I dobësuar por jo për t′u nënvleftësuar | Politika | DW | 21.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

I dobësuar por jo për t'u nënvleftësuar

Pesë vite në post të Presidentit të ShBA George W.Bush

Viti që lamë pas e ka dobësuar pozicionin e presidentit Bush

Viti që lamë pas e ka dobësuar pozicionin e presidentit Bush

Pas shumë mundimesh, përsëritjesh të numërimit të votave dhe një vendimi gjykate pesë vjet më parë më 20 janar 2001, George W. Bush bëri betimin si presidenti i ri i ShBA. Por mundimet vazhduan: atentatet e 11 shtatorit, luftërat në Afganistan dhe Irak dhe një strategji e re edhe për Amerikën për luftimin e terrorizmit. Veçanërisht jashtë vendit Bush ishte në qendër të kritikave për shkak të luftës në Irak, e ndërkohë janë në rënie edhe rezultatet e sondazheve edhe në ShBA.

Shumë vetë nuk donin ta besonin dhe shumë protestuan kur më 20 janar 2001 George W. Bush bëri betimin përpara Capitol-it në Uashington. Vetëm pas një vendimi të Gjykatës Supreme të ShBA mori fund polemika për rezulatin e zgjedhjeve të nëntorit e cila zgjaste prej mëse një jave. Në fakt Al Gore, zv/presidenti në administratën e Bill Clinton, kishte marrë më shumë vota se republikani Bush. Por sistemi elektoral indirekt në ShBA dhe vendimi i gjykatës ulën George Bush-in në karrigen e presidentit. Bush bëri menjëherë të qartë se rruga e zgjedhur prej tij do të ishte një tjetër: marrëveshjen e Kiotos për mjedisin si dhe atë të çarmatimit me Rusinë i vuri mënjanë pa e bërë të gjatë ndërkohë që filloi menjëherë zbatimin e reformave radikale fiskale.
Dhe natyrisht: atentatet e 11 shtatorit 2001, lufta e Afganistanit në vitin 2003 si dhe lufta e Irakut. Presidenti Bush përcaktonte rendin e ditës në Uashington gjatë mandatit të parë thotë politologu John Fortier nga instituti "American Enterprise":
"Mandati i dytë duket ndryshe nga i pari. Gjatë mandatit të parë Bush ishte vërtet i polemizuar por arriti shumë dhe përcaktonte rendin e ditës. Gjatë vitit të kaluar, në mandatin e dytë presidencial, ylli i tij është zbehur. Rendi i ditës është përcaktuar më shumë nga Kongresi dhe partitë politike. Presidenti Bush kishte plane të mëdha për këtë mandat të dytë por deri tani nuk i ka vënë dot në jetë."
Rizgjedhjen e tij në vitin 2004 George W. Bush e komentoi me fjalët: "Kam fituar kapital politik të cilin kam tani ndërmend ta përdor."
Por asgjë nuk ndodhi: reforma e paralajmëruar me bujë e sigurimit të pensioneve është shtyrë për të mos thënë është zhdukur fare nga plani i punës ashtu si risistemimi i ligjeve fiskale. George Bush nuk ka shënuar shumë arritje gjatë mandatit të tij të dytë mendon John Fortier: "Në fillim ai kishte mundësi të fitonte kapital nga rizgjedhja por nuk ia doli mbanë. Mqs objektivat e tij ishin pjesërisht shumë ambicioze nuk arriti të fitonte as mbështetjen e partisë së tij. Lufta e Irakut e ka bërë gjithnjë e më pak popullor dhe nuk arriti të bashkonte partinë. Kështu p.sh. pati kundërshtime të forta ndaj planeve për shpimet e naftës në Alaskë. Më pas edhe për uraganin Katrina. Ai nuk shihej më si personaliteti i fortë drejtues i pas sulmeve të 11 shtatorit. Këtyre iu shtuan edhe skandalet rreth shefit të tij të shtabit dhe zv/presidentit. Mandati i tij i dytë duket tepër modest, të paktën përballë synimeve ambicioze fillestare."
Presidentit Bush i mbeten edhe tre vite në post brenda të cilave duhet t'i japë fund luftës gjithnjë e më të kritikuar në Irak, të reduktojë defiçitin buxhetor që ka arritur përmasa gjigande dhe të avancojë në rindërtimin e bregdetit të Gjirit të shkatërruar nga uraganet. Bush e vlerëson kështu situatën:"Jam optimist pasi besoj në vlerat e Amerikës. Unë besoj në parimet që mbrojmë."
Nënvleftësimi i George W. Bush do të ishte gabim, dhe këtë e dinë mirë kundërshtarët e tij politikë, megjithëse pas pesë vjetësh në post ai duket i dobësuar.

  • Data 21.01.2006
  • Autor Martin Wagner
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqr9
  • Data 21.01.2006
  • Autor Martin Wagner
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqr9