve pala gjermane i bëri vetes pyetjen:

"… mund tu besojmë myslimanëve? Në anën myslimane ekziston here pas here ndjenja e dyshimit të përgjithshëm, por në të dyja anët ka përpjekje për tu afruar me tjetrën. Ato janë intensifikuar pesë vitet e fundit. Janë zhvilluar gjithmonë e më shumë struktura komunikimi - ato janë ndërtuar qëllimisht nga të dy palët. Prandaj e gjithë kjo duhet pare si një shans për bashkëjetesën."

Hap i rëndësishëm në këtë drejtim ishte ngritja e një forumi islamik në Berlin në vjeshtë 2005. Në forumin islamik përfaqësohen shoqatat më të rëndësishme ombrellë islamike, xhamitë dhe shoqatat e Berlinit, të cilat ulen rregullisht në një tryezë me përfaqësues të kishave, ministrin e brendshëm të Berlinit, të ngarkuarin për çështjet e migrimit, policinë dhe me mbrojtjen e kushtetës. Gjithashtu të përfaqësuara janë organizata islamike që ndodhen nën vëzhgimin e mbrojtjes së kushtetës.

Atentatet terroriste kanë përshpejtuar në shumë qendra islamike edhe ndërrimin e brezave në nivelin drejtues. Në shumë vende drejtojnë ndërkohë 30 vjeçarë, të cilët zotërojnë gjuhën gjermane dhe kanë përvojë më të madhe në punën me publikun sesa etërit e tyre.