Harris migrantëve në Guatemalë: ″Mos ejani!″ | Bota | DW | 08.06.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Harris migrantëve në Guatemalë: "Mos ejani!"

Nënpresidentja e SHBA bën një bisedë "energjike, të sinqertë" me Presidentin Giammattei. Uashingtoni ndodhet nën presion nga vërshimi i migrantëve.

Gjatë një vizite në Guatemalë, Nënpresidentja e SHBA, Kamala Harris u shpreh në favor të bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve për çështjet e migrimit. Qëllimi duhet të jetë luftimi i shkaqeve të largimit nga ky shtet i Amerikës Qendrore dhe gjetja e zgjidhjeve për "problemet që ekzistojnë prej kohësh", tha Harris në një takim me Presidentin Alejandro Giammattei në Guatemala City.

Harris i paralajmëroi banorët e shtetit të mbytur nga varfëria dhe dhuna që të mos udhëtojnë në SHBA në mënyrë të paligjshme: "Mos ejani!" Tha ajo. Kushdo që e provon do të kthehet pas në kufi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të zbatojnë ligjet e tyre dhe të sigurojnë kufirin e tyre. Nënpresidentja e SHBA-së njoftoi se ajo do të ngrinte një grup pune kundër kontrabandës dhe trafikimit të qenieve njerëzore së bashku me Guatemalën.

Hallkë e dobët: korrupsioni

Pas intervistës, vizitorja u tha gazetarëve se ajo dhe nikoqiri i saj kishin pasur një bisedë "energjike, të sinqertë". Në gjuhën diplomatike, ky formulim zakonisht nënkupton një polemikë të ashpër, e cila me sa duket lidhej me çështjet e korrupsionit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Qeveria e SHBA dëshiron të krijojë një njësi të veçantë antikorrupsion në Amerikën Qendrore, e cila do të mbështesë edhe prokurorët e Guatemalës.

Uashingtoni ka kohë që po punon për një paketë prej miliarda dollarësh për të stimuluar ekonominë e rajonit. Ekziston edhe një program për të mbështetur femrat. Njerëzve duhet t'u jepet "një ndjenjë shprese". Nuk duhet të ndodhë që ata të detyrohen të largohen në SHBA për shkak të problemeve në vendin e tyre.

Kamala Harris dhe Alejandro Giammattei

Kamala Harris dhe Alejandro Giammattei

Harrisit i është besuar politika e migrimit nga Presidenti i SHBA, Joe Biden në Mars. Misioni i saj është të trajtojnë shkaqet kryesore të imigracionit të paligjshëm. Kjo temë do të jetë gjithashtu në qendër të vëmendjes në ndalesën e dytë në udhëtimin e saj, kur ajo do të takohet në Meksikë me Presidentin Andrés Manuel López Obrador.

Emigracioni i paligjshëm është bërë një çështje e ndjeshme për qeverinë e Bidenit. Vetëm në prill, pothuajse 180.000 vetë pa dokumenta të vlefshme u parandaluan të hynin në kufirin jugor të SHBA. Republikanët në opozitë e akuzojnë Bidenin si përgjegjës për një "krizë" në kufi, sepse ai nuk mund të frenojë imigracionin.

Ardhja e dhjetëra mijëra njerëzve, kryesisht nga Meksika, Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, përbën sfida të mëdha për autoritetet amerikane. Ato kanë probleme të mëdha për të gjetur strehim të përshtatshëm për migrantët që kapen. Një nga shqetësimet kryesore është trajtimi i fëmijëve dhe të rinjve që udhëtojnë pa prindërit e tyre.

aud (afp, rtr, epd, ap)