1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biden Nahost Israel

11 Mars 2010

Në vazhdën e përpjekjeve për procesin e paqes në Lindjen e Mesme presidenti amerikan Obama dërgoi në rajon zëvendësin e tij Joe Biden. Kjo vizitë përkon me planet izraelite për ngritjen e ngulimeve të reja herbreje.

https://p.dw.com/p/MPas
Joseph Biden dhe Benjamin Netanjahu (djathtas)
Joseph Biden dhe Benjamin Netanjahu (djathtas)Fotografi: AP

Vizita e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden në Izrael dhe në rajonet autonome palestineze ishte përgatitur në tërësi dhe me kujdes nga Uashingtoni. Amerikanët synonin që përmes kësaj vizite të jenë më afër përmbushjes së dy objektivave kryesore të politikës së jashtme në këtë rajon: rifillimit nën drejtimin amerikan të negociatave paqësore, në rast nevoje edhe indirekte, mes dy palëve në konflikt dhe përsëritjes së qartë të garancisë amerikane për sigurinë e Izraelit duke pakësuar kështu rrezikun ndaj një sulmi parandalues izraelit kundër impianteve bërthamore në Iran.

Presidenti amerikan Barack Obama i cili nuk gëzon simpatinë e madhe politike të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dërgoi me zëvendësin e tij Joe Biden në Izrael politikanin më të dashur amerikan për të shpëtuar atë çka ka mbetur nga i ashtuquajturi procesi i paqes në Lindjen e Mesme. Njëkohësisht Izraeli duhej t'ia bënte të qartë Izraelit se Uashingtoni do të vazhdojë të ndjekë rrugën diplomatike për bllokimin e programit bërthamor iranian pa u befasuar me këtë rast nga aviacioni izraelit.

Mesazhet të cilat i shkuan presidentit amerikan nga Izraeli nuk ishin për pushtetmbajtësin në Shtëpinë e Bardhë as të gëzuara dhe as inkurajuese. Qeveria izraelite e krahut të djathtë nacionalist nuk dëshiron që në politikën e saj të ngulimeve herbreje të përzihet Uashingtoni apo ndonjë aleat tjetër i saj. Kryeministrit Netanjahu i vjen keq vetëm për faktin se vizita e Biden-it përkoi në kohë me njoftimin për ndërtimin e 1.600 banesave të reja në Jeruzalemin Lindor që mbahet i pushtuar dhe kjo është e dëmshme për imazhin e Izraelit.

Pas largimit të zëvendëspresidentit amerikan dhe kalimit të një periudhe të mbajtjes së një qëndrimi të tërhequr për arsye etike mbase qeveria izraelite duhet të llogarisë me një qortim të departamentit amerikan të shtetit nga Uashingtoni. Megjithatë tashmë dëmi është shkaktuar - si rrallë herë më parë qeveria izraelite mbajti me kaq vrazhdësi dhe përbuzje një qëndrim refuzues ndaj një përfaqësuesi kaq të lartë të aleatit të pazëvendësueshëm, si Joe Biden. Në krah të presidentit palestinez tashmë të zhgënjyer thellë, Mahmud Abaz, zëvendësi i Obamas përdori në Ramallah, në Bregun e pushtuar Perëndimor, fjalë jashtëzakonisht të ashpra për planet e fundit izraelite për ndërtimin e ngulimeve të reja hebreje. Por ato mbeten si gjithnjë pa pasoja. Vetëm për të konkluduar se përmes ngritjes së ngulimeve të reja do të "lëkundet ai besim", i cili sipas pikëpamjes amerikane duhet të arrihej tani, Joe Biden nuk kishte nevojë të shkonte në Lindjen e Mesme.

Autor: Clemens Verenkotte
Redaktor: Pandeli Pani