Itali: Për shkak të thatësirës gjendje e jashtëzakonshme në pesë rajone | Evropa | DW | 07.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Itali: Për shkak të thatësirës gjendje e jashtëzakonshme në pesë rajone

Si vende të tjera europiane edhe Italia po vuan javët e fundit nga vala e pazakontë e të nxehtit, ndërkohë që nuk ka pasur reshje. Qeveria ka vepruar tani duke vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në veri të vendit.

Rënie e nivelit të ujit në liqenet më të mëdha të Veriut, tharje e ujit në lumin Po: Për shkak të thatësirave, në pesë rajone të Italisë është vendosur tani gjendja e jashtëzakonshme. Këtë e bëri të ditur qeveria e kryeministrit Mario Draghi, pasi mbajti një takim të kabinetit ditën e hënë (04.07) në Romë.

Gjendja e jashtëzakonshme në rajonet veriore të Italisë: Emilia-Romagna, Friaul-Venecia-Xhulia, Lombardi, Piemont dhe Venecia është në fuqi deri në fund të vitit. Qeveria i ka vënë në dispozicion rajoneve të prekura për të luftuar thatësirën, 36,5 milionë euro. 

Gjendja e ujit në Lumin Po, lumin më të gjatë të Italisë, është në disa pika aq e pakët sa nuk ka qenë për dekada të tëra. Në derdhjen në det lumi sjell aq pak ujë saqë uji i kripur i Adriatikut futet kilometra të tëra në rrjedhën e sipërme të lumit, duke ia shtuar problemet fshatarëve që vuajnë shumë nga thatësira.

Bujqësi dhe energji elektrike e kufizuar

Fusha e rëndësishme për bujqësinë rreth lumit Po është duke përjetuar thatësirën më të rëndë në 70 vitet e fundit. Sipas Shoqatës më të madhe në vend të fshatarëve, Coldiretti,  thatësira ka vënë në rrezik 30 përqind të prodhimit agrar të vendit dhe gjysmën e sektorit të shtimit të kafshëve në lumin Po. Atje prodhohet kryesisht proshuta Parma.

Niveli i ujit në liqenin Lago Maggiore dhe në liqenin Gardasee janë më ultat në këtë dekadë. Qytetet italo-veriore Pisa dhe Verona ka kohë që kanë kufizuar përdorimin e ujit. Venecia dhe Milano kanë mbyllur një pjesë të çezmave publike. Edhe në Romë është shumë e dukshme mungesa e ujit: Tiberi sjell shumë pak ujë. 

Pasoja të tjera të thatësirës: Prodhimi i energjisë elektrike nga hidrocentralet ka rënë shumë. Hidrocentralet ndodhen kryesisht në mallet e veriut të vendit. Ato zakonisht furnizojnë vendin me një të pestën e energjisë së nevojshme elektrike për Italinë.

Thatësira më e madhe e mijëvjeçarit në Spanjë dhe Portugali 

Italien | Fluss Po trocknet aus

Lumi Po po thahet

Me siguri që rëndesa dhe propabiliteti i thatësirave janë shtuar prej ndryshimit të klimës në zonën e Mesdheut dhe në rajone të tjera të botës. Pjesë të Spanjës dhe Portugalisë janë tharë aq shumë sa nuk janë tharë në njëmijë vjet. Arsyeja ka të bëjë me ndryshimet e shkaktuara në zonat e presionit të lartë të Azoreve për shkak të ndryshimit të klimës, siç thuhet në një studim të publikuar nga revista "Nature Geoscience".

Zona e Azoreve, një zonë me presion të lartë në Atlantik, ka ndikim të madh ndaj motit dhe tendencat afatgjata të klimës në Europën Perëndimore. Në verë Azoret dërgojnë ajër të nxehtë, të thatë në Portugali, Spanjë dhe Francë. Në dimër dërgojnë lagështirë dhe reshje.

Në bazë të modeleve klimatike të 1200 viteve të fundit, studiuesit amerikanë kanë parë se sistemi i presionit të lartë në shekullin e kaluar "ka ndryshuar në mënyrë dramatike” dhe "këto ndryshime të klimës atlantiko- veriore brenda shekullit të kaluar janë të pashembullta".

Sipas tyre, 200 vjet më parë, kur filloi të rriteshin gazrat që shkaktojnë efektin serë, sistemi i presionit të lartë ka filluar të zgjerohet në një sipërfaqe më të madhe. Në shekullin e 20-të ai u shtri edhe më shumë për shkak të ngrohjes globale. Kurse sasitë e reshjeve kanë rënë, dimrat në Mesdhe janë më të thata.