1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Helmut Kohl mbush 75 vjeç

Heinz Dylong2 Prill 2005

Helmut Kohl feston më datën 3 prill 75 vjetorin e lindjes. Emri i ish kancelarit gjerman do të jetë gjithmonë i lidhur me ribashkimin e Gjermanisë. Edhe projekti Evropa është pjesë e historisë së Helmut Kohlit, i cili kërkonte gjithmonë bashkimin e këtij kontinenti. Por nga ana tjetër emri i Helmut Kohlit është i lidhur edhe me të ashtuquajturën aferën e donacioneve për partinë kristian demokrate CDU: Ish kancelari gjerman ende nuk ka treguar se cili është burimi i 1 milionë markave që u donatuan për partinë e tij.

https://p.dw.com/p/Ar4C
Ish kancelari gjerman Helmut Kohl
Ish kancelari gjerman Helmut KohlFotografi: AP

Helmut Kohl lindi si djali i një punonjësi të financave dhe e filloi karrierën e tij politike pak kohë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në qytetin e tij të lindjes Ludvigshaven. Në vitin 1947 ai u bë antar i partisë kristian demokrate CDU. Pasi përfundoi doktoratën në degën e historisë pranë unviersitetit të Ludvigshavenit, Helmut Kohl u bë deputet në parlamentin e landit Rheinland-Pfalz dhe katër vite më vonë Kohl u zgjodh kryetar i fraksionit CDU. Në vitin 1969 Helmut Kohl u zgjodh kryeministër i këtij landi - një detyrë të cilën Kohl e zbatoi shtatë vite me rradhë.

Në vitin 1976 politikani i ambicionuar Kohl kandidoi në Bundestag për postin e kancelarit gjerman, por socialdemokrati Helmut Schmidt u rizgjodh sërish kancelar gjerman. Kohl shkoi në qytetin e Bonit dhe u bë kryetari i opozitës, por nuk kandidoi për postin e kancelarit gjerman duke ja lënë kështu mundësinë kryetarit të unionit CSU Franz Josef Strauss për të kandiduar. Ndonëse Kohl dhe Strauss prezantoheshin përpara mediave si miq të ngushtë, opinioni publik nuk mund ta injoronte rivalitetin e theksuar mes dy politkanëve. Ky rivalitet zgjati edhe pas zgjedhjes së Helmut Kohlit si kancelar gjerman në tetor të vitit 1982:

"Betohem në emër të Zotit se do t´ja përkushtoj të gjithë forcën dhe energjinë time popullit gjerman, se do ta mbroj këtë popull nga dëmet dhe do t´ja rris mirëqënien, se do ta respektoj kushtetutën dhe ligjet e saj, se do t´i plotësoj të gjitha detyrat e mia me ndërgjegje të plotë" - u betua Helmut Kohl.

Helmut Kohl ishte 16 vjet me rradhë kancelar gjerman. Por megjithatë problemet brenda partisë së tij filluan të shtohen. Gjatë mbledhjes së partisë në vitin 1989 u krijua një revoltë kundër tij. Antarët e fraksionit CDU u përpoqën ta hiqnin Kohlin nga posti i itj. Por vetëm pak javë më vonë, problemet partiake përfunduan krejt papritur. Më 9 nëntor 1989 ra Muri i Berlint dhe askush nuk donte më që Kohl të largohej nga posti i tij:

"Këtu bëhet fjalë për të ardhmen tonë, për lirinë tonë dhe atë të njerëzve tanë që jetojnë në Gjermaninë Lindore" - deklaroi Kohl.


Hlemut Kohl ndodhej në Berlin më 10 nëntor 1989. Qeveria gjermane me Kohlin në krye filloi menjëherë të punonte në drejtim të ribashkimit të Gjermanisë. SHBA-s u treguan menjëherë të gatshme të ndihmojnë dhe falë diplomacisë së shkëlqyer të Kohlit dhe të ministrit të atëhershëm të jashtëm Hans Dietrich Genscher, Franca dhe Britania e Madhe u mundën më në fund të binden si ribashkimi i Gjermanisë ishte një domosdoshëri. Madje Kohl mundi ta bindë Mihail Gorbaçovin që Gjermania e bashkuar të mbetej antare e NATO-s. Më 3 tetor të vitit 1990 përfundoi gjtihçka. Republika Lindore Gjermane deklaroi se do të bëhet pjesë e Republikës Federale Gjermane dhe në orën 12.00 të mesnatës dy Gjermanitë u bashkuan. Një natë më parë, kancelari gjerman Helmut Kohl mbajti një fjalim televiziv:

"3 Tetori është dita e gëzimit, e mirënjohjes dhe e shpresës. Brezi i ri në Gjermani ka tani të gjitha shanset për të kaluar një jetë në paqe dhe liri."

Në vitin 1998 Helmut Kohl kandidoi për herë të fundit për postin e kancelarit gjerman. Por këtë rradhë ai humbi rëndë. Gerhard Schröder i partisë social demokrate fitoi dhe Kohl u detyrua të largohet nga posti i tij. Një vit më vonë filloi debati mbi të ashtuquajturën aferën e donacioneve për partinë kristian demokrate. Kohl kish pranuar donacione nga persona privatë anonimë, gjë që bie në kundërshtim me kushtetutën gjermane, sipas të cilës donacionet për partitë politike duhet të jenë transparente. Helmut Kohl pranoi në mënyrë publike se kish menaxhuar konto të ndryshme për të financuar partinë e tij.

"Unë kam pranuar donacione nga vitet 1993 deri në 1998. Këto donacione arritën shumën e rreth 1.5 milionë markave, gjë që do të thotë rreth 300.000 marka në vit, të cilat nuk u deklaruan. Ky është gabimi im, për të cilin pendohem."

Sidoqoftë Helmut Kohl mbetet një ndër figurat kryesore të politikës gjermane.