Irani braktis ″disa angazhime″ të marrëveshjes atomike | Bota | DW | 08.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Irani braktis "disa angazhime" të marrëveshjes atomike

Media shtetërore e Iranit thotë se Teherani ka dërguar letra me të cilat i redukton angazhimet e tij në marrëveshjen e vitit 2015. Irani thuhet se akuzon disa nënshkrues se kanë kapitulluar ndaj presionit të SHBA.

Të mërkurën (08.05.) Irani i informoi palët nënshkruese të Marrëveshjes atomike të vitit 2015 se nuk ka ndër mend që t'u përmbahet më disa "angazhimeve vullnetare" të bëra në marrëveshje.

Ky vendim u mor pasi SHBA zhvendosën një grup aeroplanmbajtësesh në Lindjen e Mesme, për t'i dërguar Iranit një mesazh "të qartë dhe të pakeqkuptueshëm".

Çfarë tha Irani

Irani tha se do të heqë dorë nga kufizimi i rezervave të tij me uranium të pasuruar dhe i rezervave "të ujit të rëndë" të nevojitur nga disa tipe reaktorësh, me të cilën garantohet zbërthimi bërthamor;

Teherani informoi qeveritë e Gjermanisë, Britanisë, Francës, Kinës dhe të Rusisë për planet e tij me një letër të dërguar të mërkurën (08.05.) bëri të ditur media shtetërore;

Irani tha se do të rinisë pasurimin e thellë të uraniumit, nëse pas 60 ditësh shtetet që kanë nënshkruar Marrëveshjen atomike nuk do të jenë në gjendje të mbrojnë sektorët e naftës dhe të bankave të Iranit nga sanksionet;

Irani do ta respektojë kuadrin e Marrëveshjes së vitit 2015, por do të rinisë disa aktivitete bërthamore që i kishte ndaluar.

Paralajmërimi i Teheranit

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani paralajmëroi se po të kalojë afati pa kushte më të mira, Irani do të rinisë pasurimin e thellë të uraniumit.

"Nëse të pesë vendet bashkohen në negociata dhe e ndihmojnë Iranin që të arrijë përfitimet e tij në sektorët e naftës dhe të bankave, Irani do t'u rikthehet angazhimeve të tij sipas marrëveshjes bërthamore", tha Rouhani.

Megjithatë, Rouhani paralajmëroi për një "reagim të fortë", nëse liderët evropianë do të përpiqen të vendosin sanksione të reja kundër Iranit përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Uashingtoni i ka ashpërsuar muajt e fundit sanksionet kundër Iranit dhe i ka kategorizuar si grup terrorist Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit. Të martën, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo bëri një vizitë të paparalajmëruar në fqinjin e Iranit, Irak, për të diskutuar sigurinë e amerikanëve atje dhe për të shpjeguar shqetësimet në rritje të SHBA për aktivitetet në rritje të Iranit.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif tha të mërkurën në një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov se ndërsa Kina dhe Rusia e mbështetën Iranin për marrëdhënien bërthamore, shtetet nënshkruese të BE kanë dështuar që ta bëjnë këtë.

Gjermania dhe Franca kanë deklaruar të dyja se i janë përmbajtur edhe më tej marrëveshjes atomike me Iranin. Por është bërë e ditur se shtetet evropiane mund të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve, po t'i shkelë Irani kushtet e Marrëveshjes.

 

DW (AP, AFP, Reuters)