1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ish oficeri i sigurimit që ka spiunuar Herta Müllerin thotë se nuk e ka terrorizuar atë

10 Dhjetor 2009

Kur Herta Myller të marrë çmimin Nobel për letërsinë sot (10.12.), atëherë pamjet televizive do i shohë edhe një farë Radu Tinu në qytetin Timisoara në Rumaninë perëndimore.

https://p.dw.com/p/Kylp
Dëftesa e shkollës së Herta Myllerit.
Dëftesa e shkollës së Herta Myllerit.Fotografi: AP

Ai është njëri prej atyre oficerëve të securitate-s, i cili organizoi represionet kundër shkrimtares. Radu Tinu, nga 1985 deri 1989 zëvendësshef i Securitate-s në qarkun Temesh, mbante nën mbikqyrje edhe bashkëshortin e atëhershëm të Herta Myllerit, Richard Wagner, dhe anëtarë të tjerë të grupit "aksioni i Banatit”. Ata të gjithë jo vetëm u mbikqyrën dhe u morën vazhdimisht në pyetje, u arrestuan dhe qëndruan në burg për muaj të tërë - por për ta u lançuan edhe informacione të rreme, si psh që Herta Myller ka qenë informante e securitate-s. Në vazhdim tö masave të atëhershme, duket se Radu Tinu sot mendon se duhet ta informojë Herta Myllerin, se ai vetë kishte instaluar në banesën e saj mikrofonë përgjimi. Kështu u mburr ai para ca kohësh në një gazetë rumune.

Deutsche Welles Tinu i tha në një bisedë telefonike, se Herta Myller ekzagjeron dhe gënjen, kur prezantohet si viktime e sigurimit të shtetit. Ajo ka patur kontakt të vazhdueshëm me një spiun gjermanoperëndimor, Atashenë e atëhershëm kulturor në Bukuresht. Me kohë ai i ka lexuar natyrisht të gjithë librat e saj, thotë Radu Tinu – cilësia e saj letrare është mediokre dhe në fakt jo e denjë për çmim Nobel. Radu Tinu ka qenë gjithnjë njëri i poshtërsive të vogla dhe të mëdha.

Nga sigurimi shtetëror në sigurim privat.

Ajo që tingëllon si shaka, është e vërtetë në rastin e Radu Tinu. Dikur zëvendësdrejtor i Sekuritates në qytetin e Rumanisë perëndimore Timisoara, shërbimit të shtetit nën diktatorin Ceausescu, sot ish oficeri punon si shef i filialit lokal të shoqërisë shtetërore të sigurimeve Asirom, që bën pjesë ndërkohë në Vienna Insurance Group.

Fshati Nitchidorf në Rumani ku ka lindur Herta Mylleri.
Fshati Nitchidorf në Rumani ku ka lindur Herta Mylleri.Fotografi: AP
Shtëpia e Herta Myllerit.
Shtëpia e Herta Myllerit.Fotografi: AP

Zyra e Tinus-it është e mobiluar në mënyrë spartane, në një dollap gjendet një fotografi e Ion Antonescut, e diktatorit profashist rumun të kohës ndërmjet dy luftrave, përgjegjës për holokaustin rumun. Tinu është 60 vjeç, i madh, i fortë, një burrë i ashpër, ushtarak dhe impulsiv. Ai vjen nga një familje e thjeshtë fshatare. është krenar, që është pjesë e një elite të caktuar – elitë me shumë pushtet dhe pa kategori etike, prej së cilës ka qenö i mrekulluar që në rini.

"Në shërbimet sekrete nuk ekziston e mira apo e keqja. Ata janë dicka shumë speciale, kudo në botë. Sikur të isha edhe një herë njëzet vjeëç, do të punoja përsëri për shërbimin sekret të vendit tim, sepse është një punë jashtëzakonisht interesante. Nuk bën kurrë dy ditë me rradhë të njëjtën gjë. Duhet të zbulosh të lexosh dhe të përgatitësh gjithmonë diçka. Spiunazhi nuk është diçka, që bëhet nga rojtarët apo ata, që lajnë makinat."

Unë kam respektuar vetëm ligjet

Vlërësimi i Tinus-it për vetveten është tipik për funksionarët në diktatura dhe natyrisht ai kundërshton të ketë qenë pjesë e aparatit represiv. "Shumë vetë na fajësojnë, se kemi punuar në Securitate. Por unë kam respektuar vetëm ligjet, të cilat nuk i kam bërë unë. Unë duhej t'i zbatoja. Në Securitate kam punuar për Rumaninë, jo për Ceausescun. Ceausescu ka qenë kryetatri i shtetit dhe ligjet më detyronin që ta mbroja atë. Unë nuk kam patur asnjë rast politik në punën time. Unë kam qenë oficer i kundërspiunazhit dhe jo zjarrfikës."

Kopertina e librit "Shilarësja e frymëmarrjes".
Kopertina e librit "Shilarësja e frymëmarrjes".
Herta Myller
Herta MyllerFotografi: Carl Hanser Verlag

Nuk është çudi, që biseda me Radu Tinu kalon shpejt dhe në mënyrë të paevitueshme në një konfrontim verbal. Si gati të gjithë ish oficerët e securitates ai jeton në një botë ku nuk bëhen pyetje ? Për viktimat e tij ai flet me një dozë arrogance dhe përçmimi. Por ka keqardhje për veten, kur kujtohet se si e arrestuan në dhjetor 1989 dhe si kaloi dy muaj në burg. "E dini, nganjëherë jam i keq, me të vertetë i keq. Jo sepse jam i tillë, por për shkak të këtyre dy vjetëve. A mund ta merrni me mend, se çfarë do të thotë, që mua, Radu Tinu, të më mirrnin në stacionin e trenit në pranga?! Në stacionin e Timisoarës dhe pranë meje ishin kriminelë të dobët, të cilët thonin se me ruanin. Si është e mundur kjo?! Biles Stalini ka respektuar Paulin dhe oficerë të tjerë, kur i arrestoi në Stalingrad. Unë biles kam bërë lista të armiqve. Unë ndjek fatet e tyre dhe gëzohem, kur atyre u ndodh një fatkeqësi. E di që nuk është mirë por gëzohem, kur pësojnë goditje fati, me të vertetë. E shihni deri këtu kam mbërritur!"

Tani ka kaq shumë ndotje dhe mbeturina

Radu Tinu fillon të qaje pa zë dhe hesht gjatë. Pastaj ai tregon, që fëmijët e tij nuk lejoheshin ta vizitonin në burg. Pastaj qan përsëri. Tek Tinu e keqja nuk është banale, tek ai është qesharake dhe e sëmurë. A e kupton ai dhimbjen dhe ndjenjën e poshtërimit, të atyre, që kanë vuajtur prej tij? Ai ngre kokën, vështrimi i tij është tej mase i çuditur, sikur donte të pyeste. Përse? Çfarë vuajtjesh? Pastaj shpjegon nga fillimi se sigurimi nuk ka qenë aparat represiv.

A ka qenë më mirë nën Ceausescu dhe me securitaten? Radu Tinu thotë, ai shkon dy herë në vit për pushime dhe i ka të gjitha që i duhen. Por: Në Rumani vetëm atëherë nuk kishte vjedhje, kur drejtohej me dorë të hekurt. Në Rumani nuk vidhej kur sundonte Antonescu dhe vidhej pak, kur sundonte Ceausescu. Unë jam i shokuar me atë, që ndodh në këtë vend! Çfarë mungese disiplie, çfarë mungese rregulli, sa kaos dhe sa krime! Rumania nuk është e përgatitur për demokracinë. Shikoni Timisoarën! Dikur ka qenë e pastër dritë. Po tani? Kaq shumë ndotje dhe mbeturina!

Autor : Keno Verseck / Angelina Verbica

Redaktoi : Aida Cama