Hizbollah kërcënon me sulme me raketa përtej Haifës | Bota | DW | 26.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hizbollah kërcënon me sulme me raketa përtej Haifës

Ushtarët izraelitë dhe luftëtarët e milicisë radikale islamike kanë zhvilluar sot përsëri luftime të ashpra pranë Bint Xhbail në jug të Libanit. Një zëdhënës i ushtrisë në Tel Aviv tha se përleshjet janë të ashpra dhe nga të dyja palët ka patur viktima. Lideri i hizbollave Hassan Nasrallah, ka kërcënuar me sulme kundër objektivave izraelitë në jug të Haifës.

Në Haifa kanë rënë 16 raketa

Në Haifa kanë rënë 16 raketa

Në ditën e konferencës për Libanin në Romë ngjarjet në rajonin e krizës janë bërë më brutale dhe dramatike. Një numër i madh ushtarësh izraelitë janë vrarë gjatë luftimeve për kontrollin e qytetit të vogël strategjik Bint Xhbail në jug të vendit ka njoftuar sot në mëngjes agjensia e lajmeve Al Arabija e cila i referohej të dhënave të mjekëve në terren. Al Xhazira jep shifra më të sakta: nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë në luftimet e ashpra me hizbollatë.

Më parë Izraeli kishte shokuar botën me bombardimin e disa pozicioneve të vëzhguesve të OKB-së. Katër helmeta të kaltra humbën jetën pas sulmit nga ajri kundër bazës së tyre: një kinez, një finlandez, një kanadez dhe një austriak. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan ka reaguar i indinjuar dhe foli për një sulm të qëllimshëm. Baza e cila ishte pajisur me shenja të qarta dalluese të OKB-së ishte vënë në shënjestër me qëllim dhe pas goditjes së parë ushtarët izraelitë kanë qëlluar madje edhe kundër ekipit të shpëtimit, ka thënë Anan. Izraeli i hodhi poshtë akuzat për sulme të qëllimshme dhe shprehu keqardhje për ngjarjen.

Të hënën predha anti-tank goditën një bazë të helmetave të kaltra dhe si pasojë u plagosën katër vëzhgues. Ndërsa javën e kaluar një predhë izraelite plagosi rëndë një ushtar të OKB-së. Të gjitha këto nuk janë të reja. Në fushatën e tyre dhjetë vjet më parë avionët luftarakë izraelitë patën bombarduar madje një kamp refugjatësh të Kombeve të Bashkuara dhe patën vrarë 106 civilë.

Lideri i Hizbollave sheiku Nazrallah njoftoi mbrëmë se micilët e tij do t'i shtrijnë sulmet në objektiva përtej Haifës: "Unë deklaroj se do të nisim fazën "përtej Haifës". Kjo është një shkallë e re e përballjes me armikun, një shkallë në të cilën ai na ka detyruar. Në fazën e ardhshme raketat tona nuk do të kufizohen vetëm në Haifa. Pavarësisht reagimit të armikut në do të qëllojmë përtej Haifës. Se ku do të ndodhë kjo do ta vendosim ne", është shprehur lideri i hizbollave.

Ekspertët dyshojnë se hizbollatë me raketat e tyre mund të arrijnë madje edhe metropolin Tel Aviv.

Ndërkohë Izraeli ka kryer dhjetëra sulme të reja ajrore në jug të Libanit.
Sot në mëngjes është nisur nga Bejruti edhe konvoji i parë i OKB-së i cili do të furnizojë me ushqime dhe barna civilët e bllokuar në zonën e luftimeve. Objektivi i parë është qyteti port Tirus. Për transportin Izraeli pas shumë ngurimeve ka dhënë garanci sigurie.

Në kryeqytet sot në mëngjes mbërriti dhe një avion ushtarak nga Jordania i cili do të transportojë në Aman 150 të plagosur rëndë. Avioni jordanez është i pari që zbret në Bejrut që prej shkatërrimit të aeroportit nga bombat izraelite 12 ditë më parë.

  • Data 26.07.2006
  • Autor Jürgen Hanefeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKs
  • Data 26.07.2006
  • Autor Jürgen Hanefeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArKs
Reklamë