1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të fillojë tradita e respektimit të ligjit, e jetës në ligj dhe me ligj."

Bekim Shehu3 Qershor 2014

Intervistë me Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës per Ardhmërinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/1CBNT
Ramush Haradinaj
Fotografi: DW/B. Shehu

DW: Z. Haradinaj, keni hyrë në këtë fushatë zgjedhore me parullen “Drejtimi i Ri”. Çfarë u ofron qytetarëve drejtimi i ri?

Haradinaj: Kemi hartuar plan zgjedhor, por që për bazë ka materie të mjaftueshme për plan qeverisës, që është zhvillimor për Kosovën. Ne mendojmë se duhet të fokusohemi në industrinë ushqimore, në bujqësi, të hyra këto, që do ta sigurojmë një përkrahje për bujqësinë dhe kjo përkrahje financiare e mendojmë se vjen nga burimet e energjisë, në këtë rast nga qymyri dhe metalet. Thënë ndryshe, plani “Drejtimi i ri” e jep një mënyrë të zhvillimit të Kosovës, që fillon nga një qeverisje pa korrupsion, nga një ekonomi pa informalitet dhe evazion fiskal e bazuar në rend dhe ligj, por po ashtu që aktivizon burimet natyrore, qymyrin, metalet, të hyrat nga të cilat kishim mundur që t'i drejtojmë dhe t'i japim përkrahje industrisë ushqimore, që do të ishte një bazë e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Zoti Haradinaj, pothuaj të gjitha partitë politike garuese në këto zgjedhje, fokusin kryesor e kanë zhvillimin ekonomik, po kështu e ka edhe partia juaj. Çfarë e dallon planin e zhvillimit ekonomik të AAK-së nga partitë e tjera?

Analiza jonë për zhvillim ekonomik, është e bazuar në parametra realë në radhë të parë, por edhe në ambiciet tona. Ne nuk dorëzohemi para sfidave dhe pengesave, që i ka shoqëria jonë, sepse ne i dimë kërkesat, që i kemi në vend. Ne jemi ambiciozë, por nuk jemi ambiciozë vetëm për t'i fituar zgjedhjet, por e dimë që kemi kërkesa të mëdha në vend. Shembull, shkalla e papunësisë shumë e lartë, rrethanat e tjera të standardit shumë të vështirë dhe ne jemi ambiciozë në plan ekonomik, sepse është një plan real, dhe siç e thashë edhe më hërët është i bazuar në aktivizimin e burimeve natyrore, nikoqirllëkut si qeverisje, reduktimit të lluksit të tepruar, një qeverisje pa korrupsion, ekonomi pa informalitet dhe evasion fiskal. Pra, në parametra realë të mundshëm dhe ne e parashohim rritjen e brutoproduktit në shifra dyshifrore. Unë dëgjova partitë tjera të flasim për rritje të brutoproduktit deri në 7%, por ky është stagnim. Ne parashohim rritje dyshifrore.

Ju premtoni 200 mijë vende pune brenda mandatit katër vjeçar. A nuk ju duken pak shumë 50 mijë vende pune brenda një viti, nëse e bëjmë një llogari të thjeshtë matematikore?

Është e mundshme. Në Kosovë ekzistojnë 60 mijë sipërmarrje, të cilat vetëm një person në vit, nëse e punësojnë, bëjnë 60 vende pune. Pra ka plot mundësi të vetëpunësimit në Kosovë, por nuk ka pasur fokusim të mjaftueshëm. Me logjikën e qeverisjes së tashme natyrisht që kjo është tepër, sepse kemi qeverisje, që është e bazuar në korrupsion, kemi ekonomi, që është e bazuar në informalitet dhe evasion fiskal, kemi mungesë të rendit dhe ligjit dhe kredibilitetit të institucioneve. Por në rast se kthehet besimi në institucione, të mos ketë korrupsion, informaliteti dhe evazioni fiskal nuk janë bazë për zhvillim ekonomik, atëherë kuptohet, se në Kosovë zhvillimi ekonomik është i mundur. Aktivizimi i burimeve natyrore, në qymyr, metale dhe fokusim në bujqësi dhe industri ushqimore, atëherë zhvillimi ekonomik është i mundur. Pra, në qarkun e shkurtër është i mundur mobilizimi i kapitalit vendor dhe investitorëve ndërkombëtarë.

I përmendet investitorët e huaj, si mendoni t'i tërhiqni investimet e huaja?

Mendoj se problem kryesor, pse nuk kemi investime, është kredibiliteti i qeverisë së tashme. Qeveria e tashme e ka humbur kredibilitetin e tyre si institucione. Ata e kanë problem sot që të jenë partner të kujdoqoftë dhe kështu e ka problem Kosova. Askush, asnjë kompani serioze, nuk po negociojë me ne, nuk po hyjnë në partneritet me ne për investime në Kosovë, pra duhet ta rikthejmë kredibilitetin e institucioneve.

Zoti Haradinaj, keni qenë disa vite më parë në koalicion në LDK-së, duke udhëhequr me postin e kryeministrit, pas kthimit tuaj nga Haga dhe aktivizimit në politikë u duk një afri më PDK-së, madje u fol për koalicion konkret, ndonëse nuk u bë. Më kë e mendon AAK-ja koalicionin, në rast se me votën e fituar mund të hyjë në kombinim koalicionesh?

Është e nevojshme në Kosovë që qeveria të krijohet nga opozita e deritashme. Kemi një qeverisje të zotit Thaçi dy mandate, mandate i tretë do të ishte fatal për Kosovën. Vazhdimi i këtyre logjikave do të ishte i dëmshëm për Kosovën, pra në Kosovë duhet të krijohet qeveria nga partitë politike opozitare. Është në interes për Kosovën, për demokracinë, por edhe për zhvillimin e gjithmbarshëm shoqëror. Unë favorizoj institucione nga opozita.

Po mendoni me Lidhjen Demokratike të Kosovës të hyni në koalicion apo?

Po, me LDK dhe të gjitha partitë tjera opozitare, që e marrin besimin e qytetarëve.

Zoti Haradinaj, partia juaj e ka mbështetur dialogun me Serbinë. Dialogu akoma nuk ka përfunduar, ka shumë tema, që duhet trajtuar, si do t'i qaseni bashkëpunimit rajonal me theks të veçantë me Serbinë?

Ky dialog duhet të evoluojë, partneriteti kuptohet është fqinjësor, do të ketë dialog, do të ketë partneritet, do të ketë marrëdhënie të ndërsjella, por duhet të kalojë në një etapë tjetër, jo dialog të një karakteri i tipit klasik politik. Kosova e ka në plan, që të bëhet anëtare e BE-së, ne duhet të takohemi në Bruksel, duke shmangur bisedat klasike politike me Serbinë, sepse mund të ndodhë që ato të kthehen në abuzim për interesat e qytetarëve. Pra duhet të kalojmë në një etapë konkrete, të zbatimit në terren të atyre, që janë parametra realë të BE-së, që janë qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave. Pra duhet të kalojmë në një etapë të re më progressive, më pragmatike të dialogut.

Kjo mendoni se është karta e re e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian apo?

Është kjo karta, është e nevojshme, sepse çdo aspirues për anëtarësim duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore, pra BE-ja duhet të ndodhë përreth aspiruesit. Pra, çdo kandidat duhet ta krijojë mini BE-në përrreth vetës, marrëdhënie të mira me secilin prej atyre, që e rrethojnë, një tip BE në miniature, në mënyrë që kështu të jetë i gatshëm t'i bashkohet familjës së madhe evropiane. Serbia po e bën këtë në mënyrë të caktuara, prandaj këtë duhet ta bëjmë edhe ne edhe Maqedonia, Shqipëria e të gjithë me radhë.

Kosova vazhdon të mbetet vendi me i izoluar në Evropë dhe duke pasur parasysh zhvillimet edhe brenda unionit, duket se rruga e Kosovës drejt BE-së vetëm sa po vështirësohet. Si e keni menduar piknisjen e re në raport me integrimet evropiane të Kosovës?

Haradinaj: Kosova avancon drejt BE-së në Kosovë e jo në Bruksel, as në Berlin, apo diku tjetër. Kosova mundet me avancu drejt BE-së në Kosovë, duke e qeverisur vetën pa korrupsion, duke respektuar ligjin, duke iu përkushtuar zhvillimit ekonomik pa informalitet, pa evasion fiskal, pa kriminlalitet të brendshëm, duke respektuar të drejtat e njeriut, ligjin kushtetutën, pra duhet të ndodhë BE-ja në Kosovë. Nëse ne e bëjmë BE-në në Kosovë, të gjithë këta parametra negativë për Kosovën ndryshojnë.

Pengesa kryesore në rrugëtimin e Kosovës drejt Evropës vazhdon të jetë mossundimi i ligjit dhe korrupsioni. Për këtë shkak në Kosovë vazhdon të qëndrojë misioni EULEX dhe shumë mekanizma të tjerë ndërkombëtar. Çfarë duhet ndryshuar në këtë shoqëri, në mënyrë që të ketë vullnet për zbatim të ligjit?

Haradinaj: Duhet ta kuptojmë që ligji është për të gjithë njejtë, i mbron të gjithë përfshirë qytetarët, politikanët pushtetarët, pra të gjithë janë të barabartë para ligjit, askush nuk është i diskriminuar, por edhe nuk mund të jetë dikush mbi ligjin. Në momentin, kur është dikush mbi ligjin, aty ska ligj, pra ne duhet ta kuptojmë dhe duhet të jetojmë me një normë të tillë. Gjenerata e ardhshme e njerëzve në institucione duhet të jetë e vendosur në këta parametra, të mos bëhet kompromis me ligjin, të fillojë tradita e respektimit të ligjit, e jetës në ligj dhe me ligj.