1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200810 Russland Iran

21 Gusht 2010

Hapja solemne e centralit bërthamor Busher në Gjirin Persik (21.08.) është për Iranin para së gjithash një simbol politik pasi me këtë ai mund të theksojë pretendimin e vet për shfrytëzim paqësor të energjisë bërthamore.

https://p.dw.com/p/Ot2k
Centrali bërthamor iranian i BusheritFotografi: AP

Me gjithë skepticizmin ndërkombëtar, pas shumë vonesash, koncerni bërthamor i Rusisë Rosatom do ta ngarkojë tani reaktorin me lëndën djegëse bërthamore. Nga pala ruse ky është një sinjal i mosheqjes dorë nga marrëdhëniet e mira me Teheranin, marrëdhënie që u nënshtrohen herë pas here luhatjeve.

Verën e kaluar ishte gjithçka ende në rregull. Atëherë, në kulmin e trazirave pas zgjedhjeve presidenciale iraniane, Mahmud Ahmadinexhadi udhëtoi drejt Jekaterinburgut në të ashtuquajturën Konferencë e Shangait. Atje presidenti i shtetit iranian u prit gati vëllazërisht nga homologu i tij rus dhe me gjithë zgjedhjet e diskutueshme u përgëzua përzemërsisht për rizgjedhjen zyrtare. Sjellja e Dmitri Medvedevit ngjalli irritime, si ndërkombëtarisht ashtu edhe në pjesë të popullsisë iraniane. Prandaj, pak pas faljes të së premtes në Teheran u dëgjuan parrulla, deri atëherë, të padëgjuara:

Parrulla deri atëherë të padëgjuara

Vdekje Rusisë!" thërrisnin demonstrues të shumtë dhe shprehnin me këtë pakënaqësinë e tyre në lidhje me faktin që qeveria e Teheranit kishte kërkuar sheshit dhe pati marrë përkrahjen e Rusisë. Ka shqetësim për afrimin e papritur, shpjegoi njëri nga thirrësit. Në fund të fundit gjatë rrjedhës së historisë së vet Irani ka pasur përvojë të caktuar me Rusinë, tha ai:

Iran Bushehr
Shefat e Agjencive Bërthamore të Rusisë dhe të Iranit, Sergei Krienko dhe Ali-Akbar Salehi. Inxhinierët filluan sot (21.08.) me ngarkimin e centralit bërthamor të Busherit me lëndë djegëse bërthamore.

"Para Revolucionit të Tetorit, pas shumë vitesh luftë, Rusia pati aneksuar pjesë të mëdha të Iranit. Më pas gjatë regjimit sovjektik BRSS-ja ushtroi ndikim masiv mbi politikën e brendshme iraniane nëpërmjet një partie larosh. Siç besojnë shumë iranianë, tani duket se Rusia po luan si të thuash kartën e Republikës Islamike në arenën e politikës botërore. Të gjitha këto janë arsye për të reaguar shumë ndjeshëm."

Të dyja shtetet kanë nevojë njëri për tjetrin, sepse ato kanë mundësinë të mbështeten në mënyrë të ndërsjellë. P.sh. Moska e di që sa kohë të zgjasë grindja rreth programit bërthamor të Teheranit, presidenti amerikan Obama do të jetë i zënë dhe do të ketë më pak kohë për t'u marrë me çështje të politikës ruse. Për Teheranin nga ana e vet partneriteti me Moskën është i rëndësishëm sepse qeveria e atjeshme ka një pozicion të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në rast nevoje mund të bllokojë sanksione të reja kundër Republikës Islamike.

Rol kyç për Rusinë në projektet bërthamore të Iranit

I rëndësishëm është në këtë kontekst edhe roli i Rusisë në ndërtimin e centralit të parë bërthamor iranian në Busher, në jug të vendit. Pikërisht në 1995-ën Rusia mori përsipër të përfundonte reaktorin bërthamor të filluar që në 1975-ën nga Siemens-i dhe ta vinte atë në shfrytëzim. Në fakt, vënia në punë ishte parashikuar më së voni për 2004-ën, por afati i nisjes u shty herë pas here. Teherani ndjeu se pas kësaj fshihej taktikë, por u soll qetë.

Megjithatë, kur vjeshtën e kaluar ministri rus i energjetikës Sergej Shmatko deklaroi se stacioni bërthamor mund të niste nga puna vetëm këtë pranverë, durimi shteri. "Rusët luajnë me ne; kjo prej 20 vjetësh," turfulloi Mahmud Ahmadi-Biqash, zëdhënësi i komisionit parlamentar të sigurisë. Ndërsa gazeta me emër "Etemad" pyeti: "Dhjetë vjet vonesë; a nuk mjaftojnë?" Zhgënjimi iranian i kthyer në zemërim ishte i kuptueshëm. Në fund të fundit presidenti Ahmadinexhad do shumë më tepër se reaktorin 1.000 megavat të Busherit:

Presidentit Ahmadinexhad nuk i mjafton Busheri

"Ne jemi të vendosur që të zgjerojmë dhe të zhvillojmë centrale bërthamore në gjithë vendin me një fuqi prej 20.000 megavat."

Flash-Galerie Iran Natanz
Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad viziton uzinën e pasurimit të uraniumit në Natanz.Fotografi: AP

Zemërimi u rrit në pranverë. Ahmadinexhadi e akuzoi Rusinë se kishte qëndrime proamerikane në debatin rreth sanksioneve të reja kundër Iranit. Gjithashtu pati bombardime fjalësh anti-ruse në parlament, ku deputeti popullor Ali Motahari kërkoi që në të ardhmen Teherani të angazhohej më fort për myslimanët në Çeçeni, sepse këta shtypeshin rëndë. Moska reagoi me zemërim: E akuzoi Iranin për "agjitacion politik" dhe në fillim të qershorit votoi për sanksione të reja të OKB-së kundër Republikës Islamike.

Fakti që tani, pas dhjetë javësh të tjera, në Busher po vihet më në fund në punë centrali bërthamor nuk mund të mjaftojë për të shpallur si të rivendosur partneritetin iraniano-rus. Për këtë ka edhe një pikë tjetër që i dhemb shumë Teheranit. Moska vazhdon të refuzojë livrimin në Iran të një sistemi tepër modern të mbrojtjes ajrore S-300. Dhe kjo me gjasa mund të jetë më e rëndësishme sesa starti i centralit të tij të parë bërthamor, për të cilin pret prej vitesh.

Autor: Ulrich Pick / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi