Integrimi kërkon angazhim për përshtatje | Gjermania | DW | 15.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Integrimi kërkon angazhim për përshtatje

Si qëndron puna me politikën e integrimit në Gjermani

Integrimi kërkon kontributin vetjak të imigrantëve

Integrimi kërkon kontributin vetjak të imigrantëve

Rreth 14 milionë njerëz në Gjermani kanë një sfond migrator. Ndërkohë një në çdo katër të porsalindur e ka të huaj njërin prej prindërve. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka shpallur integrimin e qytetarëve të huaj prioritet të sajin: me iniciativën e saj në verën e vitit 2006 në zyrën e kancelares në Berlin u zhvillua samiti i parë për integrimin. "Ne duam që ju të ndiheni tek ne si në shtëpinë tuaj", u shpreh Merkel pas samitit. Mesazhin "jeni të mirëpritur" e kanë pritur për kohë të gjatë imigrantët në Gjermani. Ai erdhi papritur vitin e kaluar dhe deri në mes të vitit 2007 do të hartohet madje një plan kombëtar integrimi. Gjërat po lëvizin në Gjermani në planin e integrimit. Por cili është stadi aktual?

"Mendoj se për vite me rradhë tema e integrimit nuk ka qenë në fokus e më pas e kemi nënvleftësuar ." Diter Vifelspyc (Dieter Wiefelspütz), zëdhënësi i partisë socialdemokrate gjermane për politikën e brendshme, i jep kështu nota të këqija qeverisë së kaluar gjermane në çështjen e politikës së integrimit. Për një kohë të gjatë Gjermania ka patur vështirësi ta perceptojë veten si vend emigrimi. I vështirë ka qenë si rrjedhojë edhe formulimi i përgjigjeve përkatëse politike dhe sociale ndaj sfidave të lidhura me të.

Ligji aktual gjerman për imigrimin ka hyrë në fuqi në 1 janar 2005. Me të rregullat e qëndrimit për të huajt janë riformuluar dhe thjeshtuar: ligji dallon ende mes lejes me afat të qëndrimit dhe lejes pa afat të vendosjes në Gjermani: si rregull leja e punës jepet nga autoritetet për të huajt njëkohësisht me lejen e qëndrimit në një akt unik administrativ.

E reja që ka sjellë ligji ka të bëjë me studentët e huaj të cilët pas studimeve mund të qëndrojnë në Gjermani nëse gjejnë një punë në përputhje me kualifikimin e tyre. Imigrimi i personave të kualifikuar si dhe i profesionistëve të pavarur për herë të parë rregullohet shprehimisht në ligj: kusht është një interes prioritar ekonomik i Republikës Federale si p.sh. për personat e kualifikuar në teknologjinë e informatikës dhe për inxhinierët.

Ligji për herë të parë parasheh edhe të drejtë ligjore për kurse integrimi për të huajt. Me përfundimin e suksesshëm të kursit lind e drejta ligjore për natyralizim me mbushjen e shtatë vjetëve qëndrim në Gjermani në vend të tetë vjetëve që kërkohen si rregull nga ligji.

141 milionë euro ka shpenzuar qeveria gjermane vitin e kaluar për kurset e integrimit. Ministri gjerman i punëve të brendshme Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble) thekson detyrimet që u lindin imigrantëve: "Integrimi i suksesshëm, dhe këtë e kam përmendur në shembullin e imigrimit turk që vazhdon prej 45 vjetësh, nuk është diçka që ndodh vetiu apo rastësisht. Përkundrazi ai kërkon një kontribut për t'u përshtatur nga të gjithë njerëzit që imigrojnë. Për këtë arsye ne si shtet duhet t'i mbështesim ata sipas parimit "ndihmo dhe kërko". Pra edhe njëherë: kush dëshëron të jetojë këtu vazhdimisht, kush dëshëron që fëmijët dhe pasardhësit e tij të jetojnë këtu duhet edhe të jetë i gatshëm të ndihmojë në integrimin e tij. Kush refuzon në mënyrë të vazhdueshme të mësojë gjermanisht duhet të presë edhe sanksione" - ka thënë ministri Shojble.

Kërkesat për sanksione vijnë në rradhë të parë nga ana e kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve: kush p.sh. kundërshton pjesëmarrjen në kurset e gjermanishtes duhet të gjobitet. Por kërkesa e ministrit të rendit Shojble për të dëbuar në raste ekstreme refuzuesit e integrimit, kundërshtohet prerë nga socialdemokratët.

Në qershor të vitit të kaluar me ftesë të kancelares Angela Merkel u zhvillua samiti i parë për integrimin. Rreth një e treta e gati 90 pjesëmarrësve nga të gjitha fushat e shoqërisë ishin imigrantë. Në mes të këtij viti pritet të paraqitet një "plan kombëtar për integrimin" i cili do të formulojë këshilla, masa dhe objektiva. Fjala është për shembull për fushë-tema të tilla si arsimimi dhe kualifikimi si parakushte për barazi shansesh në tregun e punës apo përmirësimi i kushteve të jetesës për gratë dhe vajzat. Këto të fundit janë shumë të rëndësishme mendon e ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin Maria Bëhmer (Maria Böhmer): "Ka vlera të cilat janë të panegociueshme por ne synojmë që ata që jetojnë në vendin tonë dhe që duan të jetojnë e punojnë këtu për kohë të gjatë t'i pranojnë këto vlera."

Nevoja për dialog vazhdon të jetë e madhe si dhe më parë. Shtatorin e kaluar u zhvillua në Berlin konferenca e parë për Islamizmin me ftesë të ministrit të brendshëm Volfgang Shojble. Atëherë heqja nga repertori i operas së Berlinit e veprës së Mozarttit "Idomeneo" prej frikës nga kërcënimi i pretenduar prej islamistëve shkaktoi një debat të nxehtë rreth lirisë së artit.

Konferenca shënoi preludin e një dialogu dyvjeçar në fund të të cilit pritet të arrihet një lloj pakti social mbi rregullat e detyrueshme për bashkëjetesën.

  • Data 15.01.2007
  • Autor Mirjam Gerke
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqy0
  • Data 15.01.2007
  • Autor Mirjam Gerke
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqy0