1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hetim shqiptaro-amerikan për Gërdecin

Arben Muka / Tiranë8 Prill 2008

Prokurorja e Republikës Ina Rama konfirmoi të hënën se hetuesve shqiptarë në zbardhjen e shpërthimeve vdekjeprurëse të Gërdecit i janë bashkuar dhe 6 ekspertë të krimit nga SHBA.

https://p.dw.com/p/De5S
Gërdec
GërdecFotografi: DW / Pandeli Pani

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers, ka shfrytëzuar një veprimtari që është zhvilluar ditën e hënë në Prokurorinë e Republikës në Tiranë, për të komentuar hetimin e tragjedisë së Gërdecit ku humben jetën 24 vetë dhe u plagosën rreth 400 të tjerë. Ai ishte i drejtëpërdrejtë në deklaratat që mbajti para stafit të lartë të prokurorisë kur shprehu mbështetje që „hetimi rreth ngjarjes të ishte i plotë dhe i gjithanshëm". Withers tha se për atë që ndodhi në 15 mars „hetimi duhet të ecë kudo ku e çojnë provat, pavarësisht se kush është i përshirë në të. Vetëm kështu do të
kthehet besimi i publikut tek institucionet e drejtësisë në Shqipëri. Ndërsa prokuroria heton këtë incident për shkeljet e kryera, shpresoj që ajo të mos hasë asnjë ndërhyrje politike të cdo lloji. Për më tepër ne shpresojmë se procedurat gjyqësore do të jenë rigoroze dhe çdo vendim i tyre do jetë në përputhje me krimin e kryer, pavarësisht statusit politik apo lidhjeve të shkelësve të ligjit".

Nga ana e saj prokurorja e Republikës, Ina Rama, la të nenkuptohet se hetimi i Gërdecit do të jetë një proces
profesional e shkencor shqiptaro amerikan. Rama konfirmoi mbërritjen në Tiranë ditën e dielë të 6 ekspertëve të krimit nga SHBA, ndërkohë që pret akoma mbështetje nga institucionet e specializuara amerikane në sigurimin e të dhënave për mekanizmin e tregëtisë së armëve nga territori i Shqipërisë në vitet e kaluara.

Në prezëncë dhe të kryediplomatit amerikan në Tiranë, Rama, garantoi për hetime profesionale dhe me rezultate shkencore të të gjithë shkaqeve të shpërthimeve vdekjeprurëse të datës 15 mars në Gërdec, afër 20 km larg kryeqytetit. Të hënën pasdite Ministria e Brendshme ka njoftuar zyrtarisht se në tragjedinë e Gërdecit kanë humbur jetën 24 vetë,
ndërkohë që forcat speciale të ushtrisë kanë mbyllur operacionin e kërkimit për viktima në kraterin e shpërthimit dhe në zonat përrreth.