Irani në axhendën e takimit Merkel dhe Shirak | FOKUS | DW | 23.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Irani në axhendën e takimit Merkel dhe Shirak

Gjermania i përmbahet zgjidhjes diplomatike në krizën që po ashpëroshet lidhur me programin atomik të Iranit. Kancelarja Merkel dhe presidenti Shirak takohen të hënën në Versajë.

Zhak Shirak dhe Angela Merkel

Zhak Shirak dhe Angela Merkel

Ministri izraelit i mbrojtjes, Shaul Mofas ka lënë të nënkuptohet mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake të Izraelit për të penguar që Irani të realizojë posedimin e bombës atomike. Ndërsa Irani në fundjavë deklaroi, se nuk pranon asnjë lloj presioni nga Perëndimi. Gjithashtu qeveria në Teheran dënoi ashpër kërcënimin e presidentit francez Zhak Shirak, për përdorimin e armëve atomike kundër shteteve të terrorit si dhe deklaratën e Izraelit për angazhim eventual ushtarak.

Në sfondin e kërcënimit të presidentit francez Zhak Shirak, për përdorimin e armëve bërthamore, përfaqësues të qeverisë gjermane sërish kanë bërë thirrje për zgjidhjen diplomatike të grindjes. Ministri i jashtëm Frank-Valrter Shtajnamjer tërhoqi vëmendjen, që të mos "militarizohet të menduarit". Shtajanmajer mbështet përpjekjet për një zgjidhje diplomatike të grindjes me Iranin duke theksuar: "duhet të kujdesemi që zgjidhjet diplomatike të jenë gjithnjë në dispozicion dhe të ezaurohen sipas mundësive".

Kërcënimin e presidentit francez, që në rast rreziku të përdoren edhe armët atomike kundër terrorit, ministri gjerman i mbrojtjes, Franc-Jozef Jung e ka komentuar duke e refuzuar. Shprehimisht ai thekson, që "ne nuk duhet ta çojmë në këtë drejtim diskutimin." Jung i përmbahet zgjidhjes diplomatike në koordinim edhe me ShBA, Rusinë dhe Kinën. Sipas tij, natyrisht që duhet të merret në konsideratë deklarata e presidentit francez. Tek e fundit Franca është edhe përkatësisht e armatosur. Por ne në Evropë sa i përket politikës së mbrojtjes kemi përgjegjësi të përbashkëta. Çështjen e Iranit duhet ta zgjidhim bashkë me ShBA në mënyrë diplomatike. E në këtë proces duhet të involvohet edhe Rusia dhe Kina", tha ministri i mbrojtjes Jung.

Lidhur me këtë çështje do të bisedohet edhe në takimin të hënën në Versajë mes kancelares Angela Merkel me presidentit francez Zhak Shirak. Të pranishëm do të jenë edhe ministri i jashtëm Frank-Valter Shtajnmajer, si dhe homologu i tij francez Filipe Douste Blazi. Kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme në Bundestag, Rupreht Polenz, i partisë kristiandemokrate, lidhur me Iranin bën thirrje për "qëndrueshmëri dhe mprehtësi politike: Nga njëra anë ne duhet të krijojmë në Këshillin e Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike një front të gjerë ndërkombëtar kundër Iranit. Irani duhet ta dijë, që programi i tij bërthamor ngjall shqetësime në Evropë dhe në ShBA. Por nga ana tjetër edhe Iranit duhet t´i jepet mundësia që të ruajë imazhin e vet dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve." Gjermania, Franca dhe Britania e madhe kanë luajtur rolin e trios ndërmjetësuesë të BE-së në grindjen për programin atomik të Iranit.

Tonet në adresë të Iranit kanë nisur të ashpërsohen, qëkurse Teherani hapi komplekset bërthamore të mbyllura prej Agjencisë Ndërkombëtare Atomike. Ministri izraelit i mbrojtjes Shaul Mofas theksoi, se Izraeli nuk do të pranojë armë atomike iraniane. Kjo deklaratë është dëgjuar shpesh prej antarëve të qeverisë së Izraelit, por ministri i mbrojtjes i ka veshur asaj tone të reja. Mofas theksoi, se Izraeli njëkohësisht po mbështet përpjekjet diplomatike për ta vënë në lëvizje Iranin që të heqë dorë prej programit bërthamor. Kjo nënkupton një kërcënim në mënyrë indirekte me masa ushtarake në afat të mesëm ose të gjatë, në rast, se dështojnë përpjekjet diplomatike.

Ekspertët izraelitë të sigurisë megjithatë e vlerësojnë me skepticizëm mundësinë e asgjësimit të komplekseve bërthamore iraniane me një sulm të vetëm ushtarak. Retorika e ashpër nga Izraeli ndërkohë ka për qëllim kryesisht që të nxisë ShBA, Evropianët si dhe Kinën e Rusinë si antare të përhershme në Këshillin e Sigurimit që të ushtrojnë presion politik dhe ekonomik ndaj Iranit nëpërmjet sanskioneve. Nëse përpjekjet gjatë muajve të ardhshëm nuk do të kenë sukses, për Izraelin do të fitojë peshë gjithnjë e më shumë opcioni ushtarak. Ndonëse sulmet nga ajri nuk mund ta asgjësojnë programin bërthamor iranian, të paktën ato do ta ngadalësojnë këtë proces.

  • Data 23.01.2006
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgN
  • Data 23.01.2006
  • Autor Vilma Filaj-Ballvora
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqgN