1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Alt aber fit

24 Korrik 2010

Sot çdo i pesti banor në Gjermani është mbi moshën 65 vjeçare. Pas 30 vitesh mbi këtë moshë do të jetë çdo i treti banor. Por pensionistët e sotëm janë të motivuar. Ata angazhohen vullnetarisht në projekte sociale.

https://p.dw.com/p/OTd3
Pensionistë dëgjojnë një leksion mbi "Të qenurit aktiv në pension" në Universitetin Viadrina, Frankfurt mbi Oder
Pensionistë dëgjojnë një leksion mbi "Të qenurit aktiv në pension" në Universitetin Viadrina, Frankfurt mbi OderFotografi: picture alliance/dpa

Gjithnjë e më shumë ata fillojnë diçka të re. Pas daljes në pension ata angazhohen vullnetarisht në projekte sociale për bashkëqytetarët e tyre. Në dhjetë vitet e kaluara është shtuar shumë përqindja e përfshirjes së moshës së tretë në aktivitetet vullnetare. Aktualisht më shumë se një e treta e njerëzve nga kjo grupmoshë janë të angazhuar në aktivitete të ndryshme. Kjo për faktin se sa më e rëndë që bëhet barra e borxheve të shtetit dhe si pasojë sa më shumë që dobësohet rrjeti social aq më shumë shtohen nevojat për angazhimet mbi baza vullnetare.

Shumë pensionistë ofrojnë lexime në shkolla
Shumë pensionistë ofrojnë lexime në shkolla filloreFotografi: Generali Zukunftsfonds/Birgit Betzelt

Angazhim qytetar - E rëndësishme të bësh diçka

Puna vullnetare është kthyer sërish në "modë". Para së gjithash tek ata të cilët edhe pas daljes në pension duan që të ndajnë me të tjerët përvojat jetësore, mundësitë dhe dijen e tyre. Pavarësisht se a bëhet fjalë për mbrojtjen e ambientit apo të kafshëve, respektimin e të drejtave të fëmijëve, ndihmat për familjet e varfëra apo shoqërimin dhe përkujdesjen ndaj personave të moshuar - puna vullnetare apo thënë më mirë angazhimi qytetar është sot i domosdoshëm. Dhe duke patur parasysh ndryshimet demografike puna vullnetare do të përjetojë një bum të vërtetë.

Prof. Hans Fleisch
Prof. Hans FleischFotografi: Bundesverband Deutscher Stiftungen

Kështu shprehet profesori Hams Fleisch. Ai është sekretar i përgjithshëm i Shoqatës federale të Fondacioneve gjermane dhe i gëzohet faktit që gjithnjë e më shumë persona të moshës së tretë themelojnë vetë fondacione për të jetësuar idealin e tyre në ndihmë të bashkëqytetarëve. Fleisch: "Ne nuk moshohemi gjithnjë e më shumë por ne mbetemi më gjatë të rinj. Për secilin që ka kaluar të 60-tat dhe angazhohet është një gjë e mirë për shpirtin, për shëndetin, për formën e mirë e kështu me radhë. Njeriu bën diçka për vete por nga ana tjetër është i nevojshëm për shoqërinë, në mënyrë që ata që kanë kohë të lehtësojnë të tjerët dhe të marrin përsipër më shumë përgjegjësi brenda komunitetit. Kështu ne mund të ruajmë lidhjen e brendshme dhe nivelin në aspektin kulturor dhe shoqëror."

Pensionistët vizitojnë kurse interneti
Pensionistët vizitojnë kurse internetiFotografi: dpa zb

Ata që duan ndihmë do të takohen me ata që ofrojnë ndihmë

Numri i iniciativave rritet nga dita në ditë. Projekte shembullore si "Lidhja e seniorëve Riedlingen", "Rrjeti i fqinjve Frankfurt mbi Majn" apo "Rrjeti vullnetar Tyringen", tregojnë se edhe pas vitesh pune të suksesshme angazhimi i pjesëmarrësve nuk zbehet por rritet. Gjatë dhjetë viteve të kaluara përqindja e të moshuarve të angazhuar në projekte vullnetare është rritur fort. Aktualisht të angazhuar janë më shumë se një e treta e kësaj grupmoshe. Domethënie të veçantë sipas parashikimeve të sociologëve do të fitojë angazhimi i tyre në mesin e fqinjëve të parë. Shumë prej atyre që angazhohen për bashkëqytetarët e tyre duan ta bëjnë këtë jo në formë abstrakte por shumë konkretisht në qytetin, fshatin apo në lagjen ku banojnë.

Gudrun-Halbrock.jpg
Pensionistët ndihmojnë në mbarëvajtjen e komunitetit ku jetojnëFotografi: G. Halbrock

Profesori i mjekësisë sociale Klaus Dörner është i sigurt se sot nuk kemi vetëm dy hapësira sociale, pra hapësirën private dhe hapësirën publike, siç jemi zhvilluar në të vërtetë edhe ne. "Fëmijët në shkolla e njohin vetëm privaten dhe publiken dhe nuk e dijnë se ekziston edhe një hapësirë e tretë sociale me madhësinë e lagjes apo të komunitetit të fshatit. Dhe kjo është në të vërtetë e vetmja hapësirë për të mirën e përbashkët dhe hapësira e vetme për proceset e integrimit." Një rol qendror do të marrin në të ardhmen institucionet shoqërore tradicionale si organizatat bamirëse, azilet e pleqve, zyrat e komunitetit, dyqanet apo kishat në lagje. Ato do të kthehen në zyra ndërmjetësimi ku ndihmësit vullnetarë dhe ata që kërkojnë ndihmë do ta gjejnë shpejt njëri-tjetrin.

Autor: Peter Kolakowski/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi