1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Homoseksualët maqedonas ende pa një klub të vetin

Goran Petreski23 Shtator 2006

Këtë javë në Maqedoni pritej të përurohej klubi i parë për homoseksualë dhe lesbike. Kjo gjë nuk ndodhi, sepse banorët e zonës ku gjendet ky klub protestuan.

https://p.dw.com/p/ArAA
Fotografi: AP

Sociologët maqedonas nuk habiten prej reagimeve të tilla. Njerëzit në Maqedoni vuajnë sipas mendimit të tyre prej homofobisë dhe do të kalojë shumë kohë deri sa homoseksualët të arrijnë të gjejnë mbështetje të gjërë në shoqërinë maqedonase.

Megjithatë sociologu Nelko Stojanovski vëren shenjat e një lloj tolerance në radhët e popullsisë maqedonase:

"Sipas vlerësimit tim qëndrimi i shoqërisë ka ndryshuar brenda një kohe të shkurtër, nga një homofobi e fortë, ku madje nuk mungonin zërat që kërkonin edhe dënime me vdekje për homoseksualët, deri tek një situatë, kur për ngjarje të tilla mendimet janë të ndara."

Klubi quhet "Sequence" dhe është konceptuar si një vend ku homoseksualët dhe lesbiket mund të ndjehen të lirë, të rrinë dorë-përdore, të fërkohen, apo madje edhe të puthen, tregon Marija Kirovska, manaxhere e klubit.

"Ideja për ngritjet e klubeve për homoskeksualët ka kohë që ekzsiton në të gjithë botën, por këtu në Maqedoni e patëm të vështirë ta realizonim. Mentaliteti ynë nuk e lejon një gjë të tillë, por dikur edhe ne duam të anëtarësohemi në BE dhe duke menduar dhe punuar në këtë drejtim, duhet të hapim edhe një klub për homoseksualët. Për këtë morëm, edhe një vendim të tillë."

Ideja për hapjen një klubi për homoseksualët dhe lezbiket në Shkup u mbështet si prej Komitetit të Helsinkit, disa partive poltike si dhe Shoqatës maqedonase për lirinë e orientimit seksual. Partia në pushtet, VMRO DPMNE ishte kundër. Megjithatë banorët e lagjes Taftalixhe në Shkup kanë frikë se ky klub do t'u prishë qetësinë e lagjes dhe me protestat e tyre arritën që përurimi i klubit të shtyhet për një datë të mëvonshme.

"Nuk e di se si e kanë marrë lejen për hapjen e këtij klubi, kur të gjitha lagjet thonë se në lagjet e banuara, nuk lejohet hapja e klubeve të natës. Sikur të mos mjaftojë kjo nëpër rrugët e lagjes do na rrotullohen edhe ca pederastë!" - thotë një prej kundërshtarëve të klubit.

Përpjekja e dështuar për hapjen e klubit zgjoi interes të madh në media. Në natën kur do të bëhej ceremonia e përurimit klubi Sequence u rrethua prej ekipeve të xhirimit. Po ashtu ishin angazhuar edhe shumë bodigardë që do të ruanin pjesëmarrësit në festë. Që herën tjetër hapja e klubit të realizohet, manaxherët e tij planifikojnë që ceremoninë ta realizojnë pa publicitet të madh.