Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi vetëdeklarohen të pafajshëm | Ballkani | DW | 09.11.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi vetëdeklarohen të pafajshëm

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ish-kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi deklaruan në Hagë se janë të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte e krime të tjera. Paraqitjet e tyre në Hagë ishin shumë emocionale.

„I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, ishte përgjigja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në pyetjen e gjykatësit të Dhomave të Specializuara në Hagë, nëse i ka kuptuar akuzat e Prokurorisë, e cila pretendon se ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Koosovës ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit, tortura dhe krime të tjera në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.

Ndërsa në pyetjen e gjykatësit: A jeni fajtor ndaj akuzave të pretenduara nga Prokuroria, i akuzuari Hashim Thaçi vendosi të përgjigjet menjëherë, ndonëse kishte kohë një muaj për t'u njohur mirë me të gjitha 10 pikat nga aktakuzat. Hashim Thaçi u vetëdeklarua: „Aktakuza është e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës". Më parë përfaqësuesi i Prokurorisë i lexoi aktakuzën ish-drejtorit politik të UÇK, Hashim Thaçi, i cili akuzohet në dhjetë pika për krime lufte, krime kundër njerëzimit, vrasje, burgosje, torturë, trajtim çnjerëzor, ndalim arbitrar, zhdukje me forcë dhe deportim.

Akuzat e ngritura

Prokuroria pretendon që Hashim Thaçi të jetë i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit mbi dy baza: Si përgjegjës i ndërmarrjes kriminale të përbashkët si dhe mbi bazat e përgjegjësisë personale. Prokuroria pretendon se Thaçi në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 është i përfshirë në krime kundër civilëve, kundër serbëve, shqiptarëve, romëve, katolikëve, kundërshtarëve politikë, kundërshtarëve të UÇK, personave për të cilët pretendohej se bashkëpunojnë me forcat serbe apo ishin në kundërshtim dhe të tjerëve por edhe kundër kundërshtarëve politikë. Në këtë kontekst u përmendën edhe vrasjet e kundërshtarëve politikë edhe kundërshtarët e UÇK.

Avokati: Së shpejti do të kërkojnë lirimin e Thaçit dhe mbrojtjen në liri

Prokuroria përmendi shumë vende, për të cilat pretendohet se janë bërë krime, ai në Llapashticë, Malet e Berishës, Llapushnik, Kleçkë, Likoc, Lipjan, Malishevë, Prishtinë, Prizren, Viti dhe vende të tjera të Kosovës, por edhe në Cahan dhe Kukës të Shqipërisë. Avokati i Thaçit, David Hooper, tha se „ishte për turp që kur është futur në sallë ka parë zoti (Thaçi) nën pranga". Avokati tha se ata së shpejti do të kërkojnë lirimin e Thaçit dhe mbrojtjen në liri, sepse nuk ka asnjë dëshmi për pretendimet e Prokurorisë se Thaçi mund të ikë nga drejtësia.

Ndërsa pyetja e tij e parë për Prokurorinë ishte: Ku janë akuzat për trafikim me organet e njerëzve, sepse ky ka qenë preteksti kryesor për krijimin e Dhomave të Specializuara? „Këtu kemi vetëm një përmbledhje të incidenteve që kanë ndodhur në Kosovë". Ku janë edhe simbolet e Kosovës, sepse ky është institucion i Kosovës, pyeti avokati. Avokati Hooper tha se „ishte pikërisht Thaçi ai, i cili ka mundësuar krijimin e kësaj gjykate. Ndaj janë të pabaza pretendimet se ai do t'i ikte drejtësisë”.

Avokati citoi ish-senatorin amerikan Bob Dol, i cili në librin e tij flet për Thaçin si një person shumë të rëndësishëm dhe të angazhuar për paqen, si edhe kandidatin e demokratëve të zgjedhur president Joe Biden, i cili në vitin 2017 e quante Thaçin si "George Washington i Kosovës”. Kërkesa për lirimin apo jo dhe mbrojtjen e Thaçit në liri do të paraqitet më vonë, u tha nga mbrojtësit. Vendimi për vazhdimin e procesit kundër Thaçit do të merret deri në fund të javës.

Emocionaliteti i Krasniqit

Paradite u mbajt edhe seanca e parë kundër ish-zëdhënësit të UÇK, Jakup Krasniqi. E kjo seancë ishte jashtëzakonisht emocionale për të akuzuarin. „Unë kurrë nuk kam bërë asnjë krim lufte dhe asnjë krim tjetër. Kurrë nuk ia kam bërë askujt atë që më keni bërë ju këtu në Hagë", deklaroi ish-zëdhënësi i UÇK, Jakup Krasniqi, në fjalimin e tij shumë emocional para trupit gjykues.

Gjatë gjithë paraqitjes së tij, Krasniqi tërë kohën luftonte me lotët. Krasniqi tha se "ai nuk do të duhej të ishte këtu në Hagë, por pranë familjes së tij në Kosovë, sepse si zëdhënës i UÇK ai „ka qenë vetëm zëri politik i UÇK dhe kurrë nuk ka bërë asnjë krim".

Por Jakup Krasniqi, sikur edhe ish-drejtori politik i UÇK, Hashim Thaçi u përballën me akuza të rënda të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë. Edhe ai fajësohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit, vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, deportim por edhe vrasje me motive politike si dhe vepra të tjera në 10 pika të aktakuzës. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë bërë këto krime në periudhën prej marsit 1998 deri në shtator të vitit 1999. Thaçi dhe Krasniqi ngarkohen për krime kundër serbëve, shqitparëve, romëve, katolikëve por edhe kundërshtarëve politikë në Kosovë. Edhe Krasniqi akuzohet si anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe mbi bazën e përgjegjësisë personale.

Krasniqi: Unë nuk kam trajtuar kurrë askënd, ashtu siç më trajtuat ju mua

„Kurrë në jetën time nuk e kam trajtuar askënd, ashtu siç më kanë trajtuar mua autoritetet e Dhomave të Specializuara, prej momentit të arrestimit në mëngjesin e 4 nëntorit e deri tani", tha Krasniqi, i cili ndjehej „i mllefosur me vënien e prangave" dhe trajtimin si kriminel lufte. Krasniqi tha se UÇK dhe populli i Kosovës kanë luftuar kundër okupatorit serb. Ndërsa krime ka bërë okupatori serb. „Unë jam intelektual e jo kriminel" tha ai.

„Ju i ndani në aktakuzë njerëzit në myslimanë dhe katolikë. Unë nuk jam as mysliman e as katolik - jam shqiptar", theksoi Krasniqi, me gishtin tregues të ngritur lart dhe duke luftuar me lotët në sy. Sa i përket akuzave për "ndërmarrje të përbashkët kriminale", ai tha se UÇK dhe populli i Kosovës kanë luftuar së bashku me NATO-n, SHBA dhe Bashkimin Evropian për të çliruar Kosovën nga okupatori. „Ne jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare", u shpreh ai. Krasniqi akuzoi drejtpërdrejt autoritetet e Dhomave të Specializuara se janë „vënë në shërbim të autoriteteve serbe", sepse këtij procesi i gëzohet vetëm Serbia dhe regjimi serb.

Edhe Krasniqi kishte kohë të deklarohet për „fajësinë e tij" edhe një muaj. Por ai vendosi të përgjigjet sot: Nuk kam asnjë faj të vetëm! Krasniqi ka të drejtë që përmes avokates së tij, e cila kësaj radhe u paraqit me video-link nga Malajzia, të kërkojë lirimin e parakohshëm. Deri të premten do të dihet se kur do të vazhdojë procesi kundër Jakup Krasniqit.

Nesër në Hagë fillon procesi kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-shefit të shërbimit sekret në kohën e luftës, Kadri Veseli. Ndërsa pasnesër mbahet seanca e parë kundër Rexhep Selimit, i cili së fundi ishte shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës.