1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ivica Raçan ishte evropian i madh

Bahri Cani2 Maj 2007

Në praninë e kreut më të lartë shtetëror, shumë burrështetasve dhe mijëra qytetarëve, në Zagreb të Kroacisë u mbajt sot tubimi komemorativ me rastin e vdekjes së ish - kryeministrit, Ivica Raçan. Ndër mysafirët e shumtë ishte edhe ish - kancelari gjerman Gerhard Shrëder. Raçan vdiq të dielën, nga pasojat e kancerit.

https://p.dw.com/p/ArW4
Ivica Raçan ne zgjedhjet e fundit
Ivica Raçan ne zgjedhjet e funditFotografi: AP

Ivica Raçan ishte një ndër luftëtarët më të denjë për vlerat bashkëkohore: lirinë, drejtësinë dhe demokracinë. Kështu u shpreh presidenti kroat Stjepan Mesiq në tubimin komemorativ të zhvilluar në Zagreb. "Ivica Raçan ishte njeri i guximshëm. Ishte lutëtar, vizionar, reformator dhe një prej atyre që gjithmonë ishin në krye të lëvizjeve të shoqërisë kroate. Dëshira e tij ishte krijimi i një Kroacie demokratike dhe futja e saj në Evropë. Ivica Raçan vdiq, por idetë e tija mbeten gjallë", theksoi presidenti Mesiq, duke shtuar se Kroacia do të vazhdojë angazhimet për realizimin e plotë të këtyre ideve.
Në seancën komemorative foli edhe ish - presidenti i Sllovenisë, Milan Kuçan. Në radhë të parë Kuçan theksoi guximin e Raçanit, i cili së bashku me deputetët sllovenë, në vitin 1990 lëshoi Kongresin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, ku dominuan forcat serbe. Kuçan tha se Ivica Raçan ka shënuar një periudhë shumë të rëndësishme të politikës kroate, në rrugën e përbashkët drejt Evropës. Ndërsa ish - kancelari gjerman Gerhard Shrëder u shpreh se Raçan ishte një burrështetas i madh dhe njeri i bindur në vlerat evropiane.
"Sot i themi lamtumirën e fundit Ivica Raçanit, një burrështetasi të madh, një socialdemokrati dhe patrioti të madh. Vdekja e tij është humbje e madhe, jo vetëm për ne që jemi këtu dhe për popullin kroat, por për tërë Evropën. Me humbjen e Ivica Raçanit, kemi humbur një evropian të bindur", theksoi ish - kancelari gjerman duke shtuar se Racan ishte një ndër arkitektët kryesor të një Kroacie moderne, të një Kroacie paqësore dhe stabile.
Sipas amanetit të të ndjerit, dita dhe koha e varrimit të Raçanit nuk do të bëhen të ditur.