1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Irani vazhdon punën në centrifugat bërthamore

Ulrich Pick (ADD)5 Shkurt 2007

Irani e ka ritheksuar deklaratën e tij se së shpejti do të çojë përpara programin e tij të diskutueshëm me instalimin e më shumë se 3 mijë centrifugave. Qeveria e Teheranit thekson se programi i saj atomik i shërben vetëm prodhimit të energjisë.

https://p.dw.com/p/Aqn4
Central atomik, Iran
Central atomik, IranFotografi: AP

Kur duhen vetëm edhe dy javë deri në përfundimin e rezolutës 1737, qeveria iraniane nuk ka ndërmend që të respektojë kërkesën për ndërprerjen e programit të saj atomik. Përkundrazi. Sipas të gjitha gjasave Teherani po punon për zgjerimin sasior të pasurimit të uraniumit.

Kështu, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad bëri të ditur se në ceremonitë festive në ditën e revolucionit, të dielën ai do të bëjë të ditur suksese iraniane në kuadër të programit atomik. Sipas informacionit të stacionit shtetëror iranian të lajmeve, Khabar, si dhe gazetës "New York Times", sekreti do të bëhet publik megjithatë që këtë javë. Të dyja mediet raportojnë se pasurimi i uraniumit në Iran ka ecur një hap të madh përpara, dhe kjo, në drejtim të një përmase industriale.

Që disa javë më parë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Mohamad Hosseini bëri të ditur diçka të tillë: "Ne do të fillojmë punën në 3 mijë centrifugat dhe me ndihmën e Zotit, edhe do t'i instalojmë."

Sipas inspektorëve të autoriteteve të energjisë bërthamore, IAEA, të cilëve ndërkohë u është lejuar hyrja në të gjitha pajisjet atomike në Iran, Teherani ndëkohë ka arritur të prodhojë pjesë ndërtimi për rreth 3 mijë centrifuga. Se kur dot të instalohen ato, kjo është e paqartë.

Deri tani në punë janë vetëm 328 centrifuga. Në këto centrifuga Irani ka arritur disa herë deri tani të pasurojë uraniumin në një masë tre deri në pesë përqind. Ky uranium i pasuruar dobët mund të përdoret si lëndë djegëse për centralet bërthamore, por jo për ndërtimin e bombave atomike. Për këtë nevojitet një shkallë pasurimi prej të paktën 90%.

Në fundjavë, gazetarë dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Energjisë Bërthamore nga Kuba, Malajzia dhe Egjipti patën mundësi të vizitojnë impiantin konvertuese në Isfahan. Në këtë impiant, uraniumi i papërpunuar kthehet në heksfluorid uraniumi, i cili pastaj mund të përdoret për pasurimin në uzinën përkatëse në Natanc. Përfaqësuesve të Organizatës së Energjisë Bërthamore iu lejua edhe instalimi i kamerave përgjuese.

Më 22 shkurt përfundon afati dymujor për zbatimin e rezolutës 1737, e cila kërkon nga Teherani që të ndalojë punën e tij pasuruese për uraniumin dhe të ndalojë punën në reaktorin e ujit të rëndë. Në rast të kundërt, Iranin e presin sanksione.