Ish-drejtuesja e Zyrës për Refugjatët të Bremenit fajtore | Gjermania | DW | 08.06.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Ish-drejtuesja e Zyrës për Refugjatët të Bremenit fajtore

Kontrolli i brendshëm i Zyrës Federale për Refugjatët sipas medieve ka konstatuar se ish-drejtuesja e zyrës së Bremenit ka manipuluar me qëllime kriminale vendimet për azilin. Fjala është për shkelje masive të ligjit.

Kontrolli i brendshëm i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) e konsideron të dëshmuar se ish-drejtuesja e zyrës rajonale të Bremenit ka manipuluar me ndërgjegje dhe për motive kriminale vendimet për azilin. Këtë e bëjnë të ditur gazetat e Rrjetit Redaksional Gjermani, të cilat i referohen një raporti të hetuesve të brendshëm të Zyrës Federale për Refugjatët të 25 majit.

Injorim i rregullave të sigurisë

Pas kqyrjes së një numri të madh dosjesh mund të konstatohet se Ulrike B. për vite me radhë ka shkelur në një numër të papërcaktuar procedurash "të drejtën në fuqi dhe rregullat për vendqendrimin, direktiva në fushën e sigurisë dhe udhëzime të institucionit", citon rrjeti mediatik raportin e revizionit të brendshëm të BAMF-it.

Kështu, ish-drejtuesja ka "hequr dosje nga dollape të ndryshëm", për t'i "vendosur kërkesat ""siç dëshironin avokatët që trajtonin rastin". Shumë procedura "vlerësohen formalisht dhe materialisht si me të meta", direktiva në fushën e sigurisë "nuk janë respektuar". Veçanërisht në rastin e azilkërkuesve sirianë dhe irakianë nuk është verifikuar identiteti, megjithëse ka pasur sinjale se ka qenë fjala për nënshtetas turq, përkatësisht për "anëtarë klanesh që kanë rënë në sy". BAMF deri tani nuk është shprehur për këtë raport të brendshëm.

Rezistencë e madhe kundër një komisioni hetimor për BAMF-in

Për kërkesën e FDPs-ë dhe të AfD-së që të ngrihet një komision hetimor për të hetuar shkeljet te BAMF-it në Bundestag nuk ka shumicë për ta mbështetur. CDU/CSU dhe SPD argumentojnë se Komisioni i Brendshëm mund t'i sqarojë ato që kanë ndodhur më shpejt se një komision i ri, që më parë duhet të ngrihet. Partia e Majta dhe Të Gjelbrit i akuzojnë dy partitë se synojnë ta instrumentalizojnë politikisht Komisionin dhe se u mungon vullneti për sqarimin e ngjarjeve.

Të premten (08.06.) Komisioni i Punëve të Brendshme të Bundestagut do të mblidhet në seanca të tjera të posaçme për të trajtuar shkeljet në BAMF. Mbledhjet janë parashikuar që të jenë të mbyllura për publikun. Në zyrën rajonale të BAMF në Bremen mendohet se midis viteve 2013 deri 2016 u është dhënë të paktën 1200 vetëve azil, pa ekzistuar për këtë vendim një bazë juridike. Prokuroria e Bremenit zhvillon hetime edhe kundër të dyshuarve të tjerë, midis tyre tri avokatë.