1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Instanca të larta të Sirisë dhe Libanit të implikuara në vrasjen e Haririt

21 Tetor 2005

Oficerë madhorë të shërbimeve sekrete të Sirisë dhe të Libanit sipas të dhënave të OKB-së janë të involvuar në vrasjen e ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri. Kjo del nga raporti i të ngarkuarit të posaçëm të OKB-së me hetimet, Detlev Mehlis.

https://p.dw.com/p/AqiC
Detlev Mehlis i dorëzon raportin Kofi Ananit në Nju Jork
Detlev Mehlis i dorëzon raportin Kofi Ananit në Nju JorkFotografi: AP

Atentati kundër Haririt më 14 shkurt ishte aq kompleks, sa që është e vështirë të besosh, se shërbimet sekrete të Libanit dhe Sirisë nuk kanë pasur dijeni për të, vuri në dukje Mehlis që është kryeprokurori i Berlinit. Pa aprovimin e ish-nëpunësve sirianë të shërbimeve sekrete dhe pa marrëveshje me kolegët e tyre në Liban nuk mund të ishte përgatitur një atentat i tillë.

Raporti i hetimeve prej 54 faqesh përmban material shpërthyes. Rezultatet e hetimeve mund të shndërrohen në një tërmet politik në Siri dhe në Liban, vënë në dukje ekspertët e Lindjes së Mesme. Komisioni i krijuar prej kryeprokurorit të Berlinit Mehlis ka arritur në konkluzionin, se në instancat më të larta në Damask dhe në Bejrut mund të jenë implikuar në atentatin kundër Haririt. Ky aksion është planifikuar prej kohësh. Mënyra se si është realizuar ai të çon në përfundimin, se shërbimet sekrete siriane në bashkëpunim me agjentët libanezë qëndrojnë pas këtij sulmi, theksohet në raport.

Asadi i hedh poshtë akuzat

Në raport përmenden edhe emra. Nga pala siriane përmenden si të implikuar në vrasje ndër të tjerë edhe vëllai si dhe një kunat i presidentit Bashir el Asad. Ky i fundit para pak ditësh e hodhi poshtë akuzën, se vendi i tij ka luajtur rol në këtë vrasje. Në një intervistë për televiozionin CNN ai deklaroi, se "ne nuk do ta bënim një gjë të tillë, sepse kjo është në kundërshtim me interesat tona dhe me parimet e mia si president." Më tej Asad theksoi, se "nëse ka ndonjë provë, atëherë ne do të veprojmë".

Pasojat që mund të ketë Siria dhe Libani nga ky raport

Sipas analistit të DW-së, për Lindjen e Memse, Peter Filip, Asad do të mund të çlirohet prej kësaj afere vetëm nëse ai vepron me konseguencë dhe i nxjerrë përpara drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës. Raporti i Mehlisit do të ketë pasoja të paparashikuara për Sirinë, pavarësisht nga përgënjeshtrimet e deritanishme të presidnetit Asad. Ai e ka të qartë, se nuk ka karta të mira në SHBA. Uashigntoni dhe Parisi kanë kohë që kërkojnë përballjen e Sirisë me konseguencat në rast të implikimit në këtë atentat. Aq më shumë që Damasku është bërë i padëshirueshëm edhe në dy çështje të tjera: ai i mban të hapur kufijtë me Irakun për elementët e armatosur dhe mbështet grupet radikale palestineze, gjë që është në kundërshtim me rregullloren e paqes me Izraelin.

Qysh në gusht u arrestuan si të dyshuar pë rimplikim në atentat katër gjeneralë madhorë të shërbimit sekret. Siç duket tani dyhsimet konfirmohen në raportin e OKB-së. Këta persona nuk kanë vepruar të mëvetsishëm, por në bashkëpunim me grupet pro-siriane dhe persona në Liban, ose kukulla që për disa dhejtë vjeçarë
Damasku ka mundur t´i aktivizojë për të përcaktuar fatet në vendin fqinj. Siria ka influencuar 30 vjet resht Libanin duke vepruar e manipuluar sipas qefit. Siria ka influencuar zgjedhjet duke vendosur në pushtet politikanët që i initeresonin asaj dhe duke penguar të tjerët. Influenca ka arritur deri në majën e shtetit duke vendosur si president Emile Lahud, kjo u arrit me ndryhsimin e kushtetutës nën presionin e Damaskut. Por pas zbulimit të këtyre lidhjeve elementët pro-sirianë në Liban do ta kenë të vështirë. Ose ata do të përpiqen të kundërgodasin, e kjo do të jetë një arësye e mjaftueshme për qeverinë e tanishme që vendosë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të urdhërojë patrullimet e ushtrisë nëpër rrugë.