1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

James Gaw: Situata më kritike për sigurinë - humbja e durimit

Fabian Schmidt1 Shkurt 2007

Intervistë me James Gaw, ekspert pranë Kings College London, lidhur me situatën e ndërlikuar politike serbe në raport me Kosovën. James Gaw punon për departamentin e studimeve luftarake pranë Kings College London.

https://p.dw.com/p/ArZ6
Kosova mirëpret të ardhmen
Kosova mirëpret të ardhmenFotografi: AP

James Gaw është autor i librit të famshëm "Triumph of the lack of will" i cili trajton politikën ndërkombëtare gjatë luftës në Bosnje. Pyetjes se si e shpjegon eksperti ndërkombëtar faktin se Koshtunica ka refuzuar ta takojë ndërmjetësuesin e OKB-së Ahtisari dhe a mendon se kjo politikë po rrit ndjenjat nacionaliste në Serbi, Gaw ju përgjigj:

James Gaw: Rezultati i zgjedhjeve në Serbi dhe simpatia e dëshmuar për partinë radikale, vendosi kushte të qarta tashmë për politikën serbe. Mendoj se do të ishte budallallëk të prisnim që Koshtunica apo çdo udhëheqës tjetër politik, të ndërmerrnin ndonjë hap që mund të konsiderohej si pozitiv nga udhëheqja kosovare apo nga bashkësia ndërkombëatre. Dihet se Kosova është një çështje tepët delikate dhe një çështje e tillë nuk mund të zgjidhet brenda një nate. Por nga ana tjetër kur Koshtunica thotë se nuk do të ketë marrëdhënie me asnjë shtet që do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, kjo është një deklaratë boshe, sepse deri tani asnjë shtet nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, sepse kjo nuk është ende një pikë që i përket qëllimeve afatshkurtëra të bashkësisë ndërkombëtare. Në rast se ndonjë shtet do ta bënte këtë gjë, situata nuk do të ndërlikohej vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha shtetet ish-jugosllave e më tej.

Fabian Schmidt: A mendoni se situata e sigurisë do të përkeqësohet tani?

James Gaw: Mendoj se do të ketë shumë vështirësi në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare. Por mendoj se situata më kritike për sigurinë është, të paktën nga aspekti ndërkombëtar, në rast se udhëheqja kosovare apo disa politikanë kosovarë do të humbasin durimin me këtë proces që do të zgjasë sigurisht ende. Pra në rast se disa njerëz do të mendojnë se duhet ta marrin vetë në duar zgjidhjen e situatës. Kjo është frika që kanë Kombet e Bashkuara dhe NATO aktualisht. Pra që ngjarjet e dhunshme të marsit 2004 të mos përsëriten më.

Fabian Schmidt: Zoti Kather paralajmëroi gjatë një interviste se në rajon mund të ndodhë një situtatë, e ashtuquajtur "efekti i dominos", pra që në vende të caktuara si në Mitrovicën Veriore, apo në Preshevë mund të ndodhin trazira. Kather tha madje që këto trazira mund të fillojnë edhe në Maqedoni. Mendoni se ky është një rrezik realist?

James Gaw: Unë nuk do të doja t´i ekzagjeroja mundësitë në një situatë të tillë. Por çdo njeri që e njeh historinë e 16 viteve të fundit, nuk mund t´i injorojë mundësitë se do të ketë grupime tek të dyja palët, që do të mendojnë se do të fitojnë në rast se përdorin dhunë. Ne e kemi parë këtë në të kaluarën si tek shqiptarët e Kosovës në komuna të caktuara në Kosovë. E dimë gjithashtu mirë se si forcat serbe të sigurisë apo aktorë gjysmë të pavarur mund të marrin iniciativë për të filluar trazira. Duhet të rrimë të qetë e të shpresojmë se situata nuk do të përkeqësohet.

Fabian Schmidt: Bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë të holla dhe përpjekje në Kosovë për të ndihmuar kështu në bashkëjetesën multietnike. Çfarë mundësish të tjera ka bashkësia ndërkombëtare për të parandaluar tensionime etnike në Kosovë?

James Gaw: Vështirësia në këtë situatë është se meqënëse ky është një proces që zgjat kohën e vet, shumë njerëz bëhen të paduruar. Bashkësia ndërkombëtare ka investuar vërtet shumë të holla dhe përpjekje në Kosovë për të ndihmuar që bashkëjetesa multietnike të funksionojë. Sigurisht që ekziston edhe frika se të gjitha këto përpjekje mund të shkojnë papritur dëm, në rast se situata e sigurisë do të përkeqësohet sërish për shkak të politikës aktuale serbe ndaj të ardhmes së Kosovës.