Italia do të ndryshojë ligjet kundër terrorizmit | Evropa | DW | 13.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Italia do të ndryshojë ligjet kundër terrorizmit

Pas akteve terroriste në Londër, qeveria italiane po përgatit ligje më të rrepta kundër terrorit. Ministri i brendshëm italian Giuseppe Pisanu propozoi të martën në parlament që të vihen disa ligje të reja kundër terrorit.

Pallati i Kongreseve në Romë

Pallati i Kongreseve në Romë

"Terrori islamik po troket në derë", tha ministri i brendshëm italian Guiseppe Pisanu dhe shtoi:

"Unë lutem që faktet të flasin kundër meje, por unë ndjehem përgjegjës për të bërë gjithçka që është e mundur, që dyert të rrinë të mbyllura".

Pisanu foli më parë mbi informacionet e fundit të policisë britanike mbi aktet e dhunshme në Londër. Ai tha se puna e policisë britanike dëshmon se sa të nevojshme janë masat e sigurisë për Italinë. Ne bashkëpunojmë ngushtë me shërbimet britanike të sigurisë dhe Italia duhet të përqëndrohet tani tek disa masa sigurie të cilat janë lënë pas dore, tha ai. Roma ka vendosur tani që t´i forcojë masat e sigurisë në vend, duke filluar me një ndryshim të së drejtës të të huajve:

"Ne duhet t´i kushtojmë vëmendje të veçantë fushës ku mund të lindin rreziqet terroriste duke obeservuar të huajt që kanë kryer më parë akte kriminale. Këta të huaj duhen kthyer në vendet e tyre, për arsye se ata rrezikojnë rendin publik dhe sigurinë kombëtare."


Por këto masa nuk kanë të bëjnë me frikën apo urrejtjen ndaj të huajve, tha Pisanu. Lufta do të kryhet kundër terrorit dhe jo kundër fesë:

"Ne nuk duhet ta ngatërrojmë këtë frikë me fenë, kulturën apo civilizimin e islamizmit. Ne duhet t´i përdorim këto dije, për ta luftuar terrorizmin në mënyrë më efikase" tha Pisanu.

Sipas Pisanus bashkëpunimi me vende të tjera islamike është i domosdoshëm për mbrotjen kundër akteve terroriste. Sipas tij edhe kontrolli i vendeve apo personave publikë është i paevitueshëm.
Gjatë ditës së sotme Pisanu foli në Bruksel me partnerët e BE-së mbi këtë çështje.

Ndërkohë opozita në Itali nuk është e bindur mbi argumentet e Pisanus. Demokratët e majtë kanë pranuar disa pika, por në përgjithësi tek ta mbizotëron skepticizmi. Shefi i fraksionit të komunistëve të riformuar, Franco Giordano thotë:

"Ligjet e reja të sigurisë, siç ndodhi në SHBA dhe tani edhe në Britaninë e Madhe nuk prekin vetëm terrorizmin por edhe lirinë e qytetarit. Motoja "më pak liri është më shumë siguri" nuk funksionoi në praktikë. Madje kjo moto e dëmtoi rëndë demokracinë në vendin tonë."

Por Pisanu thotë se nuk kërkon ligje të reja por masa më të rrepta sigurie, të cilat u propozuan edhe nga Këshilli Kombëtar i Sigurimit në Romë. Por sidoqoftë këto plane do të mund të realizohen, vetëm pasi vendet e tjera të BE-së të jenë dakord me to.

  • Data 13.07.2005
  • Autor Gregor Hoppe
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDo
  • Data 13.07.2005
  • Autor Gregor Hoppe
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDo