1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova pret nga Gjermania të finalizojë çështjen e vizave

4 Nëntor 2020

Në një intervistë ekskluzive për DW, ministrja e jashtme e Kosovës flet për pritshmëritë ndaj Gjermanisë,, dialogun Serbi-Kosovë dhe procesin e njohjes reciproke të patentave me Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/3kpra
Meliza Haradinaj Stublla im DW Interview
Fotografi: Anila Shuka/DW

Deutsche Welle: Zonja Haradinaj, cilat janë pritmëritë e Kosovës ndaj Gjermanisë, si kryetare e radhës së BE-së? 

Meliza Haradinaj-Stublla: Kosova ka pritshmëri të larta nga presidenca gjermane tani që kryeson Këshillin Europian. Çështja e liberalizimit te vizave kuptohet qe është një temë e vonuar dhe e stërvonuar. Qytetarët me të drejtë presin që Gjermania t'i japë epilogun e duhur kësaj teme. Tani qe kemi edhe një konfirmim nga Komisioni Europian, shpresojmë që këtë muaj do te vendoset edhe në axhendë dhe shpresojmë për një epilog pozitiv. Edhe dialogu me Serbinë është një temë e rëndësishme strategjike për të cilën kemi diskutuar dhe do të diskutojmë me zyrtarët e qeverisë gjermane dhe shpresojmë se Gjermania do t'i ndihmoje dhe zotit Lajčák që ta definojë këtë dialog. Dialogu aktual ka nevojë të definojë kohën, deri kur do të zgjasë dhe cili është epilogu final. Nëse shkojmë në këtë format, i cili është i hapur dhe nuk ka përfundim të qartë, atëherë kjo do t'i konvenojë vetëm Vuçiçit dhe Putinit,  të cilët nuk dëshirojnë një epilog final te dialogut me Serbinë apo çështjes së fundit te mbetur ne Ballkan, qe është ajo e Kosovës dhe Serbisë. 

Ju patët takime edhe me sekretarin e shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë. Kjo ministri ende nuk e ka dhënë zyrtarisht pëlqimin për vizat, megjithëse vitin e kaluar i pat premtuar zotit Haradinaj mbështetje. A ju tha zoti Meyer se cila është arsyeja? 

Ne jemi me fat që kemi pasur atë formatin me qeverinë e parakaluar, pra, me ish-kryeministrin, Haradinaj, ku kemi vendosur themelet e bashkëpunimit në nivel të ministrave të Brendshëm. I kemi adresuar ato çështje të cilat kanë qenë shqetësim për palën gjermane dhe tani, meqë Gjermania kryeson Këshillin, ajo është duke u munduar që në bazë të atij formati, të veprojë edhe me palët skeptike, siç janë Franca dhe Holanda, dhe te ndajë atë eksperiencë të mirë, të cilën e ka pasur me Kosovën vitin e kaluar. 

Çështja tjetër, ajo e dialogut. Ju prisni nga qeveria gjermane të përkufizojë afatin kohor dhe qëllimin final.  A keni bërë ju si Kosovë një koncept gati për t'ua prezantuar partnerëve evropianë? 

Ne i kemi definuar parimet, mbi te cilat negociojmë dhe është e qarte qe nuk do te preket integriteti territorial dhe rendi kushtetues aktual i Kosovës. Ne kemi dëgjuar edhe deklarata kontradiktore nga ndërmjetësit dhe i kemi kundërshtuar ato me ngulm. Për ketë kemi konsensusin e plote politik dhe popullor ne Kosovë  dhe kërkojmë që këto parime te përcaktojnë dhe dialogun qe po ndërmjetëson BE dhe zoti Lajčák. Po ashtu, edhe epilogu: Ne negociojmë vetëm për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe ky është një parim i panegociueshem, prandaj ne kërkojmë qe tanimë te gjithë ato dialogë qe kemi pasur përgjatë dekadash dhe ato marrëveshje teknike ekzistuese te implementohen dhe të arrijmë ne epilogun final, i cili është njohja reciproke.

Cili është kompromisi që jeni të gatshëm të bëni ju drejt Serbisë? 

Kosova i ka kryer kompromiset e saj me planin e Ahtisaarit. Serbia ka ende një rrugë të gjatë për të bërë përpara: të dënojë kriminelët e luftës, të cilët po ikin çdo ditë dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, të kërkoje falje për të gjitha krimet qe ka bërë dhe të vendosë para drejtësisë të gjithë ata për krimet e te cilëve nuk është venë ende drejtësia. Po ashtu të ndalë kërcënimet publike që u bën intelektualëve që punojnë për të drejtat e njeriut, por edhe të gjithë atyre që kanë informata për varrezat masive dhe të zhdukurit, të cilët ende figurojnë si të zhdukur 21 vjet pas luftës. Ky është një turp për Serbinë dhe ata do të duhej të ndihen të turpëruar kur ulen para palës kosovare në dialog. Prandaj, njohja reciproke është e kohës. Dhe përfundimisht Serbia duhet të bëjë hapin e duhur, nëse dëshiron të ecë drejt integrimeve europiane, pasi rruga e saj drejt Europës kalon neper Kosovë.

Si presidenti i Kosovës, Vuçiq , ashtu edhe homologu i tij nga Kosova, Hashim Thaçi, janë skeptikë ndaj Brukselit. Çfarë mund të bëhet që të rritet besimi ndaj Brukselit? 

Ne jemi me fat si Kosovë që kemi edhe palën amerikane, por edhe palën e BE-së dhe aleatëve te angazhuar në dialogun me Serbinë, prandaj nga ana jonë ka ardhur koha te ulemi e te përcaktojmë bashkë rrugën që kemi përpara, sepse vetëm bashkë, mund të avancojmë me interesat tona te përbashkëta. Kjo do të reflektojë edhe te mënyra se si do të na trajtojë Bashkimi Europian dhe këtu është çelësi, për të cilin duhet të punojmë edhe ne në planin e brendshëm në Kosovë.

Besoni se do të ketë një ndryshim pozitiv në lidhje me politikën ndaj Kosovës, pas zgjedhjeve në SHBA? 

Ne e kemi pasur një ndryshim pozitiv me marrëveshjen e normalizimit ekonomik dhe Kosova është me fat qe gëzon mbështetje nga te gjitha palët politike në Amerikë dhe kjo do të mbetet siç është. Nga presidenti Clinton e te gjithë te tjerët me radhë kanë dhënë shume për Kosovën dhe besojmë që kjo nuk do te ndryshojë edhe në rast se eventualisht do te ndryshojë administrata aktuale.

Ju patët edhe një takim me Zotin Zielke nga ministria e infrastrukturës, për njohjen reciproke të patentë-shoferëve. Cili qe rezultati i kësaj bisede? 

Zoti Zielke njoftoi se kishin pasur një vizite ne Kosovë ne muajin shkurt dhe pastaj ishte parashikuar edhe një vizitë e fundit, ku do te vendosej përfundimisht kjo çështje, por pandemia e ka vështirësuar lëvizjen, por edhe shkëmbimin e vizitave fizike. Prandaj po presim lehtësimin e masave dhe te mundësojmë një vizitë te ardhshme të palës së autoriteteve gjermane. Jemi optimistë dhe nuk do ndalim punën rreth kësaj çështjeje.

Pala gjermane kërkon standarde në qarkullimin rrugor? 

Problemi është siguria ne rrugë, por edhe sistemi i lëshimit te patentave. Ky sistem është përmirësuar, prandaj besoj që tanimë mund të përmirësojmë dhe sigurinë në rrugë dhe të ecim përpara, duke adresuar praktikat dhe rekomandimet e autoriteteve gjermane në këtë aspekt.

Pyetja e fundit ka të bëjë me diasporën. Cilat janë pikat kryesore ku do të fokusoheni ju për ta kthyer diasporën në përfitim për Kosovën?  

Pa dyshim, diaspora është boshti i të gjithë raporteve të mira që ka Kosova me Gjermaninë. Diaspora ka qenë ministri me vete, por tanimë me qeverinë e re është bashkuar, si emër, mirëpo funksionalisht jemi duke punuar qe t'i përfshijmë edhe në të gjithë sistemin funksional të ministrisë së jashtme, por edhe te përcaktojmë fushat e veprimit brenda ministrisë se jashtme. Fokusi ynë do të vazhdojë të jetë në tri pika: Mësimin e gjuhës shqipe, sjelljen e investimeve dhe tema ne te cilat ata mund te investojnë, pasi tashmë kemi një gjeneratë të dytë të mirë-arsimuar dhe integruar në diasporë dhe do të donim q Kosova t'i kthejë ata dhe të ndihmojnë në shtet-ndërtimin dhe formimin dhe në të gjitha prioritetet që kemi para vetes. Këtu do të mund të bëjmë shumë nëse kemi një bashkëpunim te sinqertë, gjë për të cilën qeveria e Kosovës është shumë e përkushtuar.