Hungari: Një kryebashkiak nga provinca i kundërvihet Orbanit | Evropa | DW | 16.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Hungari: Një kryebashkiak nga provinca i kundërvihet Orbanit

Para zgjedhjeve europiane Viktor Orban nxit urrejtjen sidomos kundër BE-së dhe refugjatëve. Kryetari i Bashkisë, Peter Marki-Zay i kundërvihet me guxim dhe lufton për një Hungari të hapur ndaj botës, si pjesë e Europës.

Duke qenë kandidat i pavarur, Marki Zay fitoi papritur zgjedhjet lokale në qytetin e tij të lindjes, Hodmezövasarhely. Ai kritikon hapur qeverinë e kryeministrit Orban. Kjo është arsyeja pse atë e njeh kushdo në Hungari. Por, kryetari 47 vjeçar i bashkisë nuk e prish qetësinë. Ai angazhohet në projekte për pakicën rome, lufton kundër korrupsionit dhe kërkon që të bashkojë opozitën në Hungari.

Peter Marki Zay dokumenton duke fotografuar me celularin e tij një pankartë elektorale të Fidesz-it kundër tij: "Në një nga pllakatat shkruhet se unë jam i dhunshëm, në një tjetër se unë bëj politikë për pakicën rome.”

400 pllakata të tilla ka prodhuar partia në pushtet, Fidesz. Në këtë mënyrë ajo synon ta dëmtojë kryetarin e bashkisë. "Për fat të keq antisemitizmi dhe armiqësia kundër romëve janë pjesë e retorikës së partisë Fidesz. Ajo  shfrytëzon frikërat e njerëzve për të arritur dorëheqjen time", thotë Marki Zay.

Fidesz kundër Marki Zay

Sepse partisë Fidesz të Orbanit nuk i pëlqen që Marki Zay, politikan pro Europës mori një vit më parë bashkinë në Hodmezövasarhely. Në bastionin e partisë, kryetari i Bashkisë është duke luftuar korrupsionin dhe propagandën kundër të huajve. "Shumë hungarezë mendojnë se korrupsioni që ushtron partia e Orbanit është në rregull. Kryesore është që të mos lejohen të vijnë migrantë në vend, ata që dhunojnë gratë dhe marrin vendet e punës. Për fat të keq kjo propagandë ka pasur efekt."

Prandaj kryetari i Bashkisë kërkon një Hungari të hapur dhe tolerante. Në qytetin e tij është valëvitet flamuri i BE-së në pallatin e kulturës. Dhe ai organizon aktivitete për pakicën rome.

Ungarn Logo Partei Fidesz (Getty Images/AFP/A. Kisbenedek)

Përkrahës të partisë së Viktor Orban, Fidesz para parlamentit

Marki Zay nuk druhet të takohet me romët dhe ata janë të kënaqur me politikanin që bën përjashtim nga të tjerët. Më në fund një politikan që nuk i përbuz, por i trajton me respekt, thonë ata.

Kryetari i bashkisë, që është pa parti ka qenë dikur simpatizant i politikës së Orbanit. Por, kjo politikë ka ndryshuar krejtësisht në 10 vitet e fundit, tregon ai. "Për ne është shumë e rëndësishme, që Hungaria të jetë një shtet demokratik europian. Është për të ardhur keq që qeveria jonë i është larguar kësaj rruge."

Përplasje në bashkinë e Hodmezövasarhely

Në Këshillin bashkiak në Hodmezövasarhely shumicën e ka partia Fidesz e Orbanit. Dhe gjithnjë aty ka debate. "Këtu ka nisur të rindërtohet shteti i së drejtës dhe i demokracisë së Hungarisë. Njerëzit janë më të guximshëm se më parë. Kjo është ajo që shqetëson Fidesz-in."

Nënkryetarja e Bashkisë nga partia socialiste Andrea Kis thotë, se: "Sa i përket zgjedhjeve Europiane, synimi ynë i përbashkët është që populistët e djathtë të Fidesz-it të marrin sa më pak mandate dhe që opozita të marrë sa më shumë. Ne jemi duke punuar për këtë javët dhe ditët e fundit."

Në fillim bëhet një diskutim i shkurtër i gjendjes në bashki. Pastaj, kryetari 47 vjeçar i bashkisë shkon në takimin e fundit për këtë ditë. E rëndësishme është që njerëzit të binden personalisht, shpjegon ai, sidomos kur kanë përpara kundërshtarë të fuqishëm. Në forumin e qytetarëve bëhet fjalë për çështje konkrete. Por edhe këtu flitet për politikën hungareze, në të cilën Marki Zay luan një rol të rëndësishëm.

Mënyra se si bën politikë kryetari i bashkisë nuk është e vetëkuptueshme për Hungarinë. Prandaj, 47 vjeçari ka bërë emër jo vetëm në Puszta, por në në gjithë vendin.