1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hilari apo Barak? - Fillon fushata presidenciale e demokratëve

Klaus Kastan22 Janar 2007

Ndërsa presidenti i ShBA Xhorxh Bush po punon për një strategji të re për Irakun dhe për bilancin e presidencës së tij, në ShBA ka kohë që ka nisur gara për pasardhësin

https://p.dw.com/p/ArJe
Senatori Barak Obama
Senatori Barak ObamaFotografi: AP

Tani lufta për kandidaturën presidenciale mund të nisë vërtetë tek demokratët. Hilari Klinton të shtunën më 20 janar hodhi dorashkën në ring, duke deklaruar themelimin e komitet të detyrueshëm të ekspertëve: "Unë filloj sot jo vetëm fushatën elektorale, por para së gjithash bisedimet me ju, me Amerikën."

Kështu u shpreh ish-first lady e ShBA, e cila tani do që bashkëshortin e saj të bëjë "first gentleman". Këmbim rolesh alla amerikançe.

Hilari Klinton, ende konsiderohet si favorite nëpër sondazhet me demokratët, megjithatë pas saj është në pritje edhe aspiranti Barak Obama. Afro-amerikani karizmatik shpalli të martën e kaluar më 16 janar themelimin e një komiteti. Ky komitet duhet të verifikojë kushtet financiare dhe logjistike për fushatën elektorale. Por kjo nuk është gjë tjetër veçse një formalitet.

Eshtë interesante, se që të dy si Obama ashtu edhe Klinton, e kanë publikuar përmes internetit themelimin e forumeve konsultuese. Me këtë ata deshën të prezantoheshin pranë qytetarëve dhe modernë. Në fushatën paraprake që të dy bëjnë për vete elektoratin e mundshëm. Hilari Klinton dëshiron të bisedojë me njerëzit dhe Barak Obama e ka bërë këtë prej kohësh: "Përpara një viti nuk e kisha menduar se do të gjeja veten në një rol të tillë. Por kam folur me shumë prej jush, kam udhëtuar anembanë vendit, kam marrë e-mailat dhe letrat tuaja dhe e kuptova, se të gjithë ne mezi presim një stil të ri politik."

Qysh në fushatën paraprake elektorale mund të kutposh nënteksin tek të gjithë kandidatët. Me deklaratën e mësipërme Obama do të bëjë të qartë sa më poshtë:

1. Unë jam gabuar përpara një viti, teksa thashë hapur, se nuk jam në dispozicion për postin presidencial në vitin 2008. Arësyeja për këtë gabim jeni ju zgjedhësit dhe zgjedhëset. Ju mendoni se unë jam kaq i mirë, sa që patjetër duhet të kandidoj tani. Pra unë po e bëj këtë.

2. Unë jam për një stil të ri politik dhe me këtë deklaratë, Obama do të fitojë simpatinë e të gjithë atyre, që i pengojnë rrugën atij duke e kritikuar, se ka shumë pak përvojë politike.

Ne jemi miq të mirë me njëri-tjetrin, u shpreh së fundi Barak e po kështu mendon edhe Hilari. Ndoshta kjo është e vërtetë, që të dy vijnë nga skajet e majta liberale të partisë së tyre. Por tani për tani që të dy duan të lënë përshtypjen si të qendrës, sepse e dinë mirë që me pikëpamje të majta është e vështirë të fitosh zgjedhjet në ShBA.

Hilari Klinton: "Pas gjashtë vjetësh Xhorxh Bush ka ardhur koha, të ripërtërijmë premtimin e Amerikës, pavarësisht kush je ti dhe nga vjen ti, nëse ti punon shumë dhe u përmbahesh rregullave, ti mund të ndërtosh një jetë të mirë për veten dhe familjen tënde. Unë vij nga një familje e mesme dhe ne gjithmonë kemi besuar tek ky premtim."

Një deklaratë të tillë mund ta nënshkruajë edhe Obama. Të dy kandidatët kanë tema identike në axhendë, një politikë e re ekologjike për energjinë ka prioritet, ashtu si edhe ulja e deficitit të lartë të shtetit dhe sigurimi shëndetësor për të gjithë amerikanët. Të dy janë për tërheqjen e trupave nga Iraku. Ndonëse lidhur me këtë Barak Obama ndonjëherë lë të nënkuptohet diçka ndryshe nga Hilari Klintonit, sepse senatorja e Nju Jorkut votoi përpara katër vjetësh në Kongres pro luftës në Irak. Por sipas senatores 59 vjeçare ajo e ka bërë këtë, sepse presidenti e argumentoi luftën me argumenta të gabuara. Ndërsa Obama askohe nuk mund të votonte, sepse ai ndodhet në Kongres qysh nga viti 2005.

Senatori kundër senatores. Ish-first Lady kundër një shpresëdhënësi. Kjo do të jetë një luftë elektorale brendapartiake mjaft interesante. Pas të dy kandidatëve me popullaritet qëndrojnë edhe të tjerë që presin shansin si përshembull Xhon Eduards. Në vitin 2004 ai doli si kandidat për postin e nënpresidentitpërkrah Xhon Kerrit dhe bëri një figurë të shkëlqyeshme. Tani për tani Euduards qëndron i tërhequr, gëzohet për duelin Hilari kundër Barakut duke pritur që të jetë ai i "treti të cilit do t´i qeshë fati".