ILO: Moment historik në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve | Bota | DW | 05.08.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

ILO: Moment historik në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve

187 vende ratifikojnë Konventën për Mbrojtjen e Fëmijëve. Një moment historik në luftën kundër shfrytëzimit të tyre, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës. ILO paralajmëron që puna e fëmijëve mund të shtohet përsëri.

Të gjitha vendet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ratifikuan konventën kundër formave më të rrezikshme të punës së fëmijëve. Në historinë 101-vjeçare të kësaj agjencie të OKB kjo ishte marrëveshja e parë që u ratifikua nga të gjithë anëtarët. Shteti i vogël ishull në oqeanin Paqësor Tonga ishte vendi i fundit që iu bashkua marrëveshjes.

Drejtori i përgjithshëm i ILO-së, Guy Ryder u shpreh për një sinjal të fortë për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve. Konventa u miratua në vitin 1999. Sipas saj punë të rrezikshme, si puna në miniera nëntokësore janë të ndaluara për të miturit, sikurse edhe skllavëria, puna me detyrim, trafikimi i qenieve njerëzore, shfrytëzimi seksual ose përdorimi për konflikte të armatosura. Sidoqoftë në zbatimin e këtyre rregullave ka zbrazëtira të konsiderueshme.

Shkaku kryesor: varfëria

ILO vlerëson se në gjithë botën punojnë sot 152 milionë djem dhe vajza, 73 milion syresh në profesione që përbëjnë një kërcënim të veçantë për shëndetin dhe zhvillimin e tyre fizik. Arsyeja kryesore është, se prindërit nuk janë në gjendje ta mbajnë familjen vetëm me punën e tyre.

Që nga fillimi i mijëvjeçarit shumë vende kanë miratuar ligje kundër formave më të egra të punës së fëmijëve dhe sipas ILO-s deri në vitin 2016 numri i të miturve të prekur kishte rënë me 40 përqind. Kombet e Bashkuara duan t'i japin fund punës së fëmijëve të çdo forme deri në vitin 2025. Sidoqoftë pandemia e Coronës kërcënon t'i prapësojë përparimet: ILO paralajmëron që puna e fëmijëve mund të shtohet përsëri.