1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

150310 Hariri Merkel

16 Mars 2010

Në vizitën e kryeministrit libanez Hariri në Berlin Kancelarja Merkel kritikoi politikën izraelite të ngulimeve. Ajo u shpreh për zgjatjen e misionit të Bundesverit në brigjet e Mesdheut.

https://p.dw.com/p/MTpH
Kancelarja gjermane Angela Merkel, priti me 15 mars në Berlin kryeministrin libanez, Saad Rafik Hariri, me nderime ushtarake.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, priti me 15 mars në Berlin kryeministrin libanez, Saad Rafik Hariri, me nderime ushtarake.Fotografi: AP

Për herë të parë që prej ardhjes në detyrë kryeministri i Libanit Saad Hariri vjen në Berlin. I biri i politikanit të vrarë Rafik Hariri i përket kampit sunit, antisirian dhe konsiderohet kështu pro-perëndimor. Hariri u prit nga kancelarja Merkel si dhe nga Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle. Në qendër të bisedave ishte edhe shpallja nga Izraeli javën e kaluar e ndërtimit të ngulimeve të reja në Jerusalemin Lindor – gjatë vizitës së zvpresidentit amerikan Joe Biden.

Merkel dhe kryeministri libanez Hariri në Berlin.
Merkel dhe kryeministri libanez Hariri në Berlin.Fotografi: AP

Në bisedë me Haririn Kancelarja gjermane Angela Merkel e kritikoi në mënyrë shumë të qartë Izraelin. Vizitorit duhet t'i kenë pëlqyer fjalët e kancelares. Kancelarja foli fjalë jashtëzakonisht të qarta. „Me shpalljen e ndërtimit të banesave të reja në Jeruzalemin Lindor kemi pësuar një goditje të rëndë në çështjen, nëse do të zhvillohen bisedime për afrimin ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve. Unë këtë e kam bërë të qartë edhe në një telefonatë me kryeministrin Netanjahu dhe shpresoj se sinjalet nga Izraeli në të ardhmen do të jenë konstruktive dhe jo më kaq negative, që të pengojnë zhvillimin e bisedimeve të tilla", tha Merkel

Konflikti i vazhdueshëm izraelito - palestinez dëmton Libanin

Në jug të vendit, i cili sundohet nga hisbollahët shiitë dhe që ka qenë i pushtuar për kohë të gjatë nga Izraeli, situata vazhdon të jetë e tensionuar. Në Liban shiitët, sunitët dhe të krishterët konkurojnë me njëri-tjetrin për pushtet, forcimi i hísbollahëve konsiderohet si kërcënim për balancën e brishtë të pushtetit në këtë vend. „Siguria e Libanit është e varur shumë nga gjendja në rajon. Nqs miqtë tanë të bashkësisë ndërkombëtare pyesin, si mund ta ndihmojmë ne Libanin, përgjigja jonë është gjithmonë: përpiquni për hapa efektivë në çështjen palestineze." - tha Hariri.

Ushtarë gjermanë në përbërje të misionit ndërkombëtar UNIFIL para bregdetit libanez
Ushtarë gjermanë në përbërje të misionit ndërkombëtar UNIFIL para bregdetit libanez.Fotografi: AP

Gjermania mbështet qeverinë libaneze në formimin e trupave kufitare në radhë të parë në kufi me Sirinë dhe patrullon në kuadër të misionit UNIFIL para bregdetit në jug për të penguar kontrabandën e armëve të hisbollahëve. Kryeministri i Libanit thekson, se Libani është i interesuar, që misioni të vazhdojë. Edhe Merkel e lavdëron angazhimin në detin Mesdhe. „Besoj se ia kemi arritur që krijojmë një stabilizim edhe përmes UNIFIL-it. Ne nuk i kemi përfunduar konsutimet tona në qeveri, por unë jam për atë, që ne ta vazhdojmë për aq kohë UNIFIL-in, derisa qeveria libaneze ta konsiderojë atë të nevojshëm."

Mospërputhje qëndrimesh në koalicionin qeveritar

Për herë të fundit misioni u zgjat edhe për një gjysëm viti në muajin dhjetor. Njëkohësisht kufiri maksimal i trupave u ul nga 1.200 ushtarë në 800, një shkurtim më tepër simbolik, sepse në mision janë ndërkohë vetëm 240 pjesëtarë të Bundesverit. Partneri i Merkelit në koalicionin qeveritar FDP dëshiron që ta përfundojë misionin në fund të vitit. Për një premtim të vertetë Haririt i duhet akoma të presë.

Autor: Mathias Bëlinger/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama