1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Islami: Shqipëria shpreson të anëtarësohet në NATO

Viron Gjymshana18 Qershor 2004

Ministri i jashtëm shqiptar, Kastriot Islami për DW-në : Shpresojmë të anëtarësohemi në NATO gjatë samitit tjetër të Aleancës Atlantike, ndërsa negociatat mund t’i fillojmë që në vitin 2007

https://p.dw.com/p/Aqv8
Harta e vendeve anëtare të NATO-s
Harta e vendeve anëtare të NATO-s

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kroacisë pas një vizite që zhvilluan në kuartierin e përgjithshëm të NATO-s në Bruksel pohuan bashkarisht se gjatë samitit që do të mbahet këtë fundmuaji në Stamboll të Turqisë nuk presin ftesë për anëtarësim në organizatën euroatlantike. Ndërsa ministri i jashtëm shqiptar, Kastriot Islami është shprehur për « DW » se Shqipëria shpreson të anëtarësohet në NATO gjatë samitit tjetër të Aleancës Atlantike, ndërsa negociatat mund të fillohen që në vitin 2007.

Kastriot Islami, Ilinka Mitreva dhe Miomir Zhuzhulj, kanë tentuar dje në selinë e NATO-s, për të marrë qoftë edhe një premtim verbal nga samiti që do të zhvillohet këtë fundmuaji në Stamboll rreth mundësisë së një anëtarësimi të ardhshëm në gjirin e organizatës së Atlantikut Verior, por zyrtarët e NATO-s nuk i janë përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese të treshes ballkanike.

Ministrat e tre vendeve ballkanike pas takimit me ambasadorët e Këshillit të Përhershëm edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës të Veriut Jap de Hop Shefer kanë marrë vetëm inkurajime për të vazhduar procesin e reformave ushtarake dhe politike në vendet e tyre.

Në të dy takimet ministrat e Maqedonisë, të Shqipërisë dhe Kroacisë, kanë folur me përfaqësuesit e aleancës, kryesisht për progreset e secilit vend në kuadër të reformave që duhen kryer për tu anëtarësuar në NATO, si dhe për bashkëpunimin midis të tre vendeve, anëtare të Kartës të Adriatikut, të krijuar në maj të vitit 2003.

Ndërsa ministri i jashtëm shqiptar, Kastriot Islami është shprehur për « DW » se Shqipëria shpreson të anëtarësohet në NATO gjatë samitit tjetër të Aleancës Atlantike, ndërsa negociatat mund të fillohen që në vitin 2007.